Shenjat e përfundimit të mirë janë të shumta e vdekja me një apo disa prej tyre është përgëzim për muslimanin.
Këto shenja janë:
a) Të shprehurit e dëshmisë (shehadetit) gjatë vdekjes.
b) Të vdekurit natën ose ditën e Premte (xhuma).
c) Të vdekurit me djersitje të shumtë në ballë.
d) Rënia shehid në luftë.
e) Të vdekurit si luftëtar në Xhihad. Në këtë grup hyn edhe ai që vritet ose që vdes në Rrugë të Allahut, ai që vdes nga murtaja, të vjellurit, nga fryrjet e barkut, nga diareja etj., me një fjalë nga çdo sëmundje barku.
f) Ai që fundoset ose digjet.
g) Vdekja e gruas lehonë.
h) Vdekja nga pleuritisi (inflamacion-pezme e pleures).
i) Të vdekurit nga turbekulozi.
k) Të vdekurit duke mbrojtur fenë, vetveten dhe pasurinë.
l) Vdekja gjatë rojës.
m) Të vdekurit duke bërë ndonjë vepër të mirë, siç është të thënurit e shehadetit, agjërimi, sadakaja (lëmosha) etj.
Argument për sa thamë më sipër janë hadithet e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Këtu po përmendim dy prej tyre. I Dërguari i Allahut ﷺ thotë: “Shehidë (dëshmorë) përveç atij që vritet në Rrugë të Allahut, janë shtatë persona: ai që vdes nga murtaja, i fundosuri, ai që vdes nga pleuritisi (inflamacioni i pleures), ai që vdes nga sëmundjet e barkut, i djeguri, ai që vdes nën gërmadha dhe gruaja që vdes gjatë nifasit (lehonisë).” (Transmeton Hakimi dhe thotë se hadithi është i vërtetë. I këtij mendimi është edhe Dhehebiu.)
Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ thotë: “Kush thotë ‘la ilahe il Allah’ duke shpresuar Fytyrën e Allahut dhe me të përfundon jetën hyn në Xhenet; kush agjëron ndonjë ditë duke shpresuar Fytyrën e Allahut dhe me këtë vepër përfundon jetën e tij, hyn në Xhenet dhe kush jep sadaka duke shpresuar Fytyrën e Allahut (d.m.th. e bën këtë vepër vetëm për hir të Tij) dhe me këtë vepër përfundon jetën e tij, hyn në Xhenet.” (Albani thotë se senedi, zinxhiri i transmetimit, i këtij hadithi është i vërtetë.)