Ndikimi i prindërve tek fëmijët është shumë i madh. Për këtë Profeti (a.s.) ka thënë: ”Kurse prindërit e bëjnë atë çifut, të krishterë ose adhurues zjarri.”
Ndikimi i prindërve nuk kufizohet vetëm në besimin e fëmijës, por ai përfshin etikën dhe sjelljet e tij. Kështu që fëmija mëson prej prindërve mënyrën e të folurit, trashëgon prej tyre gjenet gjenetike, mëson si t’i përzgjedh shokët e tij. Por, kur del jashtë familjes, njeriu fillon të krijojë shoqërinë dhe botën e tij të veçantë. Ndoshta ne gabojmë në përzgjedhjen e miqësive, duam persona që nuk e meritojnë e këtë gjë, vizitojmë shpesh atë që nuk e meriton vizitën, dhe për shkak të frikës sonë dhe dashurisë prindërore për ne, vjen ndërhyrja e tyre për të na mbrojtur. Duhet ta dimë se nuk kemi për të gjetur në këtë botë person që kujdeset më shumë për interesat tona sesa dy prindërit tanë. Por, nëse ndodh që prindërit kanë ndërhyrë në një formë jo të duhur dhe jo të kënaqshme, atëherë, duhet patjetër të hapim rrugën e dialogut dhe të diskutimit të qetë për të njohur mendimet dhe opinionet e tyre duke i trajtuar me dashuri dhe respekt, me qëllim që prindërit të mos ndihen të refuzuar. Sigurohu, që prindërit e tu nuk do të ndërhyjnë, nëse shoku që ke përzgjedhur është i mirë, i drejtë, i dobishëm për ty dhe ti përfiton nga morali i tij. Profeti (a.s.) ka thënë: “Vërtetë, shembulli i qëndrimit me njerëz të mirë dhe të këqij, është si shembulli i mbajtësit të miskut dhe farkëtarit. Mbajtësi i miskut ose të jep ose të shet, ose prej tij kundërmon një aromë e këndshme. Kurse farkëtari ose t’i djeg rrobat, ose prej tij do të vijë një erë e keqe. ”(Mutefekun alejhi)
Kujdes nga shokët e këqij, të pakujdesshëm dhe joambiciozë. Nëse Allahu të jep sukses në përzgjedhjen e një shoku të sinqertë, mos i tejkalo lidhjet
shoqërore dhe mos i kërko atij gjëra të papërballueshme. Shoqëria jote me të i ngjan një bime të vogël, e cila ka nevojë për kujdesje, vaditje dhe mbrojtje. Për këtë arsye, Omer bin Hatabi (r.a.) thotë: “Nëse ndonjëri prej jush ia fiton zemrën vëllait të vet musliman, le ta mbajë fortë këtë miqësi, sa herë që i jepet mundësia. ”