Burri dhe gruaja e kanë amanet ruajtjen e sekreteve të njëri-tjetrit. Ata duhet të bëjnë shumë kujdes që të mos i përhapin ato sekrete. Nuk ka dyshim se ruajtja e sekreteve mes dy bashkëshortëve është prej detyrimeve më të veçanta që ka secili prej bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit dhe kontribuesja më e madhe për vazhdimësinë e jetës bashkëshortore dhe për qëndrueshmërinë e saj. Në ruajtjen e të fshehtave bashkëshortore hynë edhe
ruajtjeve e intimitetit në marrëdhëniet bashkëshortore, siç ka ardhur edhe në hadith: “Prej amaneteve më të mëdha tek Allahu Ditën e Kiametit është burri i cili tregon të fshehtat e tij gruas dhe gruaja i tregon burrit të fshehtat e saj dhe pastaj ata i përhapin të fshehtat e tyre.”
Ruajtja e bisedave dhe fshehja e tyre është prej moraleve të mëdha që ngre lart virtytet dhe karakterin e njeriut. Shokët e Profetit (a.s.) që të gjithë ishin shembull në ruajtjen e fshehtësive që u ishin lënë amanet.
Hudhejfe bin Jemame (a.s.) ishte i njohur si ”Zotëruesi i sekretit të Profetit (a.s.)” në lidhje me emrat e hipokritëve të Medinës. Fatimja, e bija e Profetit (a.s.), na jep shembullin e amanetit të ruajtjes së sekretit, siç transmeton nëna e besimtarëve, Aishja (r.a.): ”Të gjithë ne gratë e Profetit ishim bashkë, asnjëra nuk mungonte, kur u shfaq Fatimja (r.a.), e cila ecte njësoj si i Dërguari i Allahut (a.s.). Kur e pa Profeti (a.s.) i uroi mirëseardhjen, duke i thënë: ”Mirëserdhe, vajza ime”. Pastaj e uli në të djathtën a në të majtën e tij dhe i tha në vesh një sekret. Kjo i shkaktoi asaj shumë të qara. Kur Profeti (a.s.) pa trishtimin e saj i tha përsëri diçka dhe sakaq ajo filloi të qeshë. Unë i thashë: Unë jam prej grave të tij dhe i Dërguari i Allahu të tha një të fshehtë, pastaj ti qave. Çfarë të tha?” Ajo më tha: ”Nuk do ta tregoja të fshehtën e të Dërguarit të Allahut.” Kur i Dërguari i Allahut ndërroi jetë, i thashë Fatimes: ”Kërkoj nga ti, për atë detyrim që ke ndaj meje, të më tregosh.” Ajo më tha: Tani, po. Kur më foli herën e parë më tha se Xhibrili (a.s.), i cili për vit e përsëriste bashkë me të Kuranin nga një herë, këtë vit ia kishte përsëritur dy herë, dhe ai mendonte se vdekja i ishte afruar, prandaj më tha që t’i frikësohesha Allahut dhe të bëja durim, sepse ai ishte një paraardhës i mirë për mua. Prandaj unë qava siç më pe. Kur pa trishtimin tim, më tha të fshehtën e dytë: ”Oj Fatime! A nuk je e kënaqur që të jesh zonja e grave besimtare, ose zonja e grave të këtij umeti?”
Çdonjëri duhet që për të fshehtën e tij të zgjedhë një njeri besnik. Sikurse ka thënë Amer bin Tufejl: ”Nëse të fshehtës tënde nuk i bën një mburojë, atëherë ka mundësi që ajo të kthehet dhe të të tregojë gjëra të çuditshme.”
Çdokujt që i është thënë një sekret, ai duhet ta ruaj atë, qoftë mbret, mjek, nënpunës, apo punëtor. Sikurse është thënë: “Zemrat e të mençurve janë kështjella sekretesh.” Ruajtja e të fshehtave është prej amaneteve më të mëdha në lidhjet mes njerëzve, jo vetëm në rang individual, por në rrafsh shtetesh dhe qeverish. Sa të fshehta janë zbuluar për armiqtë që janë bërë shkak për nënshtrimin e individëve, të popujve dhe të kombeve!
Theksojmë se ruajtja e sekreteve është e kushtëzuar që të mos ndikojë në të drejtën e Allahut të Madhërishëm ose të muslimanëve. Në këtë rast, ruajtja e sekreteve nuk është amanet.