Edukata e kryerjes së nevojës (personale)

Ndoshta për dikënd që i di mirë rregullat e mëposhtme mund t’i duket e panevojshme përmendja e tyre këtu, por të mos harrojmë që ka dhe shumë të tjerë që mund të mos i dinë, ndaj është detyrë informimi i tyre. Domoshdoshmërinë e kësaj teme e tregon edhe fakti se muslimani duhet të jetë gjithmonë në kërkim dhe në zbatim të asaj që është më e mirë për fenë dhe moralin e tij si njeri.
1- Mos merr me vete diçka ku është shkruar emri i Allahut, vetëm në rast se frikësohesh se të humbet ose nëse e ke të mbështjellë me diçka izoluese.
2- Largohu nga njerëzit (kur kryen nevojën) dhe fshihju atyre, që mos të të shikojnë, sidomos kur kryen nevojën e madhe.
3- Futu me këmbën e majtë dhe dil me të djathtën. Thuaj “Bismil-lah”, dhe “Eudhu bil-lahiminesh shejtani rraxhim”, para se të hysh në nevojtore. Është sunet të thuash: “Bismil-lahi, Allahumme inni e udhu bike minel-khubthi uel khabaithi” (Me emrin e Allahut, O Zot, unë të lutem Ty të më ruash nga i ndyri (djalli) dhe ndyrësirat (xhindët). Eshtë vërtetuar se Muhamedi, alejhi selam, e thoshte këtë kur hynte në nevojtore, ndërsa kur dilte prej saj thoshte: “Gufraneke” ( O Zot më fal). (Hadith Sahih.)
4- Mos fol kur kryen nevojën, qoftë dhikër (përmendje e Zotit) ose fjalë të tjera. Bile as përshëndetjen (me selam) mos e kthe si dhe mos i përsërit as fjalët e muezinit (atij që bën thirrjen e ezanit për namaz). Të lejohet të flasësh për ndonjë çështje të domosdoshme e në qoftëse teshtin kur po kryen nevojën, falënderoje Allahun por në vetëvete dhe pa lëvizur gjuhën.
5- Respekto drejtimin e kiblës (Qaben) dhe mos u kthehe në drejtim të saj, as nga përpara dhe as nga mbrapa (por ktheji krahun e djathtë ose të majtin).
6- Nëse je në ndonjë vend të hapur gjej një vend të butë dhe të ulët në mënyrë që të ruhesh nga stërpikja e urinës.
7- Mos e kryej nevojën sipër vrimës (që kanë hapur insektet) sepse aty mund të ketë ndonjë gjë që e dëmton.
8- Mos e kryej nevojën në vende me hije ku qëndrojnë njerëzit, as në rrugën që kalojnë dhe as në vendet ku ata mblidhen.
9- Mos urino në vendin ku lan trupin dhe as në ujin ndejtës apo rrjedhës.
10- Mos urino në këmbë, sepse kjo gjë i ul autoritetin dhe zakonet e mira njeriut si dhe mund të bëhesh pis. Në rastet kur je i sigurtë nga stërpikja, të lejohet të urinosh në këmbë.
11- Pastroji dy vendet e jashtëqitjes me dorën e majtë sepse e djathta nuk duhet të prekë ndyrësira.
12- Pas pastrimit (të vendeve të jashtëqitjes), duhet ta lashë dorën me ujë e sapun e në pamundësi fërkoje atë me dhè etj.