Nga format e shfaqjes së lehtësive në fenë Islame është edhe tejemumi në rastet e mungesës së ujit, frika nga të ftohtët apo nga përkeqësimi i gjendjes shëndetësore që mund të shkaktojë përdorimi i ujit. Allahu i Madhëruar thotë: “ … dhe nëse nuk gjeni ujë atëherë merrni tejemum me dhè të pastër duke fërkuar fytyrat dhe duart tuaja…” (El-Maide:
Mënyra e marrjes së tejemumit: Tejemumi merret duke goditur një herë sipërfaqen e dheut të pastër me të dyja duart dhe me shuplakat fshihet fytyra dhe duart (një herë).
Kushtet e tejemumit:
1. Pamundësia e përdorimit të ujit për shkak të mungesës, frikës së sëmundjes nga përdorimi i tij, të ftohtët e madh, duke mos pasur mundësi për ta ngrohur etj.
2. Hyrja e kohës së faljes. Tejemumi, ndryshe nga abdesi nuk merret para hyrjes së kohës së faljes.
3. Nijeti (qëllimi) me zemër. Tejemumi nuk vlen pa nijet.
Faktorët që e prishin tejemumin: Tejemumi prishet me çdo faktor, që prish edhe abdesin. Plus këtyre ai prishet sapo të gjendet uji, qoftë edhe gjatë kohës së faljes, por jo pas saj. Por kjo nuk vlen për ata të cilët marrin tejemum për shkak të frikës së sëmundjes nga përdorimi i ujit apo nga të ftohtët e madh.