Si kryhet pastrimi i trupit, gusli?

Pastrimi i trupit (gusli), ka për qëllim larjen e gjithë trupit me ujë, prej kokës e deri te këmbët.
Shkaqet që e bëjnë të domosdoshëm larjen e trupit (marrjen e gusulit) janë:
– Kur dikush bëhet xhunub (ejakulohet) për shkak të ndonjë kënaqësie seksuale kur është zgjuar ose të ndojë ëndrre kur është në gjumë,
– Kur dikush kryen marrëdhënie seksuale,
– Kur gruaja është me hajz (në fazën e menstruacioneve) ose nifas (lehonë),
– Kur një mysliman ndërron jetë, trupi i tij duhet të lahet,
– Kur dikush pranon fenë islame.

Kushtet e Guslit
– Shpëlarja e gojës duke bërë gargara,
– Shpëlarja e hundës,
– Larja e tërë trupit.
* Hajz: Quhet cikli menstrual i femrave. Kjo është një dukuri periodike e femrave që kanë arritur moshën e pjekurisë, prej organeve gjenitale të të cilave fllon të rrjedhë gjak në ditë të caktuara të muajit. Një cikë menstrual mund të zgjasë 3 deri në 10 ditë.
* Nifas: Quhet lehonia. Ajo i përngjan menstruacioneve, por paraqitet pas lindjes së fëmijës. Lehonia zgjat deri në 40 ditë.
Femra që është me menstruacione ose lehonë nuk bën të falet, të agjërojë, etj. Ditët që i mbeten pa agjëruar gjatë Ramazanit, duhet t’i agjërojë më vonë (kaza).

Mënyra e marrjes së guslit.
Pasi janë paraqitur shkaqet që e detyrojnë myslimanin ose myslimanen të marrë gusl, bëhet nijet (qëllimi) për pastrim, pastaj:
– Lahen duart së paku tri herë;
– Pastrohen vendet e papastra (organet gjenitale);
– Merret abdest, si për namaz;
– Lahet i tërë trupi, duke flluar nga koka, krahu i djathtë, pastaj i majti (nëse nuk jemi duke u pastruar në lumë);
– Duhet pasur kujdes që asnjë pjesë e trupit të mos mbetet pa u lagur me ujë;
– Në fund, duhen shpëlarë këmbët me ujë të pastër, nëse jemi duke u pastruar në kadë (vaskë) ose koritë (govadë);
– Femra nuk ka nevojë t’i prishë bistekët (gërshetat), nëse uji ka depërtuar në brendësinë e tyre.