Shtëpia e Erkamit, shtëpia e tubimit të muslimanëve të parë

Ka qenë urtësi e madhe që gjatë ngjarjeve trishtuese të torturave të njëpasnjëshme që pësuan të gjithë ata të cilët pranuan islamin të parët, Resulullahu ﷺ ndalon të shfaqurit dhe shpalljen publike të Islamit. Ai urdhëronte muslimanët që të takoheshin vetëm fshehtazi. Çdo tubim publik përsëri i shtynte mushrikët të shprehin agresivitetin e tyre për të penguar Profetin Muhamed ﷺ që t’u mësonte njerëzve fenë, Kur’anin, urtësinë dhe edukatën.
Po ashtu, ekzistonte frika nga përballja e hapur ndërmjet dypalëve armiqësore, me ide të ndryshme. Kjo edhe ka ndodhur në vitin e katërt të pejgamberisë. Shokët e Pejgamberit ﷺ tuboheshin në vende të fshehta për të kryer namazin. Një herë këtë e vërejnë disa jobesimtarë dhe pas ofendimeve të rënda i sulmojnë. Në përleshje e sipër, Sa’d b. Ebi Vekkasi e godet njërin prej mushrikëve dhe e përgjak.
Kjo ka qenë gjakderdhja e parë në mbrojtjen e Islamit. Nëqoftese konflikti do të zgjaste më tepër, dhe do të ndodhte më shpesh, atëherë kjo sigurisht do të shkaktonte shkatërrimin e muslimanëve, e njëherësh edhe shkatërrimin e fesë së tyre. Prandaj urtia e Allahut Xh.Sh urdhëron fshehjen. Shumica e muslimanëve e mbanin sekret idenë e tyre, praktikimin e fesë si dhe tubimet e veta. Përsa i përket Profetit Muhamed ﷺ, ai këtë e bënte sheshazi parasyve të mushrikëve, dhe asgjë nga kjo nuk mund ta pengonte. Vetëm që fshehtazi takohej me muslimanët, më tepër për shkak të sigurisë së tyre dhe të Islamit sesa për veten e vet.
Në Safa gjendej shtëpia e Erkam b. Ebi-l-Erkam El-Mahzumit. Ka qenë e vogël dhe larg syve të zullumqarëve. Resulullahu ﷺ e caktoi këtë shtëpi për interpretimin e fesë dhe tubimin e muslimanëve. Kjo ka ndodhur në vitin e pestë të pejgamberisë.