1. Kur të takoni një shok, mjafton ta përshëndetni me selam duke ia shtrënguar dorën, kurse marrja në grykë vjen në shprehje vetëm kur të ktheheni nga udhëtimi. E gjithë kjo është një sjellje e mirë (mustehab), duke u mbështetur në fjalën e Enes bin Malikut, i cili thotë: “Kur takoheshin shokët e Pejgamberit alejhi selam, ia shtrëngonin dorën njëri-tjetrit dhe kur vinin nga udhëtimi merreshin në grykë.” (Transmeton Taberaniu, kurse Hejthemiu thotë se transmetuesit e hadithit janë autentikë)
2. Parimisht, selami është i plotë kur thuhet Esselamu alejkum ue rahmetull-llahi ue berekatuhu. Për këtë bazohemi në hadithin ku Umran bin Husejni thotë: Erdhi një njeri te Pejgamberi alejhi selam dhe tha: “Esselamu alejkum”. Pejgamberi ia ktheu e ai u ul. Atëherë Pejgamberi alejhi selam tha: “Dhjetë.” Pastaj erdhi tjetri dhe tha: “Esselamu alejkum ue rahmetull-llah”. Edhe këtij ia ktheu dhe ky u ul. Pas kësaj Pejgamberi alejhi selam tha: “Njëzet.” Pastaj erdhi një tjetër dhe tha: “Esselamu alejkum ue rahmetull-llahi ve berekatuhu.” Edhe këtij ia ktheu e edhe ky u ul. Kurse për këtë Pejgamberi alejhi selam tha: “Tridhjetë.” (Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu me sened të fortë)
3. Selami nuk shprehet me fjalët: “Esselamu ala menit-tebeal huda”, nëse ai që përshëndesim është musliman, por ky selam përdoret veçanërisht për jomuslimanët. Pejgamberi alejhi selam në letrën e tij dërguar Herakleut shkruante: “Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Prej Muhammedit, robit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, deri te Herakleu, madhëria e romakëve (bizantinasve). Selamun ala menit-tebeal huda (Selami qoftë mbi atë që e pranon udhëzimin).”
Ndërsa urtia pas kësaj shprehjeje – Zoti e di më së miri – është që zemrat e të thirrurve të zbuten dhe që ata të ndihen të qetë dhe të sigurtë, nëse e pranojnë atë (kushtet e saj). Këtu është për qëllim udhëzimi, por nuk ka të bëjë me besimtarin, ngase ai është prej të udhëzuarve pa kurrfarë dyshimi, andaj edhe nuk vjen në shprehje dhe nuk lejohet të përshëndetet me këto fjalë shpresëdhënëse.
4. Është e papëlqyer të thuhet selami me fjalët “Alejkesselam”, duke u bazuar në transmetimin që përcillet nga Ebu Tumejme el Huxhejmi, e ky nga një njeri prej popullit të tij (në disa transmetime ceket me emër Ebu Xhura el Huxhejmi), i cili thotë: “E kërkova Pejgamberin alejhi selam e nuk mund ta gjeja dot, andaj edhe u ula. Kur, ja, një grup njerëzish e në mesin e tyre gjendej edhe ai, por unë nuk e njihja. Ai ishte duke i pleqëruar e, kur u lirua, u ngrit e me të u ngritën edhe disa prej tyre, të cilët thanë: “O Resulull-llah.” Kur e pashë atë, fillova të them: “Alejkes-selam ja Resulull-llah, alejkes-selam ja Resulull-llah, alejkes-selam ja Resulull-llah.” Ai ma ktheu: “Dije se alejkesselam është përshëndetje e të vdekurve, dije se alejkesselam është përshëndetje e të vdekurve, dije se alejkesselam është përshëndetje e të vdekurve.” Pastaj m’u afrua dhe tha: “Kur njeriu takon vëllanë e tij besimtar, le t’i thotë: Es selamu alejkum ue rahmetull-llah.” Këtë përshëndetje Pejgamberi alejhi selam ma ktheu duke më thënë: “Ue alejke ue rahmetull-llah, ue alejke ue rahmetull-llah, ue alejke ue rahmetull-llah.” (Transmetojnë Tirmidhiu, Ebu Davudi, Ahmedi e të tjerë)
5. Lejohet ngritja në këmbë kur jepet selami për përurim a ngushëllim. Gjithashtu lejohet ngritja për t’i ndihmuar të paaftit (të gjymtit), ngritja e birit për babanë e tij, e gruas për burrin e saj dhe e kundërta. Po ashtu, ngritja e një personi nga vendi i tij për t’i dalë përpara mysafirit të tij ose atij që vjen nga udhëtimi. Por nuk lejohet t’i ngrihemi një personi, ose një personi tjetër që është ulur, siç është rasti me mbretërit dhe diktatorët. Vetëm nëse ngritja bëhet me ndonjë interes (dobi), siç është rasti i ngritjes së Ma’kal bin Jesarit kur, gjatë besatimit, mënjanoi degën e një peme nga koka e Resulull-llahut alejhi selam. (Transmeton Muslimi) Sa i përket ngritjes me qëllim përshëndetjeje kur shohim dikë të hyjë në një mexhlis (tubim), mendimi më i saktë për këtë është se një sjellje e tillë është e ndaluar. Sipas një transmetimi, thuhet se Muaviu ka hyrë në një shtëpi ku gjendeshin Ibni Amiri dhe Ibni Zubejri. Ibni Amiri u ngrit, kurse Ibni Zubejri mbeti ulur. Atëherë Muaviu r.a. i tha (Ibni Amirit): “Ulu, se unë e kam dëgjuar Resulull-llahun sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Kush gëzohet kur t’i shohë njerëzit se janë ngritur për të, le ta bëjë gati ulësen e tij prej zjarri.” (Transmetojnë Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu e të tjerë)
6. Nuk do të ishte i plotë selami nëse do të bëhej vetëm me shenjë, pa i shoqëruar shenjës edhe fjalët e selamit, duke u bazuar në hadithin që e transmeton Xhabiri r.a., ku thuhet: “Mos u përshëndetni siç përshëndeten çifutët, sepse përshëndetjet e tyre bëhen me kokë, duar dhe isharet.” (Transmeton Nesaiu me sened të mirë) Ky rregull i kushtohet atij që ka aftësi folëse dhe i nënshtrohet urdhëresave fetare. Përndryshe, një gjest i tillë do të ishte në frymën e sheriatit islam nëse personi në fjalë do të ishte i zënë me diçka që do ta pengonte në kthimin e selamit, siç është rasti me falësin e namazit, me atë që është larg, atë që është shurdh a memec etj.
7. Nxitja për ta përhapur selamin sa më shumë, sipas hadithit: “A doni t’ju udhëzoj në një gjë që, nëse e punoni do të duheni: Përhapeni selamin mes jush.” (Transmeton Muslimi) Urdhri për ta përhapur selamin u dha që të përhapet hajri (dobia), të bashkohen zemrat dhe të njësohen radhët tona.
8. S’është mirë që selamin ta lëmë e të mos e përdorim me fëmijët, sipas transmetimit që përcillet nga Enesi r.a. kur ai ishte duke kaluar pranë disa fëmijëve dhe i dha selam. Pastaj shtoi: “Një gjë të tillë e vepronte Pejgamberi alejhi selam.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Kjo me të vërtetë është një nga sjelljet më madhështore të Resulull-llahut alejhi selam. Ngase në të kemi prova se si duhet t’i ushtrojmë fëmijët që ta mësojnë Sunetin e Pejgamberit alejhi selam dhe rregullat e ligjit islam, që të edukohen me to.
9. Nuk duhet ta harrojmë selamin kur largohemi nga tubimi, sipas hadithit të Pejgamberit alejhi selam: “Kur vini në tubim, jepni selam, e nëse e shihni se më mirë është të uleni, atëherë uluni. Nëse ndërkohë ngriheni, e të tjerët ende janë të ulur, jepni selam, ngase selami i parë (kur keni hyrë në mexhlis) nuk është më i vlefshëm se selami tjetër.” (Transmetojnë Ahmedi dhe të tjerët. Hadithi është sahih)
10. Nuk lejohet që jobesimtari të përshëndetet me selam, sipas hadithit: “Mos i përshëndetni çifutët dhe të krisherët me selam, por, nëse i takoni, detyrojini ata që t’u përmbahen anëve të rrugës.” (Transmeton Muslimi)