A është urtësia e puthjes së gurit të zi , kërkimi i begatisë përmes tij?

Urtësinë prej tavafit e ka treguar Pejgamberi ﷻ kur ka thënë: “Vërtetë tavafi rreth Qabes, ecja mes Safasë dhe Merves dhe gjuajtja e gurëve janë ligjësuar për të përmendur Allahun ﷻ.” Personi që bën tavaf (sillet rreth e rrotull shtëpisë së Allahut të lartësuar) ndjen në zemrën e tij prej madhërimit të Allahut që e bën atë ta përmend Allahun e lartësuar, kështu që veprat e tij sikurse ecja, aludimi me dorë, prekja apo puthja e gurit të zi si dhe prekja e këndit të Jemenit bëhen me qëllim të përmendjes së Allahut dhe janë pjesë e adhurimit ndaj Tij.

Të gjitha adhurimet ndaj Allahut janë përmendje ndaj Tij , Dhikr në kuptimin e tyre të përgjithshëm. Ndërsa ajo që e flet me gjuhën e tij qoftë tekbir, dhikër dhe dua është e qartë se është prej dhikrit, përmendjes së Allahut. Puthja e gurit të zi është adhurim , ibadet, pasi që njeriu e puth një gur me të cilin nuk e lidhë asgjë përveç se e puth atë në shenjë adhurimi ndaj Allahut dhe madhërimit të Tij, si dhe pasimit të Pejgamberit ﷺ.

Sikur që është vërtetuar nga udhëheqësi i besimtarëve, Umer b. Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë kur e ka puthur gurin e zi: “Unë e di se ti je gur, nuk bën dobi e as dëm dhe mos ta kisha parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke të puthur nuk do të kisha puthur.”

Ndërsa atë që e mendojnë disa injorantë ne fe se qëllimi prej kësaj është teberruki (kërkimi i begatisë) përmes tij nuk ka bazë për këtë dhe është vepër e kotë dhe e papranuar. Atë që e kanë përmendur disa zenadika( njerez e shfaqen si myslimanë për ta shkatërruar islamin nga brenda) se tavafi rreth Qabesë është njësoj sikurse tavafi rreth varrezave të evlijave dhe se kjo është idhujtari, kjo nuk është e vërtetë dhe rrjedh si pasojë e ateizmit dhe armiqësisë që e kanë ndaj Islamit ngase, besimtarët nuk bëjnë tavaf rreth Qabesë vetëm se me urdhrin e Allahut. E çka veprohet me urdhër të Allahut ajo është adhurim ndaj Allahut të lartësuar.

A nuk e sheh se të bërit sexhde dikujt tjetër pos Allahut është shirk i madh, por kur Allahu i urdhëroi melekët t’i bëjnë sexhde Ademit, kjo sexhde ndaj Ademit është adhurim ndaj Allahut të lartësuar dhe lënia e të bërit sexhdes atij është llogaritur kufër. Kështu që tavafi rreth Qabes është një prej adhurimeve më të mëdha dhe është një prej shtyllave të Haxhit, e haxhi është shtyllë e Islamit.

Pikerisht per kete, ai që bën tavaf rreth Qabes, kur vendi përreth është i qetë, ndjen kënaqësi dhe afërsi ndaj Allahut në zemrën e tij me të cilën i bëhet e qartë atij pozita dhe vlera e tavafit. E Allahut i drejtohemi për ndihmë.