Namazi ed-Duha (Namazi i Paradites)

Salat ed-Duha (Namazi i Paradites), Salatul-Euabijn(Namazi i atyre që kthehen) dhe Salatul-Ishrak(Namazi pas Lindjes së Diellit) janë emra të ndryshëm për të njëjtin namaz.
Ai është quajtur “Namazi i atyre që kthehen” sepse ai që falet shkëputet nga gjithçka dhe kthehet e përqëndrohet në bindjen ndaj Allahut dhe adhurimin e Tij, në një kohë kur një pjesë e njerëzve janë të preokupuar me punët e tyre kurse një pjesë tjetër pushojnë. [Teudihul-Ahkam, 2/445, e përshtatur.]
Koha e tij e faljes:
Kur dielli është aty afër gjatësisë sa një shtizë mbi horizont dhe vazhdon derisa dielli të arrijë pikën e tij kulmore. [Teshijl el-Ilmam, 2/391]
Shejkh Ibn ‘Uthejmin ka thënë, sikurse gjendet edhe në Mexhmu’ul-Fetaua (14/306, n. 875):
“Koha e Namazit të Duhasë është që kur Dielli të jetë ngritur në gjatësinë e një shtize, d.m.th. çerek apo tri çerek ore pasi të ketë dalë; deri para zeualit (mesit të ditës, kur dielli të ketë arritur në pikën e tij kulmore) dhe deri para zeualit do të thotë midis dhjetë apo pesë minutave (para zeualit)…”
Ebu Derda (radijAllahu anhu) ka transmetuar se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë se Allahu ka thënë:
O Biri i Ademit, fali për Mua katër rekate në fillimin e ditës...”
[Transmetuar nga Tirmidhiu, n. 475 dhe është shpallur sahih nga Shejkhul-Albani.]
Në një hadith tjetër:“…derisa të dalë dielli dhe pastaj ai fal dy rekate.”[Pjesë e një hadithi të transmetuar nga Tirmidhiu, n. 586 dhe i shpallur hasen nga Shejkhul-Albani.]
Ky hadith bën fjalë për dy rekatet e Duhasë.
Koha më e mirë për të falur Namazin e Duhasë është kur Dielli të jetë shumë i nxehtë.
Zejd Ibn Erkam pa disa njerëz duke falur namazin e Duhasë. Ai tha:“Mos ata nuk janë në dijeni se është më mirë që ai të falet në një tjetër kohë. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:“Namazi i pendimtarit duhet të falet (në kohën) kur deveja e shkëputur nga qumështi ta ndiejë nxehtësinë e Diellit.”[Transmetuar nga Muslimi, n. 748.]
Urtësia e këtij Namazi:
Është lejuar namazi nafile në këtë kohë për shkak se është një interval i gjatë kohor midis namazit të Sabahut dhe namazit të Drekës. Kështu që ky pengon që të ketë një boshllëk kaq të madh pa asnjë namaz, pasi të mos falurit gjatë kësaj kohe mund t’i shkaktojë njeriut humbjen e vëmendjes duke mos e përkujtuar Allahun. [Teshijl el-Ilmam, 2/391] Dhe Allahu e di më së miri.
Vlera e tij:
Ka shumë hadithe që theksojnë vlerën e këtij namazi. Na mjafton që të përmendim këtu:
Ebu Dherri ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:
Në mëngjes duhet sadaka për çdo nyje të trupit tënd. Çdo tesbih (të thuash SubhanAllah) është sadaka. Çdo tahmid (të thuash Elhamdulilah) është sadaka. Çdo tahlil (të thuash La ilahe il-lAllah) është sadaka. Çdo tekbir (të thuash Allahu Ekber) është sadaka. Urdhërimi për të mirë është sadaka. Ndalimi i të keqes është sadaka dhe falja e dy rekateve të Duhasë mjafton për të gjitha.”[Transmetuar nga Muslimi, n. 720]
Ebu Hurejra ka transmetuar:
“Miku im i dashur (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) më këshilloi që të bëja tri gjëra dhe unë s’do t’i lë kurrë ato derisa të vdes: të agjëroj tri ditë në çdo muaj, të fal Duhanë dhe të fal Vitrin para se të fle.”[Transmetuar nga Bukhari, n. 1178]
Ebu Hurejra ka transmetuar gjithashtu se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:
Askush nuk është i qëndrueshëm me Namazin e Duhasë përveç se pendimtari.” Ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ai është Namazi i Pendimtarit.”[Transmetuar nga Hakimi në Mustedrak (1/314) i cili ka deklaruar se është sahih. Albani e ka deklaruar hasen në Silsiletul-Ehadithus-Sahiha, n. 1994.]
Gjykimi i tij:
Është mustehab (e pëlqyeshme) që të kryhet namazi i Duhasë. Imam Neueui i ka vënë titullin një kapitulli në Sahihun e Muslimit: ‘Pëlqyeshmëria për kryerjen e namazit të Duhasë.’
Neueui ka thënë në Sherhul-Muslim (5/237): “Shumica e dijetarëve e konsiderojnë namazin e Duhasë mustehab (të pëlqyeshëm).” Në Mexhmu’u Sherhul-Muhedheb (4/43) thuhet: “Ai është qëndrimi që mbajnë shumica e Selefëve.”
Sidoqoftë, ka mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje. [Zadul-Me’ad, 2/330-348;Fet’hul-Bari, 3/68; dhe Nejlul-Eutar, 5/211-212]:
Ai është mustehab dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.
A’ishah ka thënë:
“I Dërguari e linte ndonjë vepër edhe pse ai donte që ta kryente atë, nga frika se mos njerëzit e punonin atë dhe kështu u bëhej e detyrueshme. Unë nuk e kam parë kurrë Pejgamberin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të falte namazin e Duhasë, por unë e fal atë.”[Transmetuar nga Bukhari, n. 1128 dhe Muslimi, n. 718]
Disa nga njerëzit e dijes kanë shpjeguar se kjo do të thotë që A’ishah vetën nuk e ka parë kurrë Pejgamberin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të falte këtë namaz, por ajo ishte njoftuar për të nga Sahabët e tjerë. [Fet’hul-Bari, 3/69-70, Teshijl el-Ilmam, 2/396]
Numri i Rekateve:
Imam Neueui i ka vënë titullin një kapitulli në Sahihun e Muslimit: ‘Pëlqyeshmëria e kryerjes së namazit të Duhasë. Numri më i vogël i rekateve të tij është dy, kurse maksimumi është tetë; dhe midis tyre ka katër apo gjashtë rekate.
Dy rekate:
Ebu Dherri ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Në mëngjes duhet sadaka për çdo nyje të trupit tënd. Çdo tesbih (të thuash SubhanAllah) është sadaka. Çdo tahmid (të thuash Elhamdulilah) është sadaka. Çdo tahlil (të thuash La ilahe il-lAllah) është sadaka. Çdo tekbir (të thuash Allahu Ekber) është sadaka. Urdhërimi për të mirë është sadaka. Ndalimi i të keqes është sadaka dhe falja e dy rekateve të Duhasë mjafton për të gjitha.”[Transmetuar nga Muslimi, n. 720]
Katër rekate:
Ebu Derda (radijAllahu anhu) ka transmetuar se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë se Allahu ka thënë:
O Biri i Ademit, fali për Mua katër rekate në fillimin e ditës...”
[Transmetuar nga Tirmidhiu, n. 475 dhe është shpallur sahih nga Shejkhul-Albani.]
Gjashtë rekate:
Enes Ibn Malik ka thënë:“I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e falte Duhanë me gjashtë rekate.”[Transmetuar nga Tirmidhiu, Mukhtesir esh-Shema’il (fq. 156) dhe është deklaruar sahih (sahih ligajrihi) nga Shejkhul-Albani për shkak të transmetimeve të tjera që e mbështesin.]
Tetë rekate:
Umm Hani ka transmetuar:“…pastaj Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) fali tetë rekate të Duhasë.”[Transmetuar nga Bukhari, n. 1176 dhe Muslimi, n. 336]
Kur A’ishah u pyet për numrin e rekateve që falte Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për namazin e Duhasë, ajo u përgjigj:
“Ai falte katër rekate dhe ndonjëherë kur dëshironte falte më shumë, aq sa dëshironte Allahu.”[Transmetuar nga Muslimi, n. 719]
“Ky transmetim i A’ishes duhet të kuptohet duke marrë parasysh edhe hadithet e mëparëshme.” [Bughja el-Muteteui fij es-Salatut-Tetewu’, fq. 86]
Veçanërisht kur është transmetuar se A’ishah, transmetuesja e këtij hadithi, e falte Duhanë me tetë rekate… [Transmetuar nga Maliku në el-Muwetta (1/153) dhe është sahih. Shiko Ma Sahha min Ether es-Sahabe fil-Fik’h (1/432).]
“Kurse falja e këtyre rekateve në çift është për shkak të hadithit: ‘Namazet e natës dhe të ditës janë çift.’ [Sahih Sunen Ibn Maxheh (1/221)]”