Nga Ibn Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, është transmetuar se i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, ka thënë: “Mos iu ndani së vërtetës, se e vërteta të çon në të mirën, dhe e mira të çon në Xhennet.
Njeriu duhet të vazhdojë të thotë të vërtetën e të hetojë në vërtetësinë e fjalës së vet, derisa të shkruhet tek Allahu si njeri besnik. Qëndroni larg gënjeshtrës, se ajo të çon në degjenerim, dhe degjenerimi të çon në Zjarr, dhe e bën njeriun të vazhdojë me gënjeshtrën, derisa shkruhet tek Zoti si gënjeshtar.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Nga ky hadith dobitë që perfitojmë janë:
1. Thënia e së vërtetës është nga cilësitë e mira morale për të cilat fton Islami.
2. Islami është i plotë, kur fjala e njeriut përputhet me atë që ka në zemër.
3. Thënia e së vërtetës është mjeti më i mirë për shpëtim në këtë botë e në Botën Tjetër.
4. Besimtari që dallohet për të vërtetën është i dashur tek Allahu i Madh, dhe te njerëzit.
5. Duhen udhëzuar shokët, se e vërteta është rruga e shpëtimit në këtë botë e në botën tjetër.
6. Gënjeshtra është ves i keq, që Islami e ka ndaluar. Ajo të çon në zjarr.
7. Duhet këshilluar ai që gënjen.