Shpërqendrimi nga namazi, sipas dijetarëve është dy llojesh

1.Shpërqendrimi i zemrës nga Allahu duke e zënë atë me punët e dynjasë, duke mos e përqendruar atë në Allahun e Madhëruar. Transmeton Muslimi në librin e saktë të tij një hadith nga Muhamedi (alejhi selam) ku flitet për mirësinë e abdesit: “… e nëse ai falet, e falënderon Allahun, e nderon dhe e madhëron Atë me atë që Ai e meriton, pastaj e largon zemrën e tij nga çdo gjë tjetër, pastrohet nga gjynahet sikurse ka qenë në ditën kur e ka lindur nëna.”

2. Shpërqendrimi duke e hedhur shikimin majtas ose djathtas duke e ditur se mbajtja e shikimit në vendin e sexhdes ndikon për përqendrimin në namaz dhe për mos shkëputjen e vëmendjes tek objektet që na rrethojnë.
Muslimi transmeton se Aishja e pyeti të dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ç’është shpërqendrimi nga namazi, ai iu përgjigj: “Shpërqendrimi është vjedhje me të cilën shejtani mundohet t’ia pakësojë sevapet njeriut.”
Ahmedi dhe Tirmidhiu transmetojnë një hadith nga Harith el Esharij nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ai ka thënë: “Allahu e udhëzoi Jahjan, të birin e Zekerijas me pesë fjalë që të punonte me to dhe të urdhëronte beni israilët që të punonin me to, përmendi prej tyre: Allahu ju urdhëron të falni namazin, sepse me të vërtet, Allahu vazhdon ta mbajë shikimin në fytyrën e robit të Tij, derisa njeriu të mos shpërqendrohet nga namazi, prandaj kur të faleni mos e largoni vëmendjen prej tij.” Ahmedi transmeton nga Ebu Dherri se i dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Allahu vazhdon të qëndrojë përball robit të Tij kur është në namaz, deri sa të mos shpërqendrohet nga namazi, e nëse e largon vëmendjen prej tij, atëhereë edhe Allahu e largon shikimin nga robi i Tij.”

O robër të Allahut!
Me të vërtetë, namazi me të gjithë pjesët përbërëse të tij, si: qëndrimi në këmbë, në sexhde, dhikri që bëhet në këto pozicione është nështrim ndaj Allahut të Madhëruar.” Në suren Bekare ajeti 238, thuhet: “… dhe ndaj Allahut të jeni respektues (në namaze)”. Si dhe ajetin 43, po në suren Bekare: “… dhe bini në ruku (përkuluni) me ata që e bëjnë rukunë”. Sepse me te vërtetë rukuja (përkulja) është bindje ndaj Allahut dhe nënshtrim para Tij me gjithë trupin. Prandaj dhe mendjemëdhenjtë refuzuan t’i përkulen Allahut të Madhëruar për këtë arsye iu tërhoq vëmendja duke u thënë: “Dhe kur u thuhej atyre: ‘Përkuluni!’, ata nuk përkuleshin. Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtruan.” Po kështu dhe sexhdja është një prezantim më i madh i nënshtrimit që robi i bën Zotit të tij. Kur njeriu vendos pjesët e tij më të nderuara në tokë, duke e nënshtruar dhe zemrën e tij për Allahun e Lartësuar në shenjë modestie dhe frike ndaj krijuesit të tij. Një veprim i tillë e bën besimtarin të jetë më afër Zotit të tij, siç ka thënë dhe i dërguari (alejhi selam): “Me të vërtetë, njeriu është më afër Zotit të tij kur është në sexhde.” Allahu i Lartësuar ka thënë të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “… vazhdo me sexhde dhe afrohu Zotit tënd!

Iblisi pasi refuzoi t’i bënte sexhde Ademit (alejhi selam) meritoi mallkimin dhe përçmimin e Allahut. Politeistët dhe politeistet refuzuan t’i bënin sexhde Allahut në këtë botë, për këtë arsye nuk do t’u mundësohet rënia në sexhde ditën kur do ta takojnë Zotin e tyre, siç thonë edhe ajetet 42-43 në suren Kalem: “Ditën kur ashpërsohet çështja deri në kulm (në Kiamet), e ata do të ftohen për të bërë sexhde, po nuk munden. Shikimet e tyre janë të përulura dhe ata i kaplon poshtërimi, kur dihet se ata kanë qenë të ftuar të bëjnë sexhde sa ishin të shëndoshë (e ata talleshin).”
Buhariu transmeton nga Ebu Seid el Hudri se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Kur shfaq Zoti ynë Kërcirin e Këmbës së Tij, i bien në sexhde të gjithë besimtarët dhe besimtaret, mbetet vetëm ai që ka rënë në sexhde në këtë botë sa për t’u dukur dhe t’u dëgjuar, kur shkon për t‘i bërë sexhde Allahut shpina e tij transformohet në një pjesë të vetme (e palëvizshme).
Ibn Kethiri thotë se ky është një hadith i njohur të cilin e transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe të tjerë veç tyre.
Ndër shkaqet që ndikojnë në përqendrimin në namaz është dhe përkujtimi i cilësive të larta të Allahut të Lartësuar si, i Lartësuari, i Madhëruar kur të jesh në sexhde apo ruku. Kur kujton këto cilësi duket sikur thua: O Allah, unë ndaj teje jam i nështruar dhe i bindur ndërsa Ti je i Madhëruar i Lartësuar, prandaj dhe duhet thënë në ruku “Subhane Rabi el adhijm” (larg nga të metat është Zoti im i Madhëruar), në sexhde të themi “Subhane Rabi el ala” (larg nga të metat je o Zoti im i Lartësuar).
O myslimanë!

Të menduarit në kënaqësinë dhe në sevapin që merr njeriu gjatë namazit të tij, e bën atë t’ia ndiejë lezetin (ëmbëlsinë) namazit. I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “E arrij qetësinë time në namaz.” Allahu thotë në suren Bekare ajeti 45: “Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz, vërtetë, ajo është një çështje e madhe (vështirë), por jo për ata që kanë frikë (Zotin)”. Në suren Ankebut thuhet: “… e fal namaz, me të vërtetë, namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat…”. Por kur njeriu e harron shpërblimin dhe kënaqësinë e namazit, i duket sikur është në burg dhe mezi pret të dalë prej tij. Këtë e tregojnë dhe lëvizjet e shumta si dhe parakalimi i imamit në veprime. Kush i gjen këto në veten e tij ai del nga namazi pa përfituar asgjë dhe nuk ka dëshirë të falet përsëri, por falet vetëm për hir të zakonit ose për qejf.

Kini frike Allahun në namazin tuaj, o robërit e Allahut sepse ai është shtylla e Islamit, të ndalon nga veprat e shëmtuara dhe gjynahet, si dhe është gjëja e fundi për të cilën ka porositur i dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) para shkëputjes nga dynjaja.
O robërit e Allahut, namazi është gjëja e fundit që i mbetet njeriut nga feja e nëse e lë dhe namazin nuk ka më fe.
I kërkojmë mbrojtje Allahut të Madhëruar të na ruajë nga shejtani i mallkuar: “Me të vërtetë kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët në namazin e tyre janë të përqendruar.” 1-2 “Ata janë trashëgimtarët, të cilët e trashëgojnë Firdeusin dhe aty janë përgjithmonë.”(Muminun, 10-11)