Përqendrimi në namaz

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, i Cili na ka urdhëruar t’i kërkojmë ndihmë me durim dhe namaz për vështirësitë e ndryshme. Gjithashtu, na ka treguar se kjo është një çështje shumë e madhe vetëm për të devotshmit (ata që e kanë frikë Allahun). I ka cilësuar Allahu besimtarët me cilësinë e të përqendruarit në namaz, si dhe e bëri këtë cilësinë kryesore të tyre.
Allahu thotë në suren Muminun ajeti 1-2: “Me të vërtetë, kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët në namazin e tyre janë të përqendruar (të frikësuar)”.
O ju njerëz!
Kini frikë Allahun dhe dijeni se përqendrimi në namaz është ai që e lartëson dhe e bën atë të vlefshëm. Allahu i ka cilësuar profetët dhe njerëzit e Tij vepër mirë duke thënë për ta në Kuran: “…Ata përpiqeshin për punë të mira, na u luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh”. (Enbija,90) Po kështu dhe në suren Fatir ajeti 28, thuhet: “Dijetarët janë ata të cilët i frikësohen më tepër Allahut nga robërit e Tij.” Si dhe në suren Isra ajeti 107-109: “…atyre të cilëve u është dhënë dijeni para tij, kur u lexohet atyre, ata bien me fytyrë duke bërë sexhde. Dhe thonë: ‘I Lartësuar është Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është i realizuar, dhe duke qarë bien me fytyra ( kur e dëgjojnë Kuranin) dhe ai ua shton edhe më tepër devotshmërinë (khushunë).”
Baza e të përqendruarit është butësia e zemrës, qetësia dhe modestia e saj. Nëse përqendrohet zemra, menjëherë përqendrohen dhe gjymtyrët e gjithë trupit, sikurse thotë dhe hadithi i Muhamedit (alejhi selam): “Me të vërtetë, në trupin e njeriut është një copë mishi, nëse rregullohet ajo, atëherë është i rregullt i gjithë trupi, e ajo është zemra.” (Buhariu dhe Muslimi)
Nëse dikush e ka përqendrimin vetëm në gjymtyrë e jo dhe në zemër, ky është përqendrim hipokrizie.
Një ditë Umeri pa një djalë i cili e mbante kokën ulur dhe i tha: “O ti, ngrije kokën, sepse frika (khushja) nuk tregohet me uljen e kokës dhe se ky veprim nuk ia shton përqendrimin zemrës, por frika e cila arrin në zemër është vetëm ajo e cila arrihet me njohjen e madhështisë së Allahut.
Kush e njeh Allahun më shumë i frikësohet më tepër Atij.” Ndër shkaqet kryesore për të arritur frika në zemër është të thelluarit në të kuptuarit e fjalëve të Allahut (Kuranin). Allahu i Lartësuar thotë në suren Hashër, ajeti 21: “Sikur Ne ta zbrisnim këtë Kuran në ndonjë kodër do ta shihje atë të strukur e të çarë nga frika e Allahut.
Allahu i Lartësuar i ka cilësuar besimtarët e librave të mëparshëm me fjalën, të frikësuar, të përqendruar kur i dëgjonin ajetet e Kuranit. Këtë e vërteton fjala e Allahut në suren Isra ajetet 107-109, ku thuhet: “…atyre të cilëve u është dhënë dijeni para tij, kur u lexohet, ata bien me fytyrë duke bërë sexhde. Dhe thonë: ‘I Lartësuar është Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është realizuar, dhe duke qarë bien me fytyra ( kur e dëgjojnë Kuranin) dhe ai ua shton dhe më tepër devotshmërine (khushunë).” Allahu i ka qortuar ata që i kanë zemrat e tyre të ngurta ndaj ajeteve të Kuranit. Allahu thotë në suren Hadid ajeti 16: “A nuk është koha që zemrat e atyre të cilët besuan të zbuten me përkujtimin e Allahut dhe me atë të vërtetë që zbriti, e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë e zgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangen, e shumë prej tyre janë jashtë rrugës.” Si dhe ajeti 22 në suren Zumer: “…Të mjerët ata që i kanë zemrat e tyre të ngurta nga përkujtimi i Allahut, ata janë në një hubmje të qartë”.
Profeti (alejhi selam) i kërkonte mbrojtje Allahut prej zemrës e cila nuk frikësohet. Transmeton Muslimi se i dërguari (alejhi selam) ka bërë këtë dua: “O Allah, unë të kërkoj mbrojtje nga dija e cila nuk ka dobi prej saj, nga zemra e cila nuk frikësohet, nga vetja e cila nuk ka të ngopur dhe nga duaja e papranueshme!”
Allahu i Lartësuar i ka obliguar robërit e Tij me obligime ku të shfaqet përqendrimi i zemrës dhe i gjymtyrëve. Ndër më të mëdhatë e këtyre është namazi. Prandaj dhe i ka lavdëruar ata të cilët në namazin e tyre janë të përqendruar duke thënë: “Me të vërtetë, kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët në namazin e tyre janë të përqendruar.” (Muminun,1-2) Thotë Muxhahidi, një komentues i Kuranit nga tabiinët: “Kur ndonjeri nga dijetarët çohej për të falur namazin, kishte frikë prej Allahut të çonte shikimin në diçka, të kthente kokën, të luante me guralecë apo të mendonte në diçka nga çështjet e dynjasë, vetëm se në harresë, deri sa të ishte në namaz.”
Muslimi vërteton një hadith nga Othmani se i dërguari (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka ndonjë mysliman që kur vjen koha e namazeve farze, e merr abdesin në mënyrën më të mirë, e shton përqendrimin (khushunë), e përmirëson rukunë, vetëm se Allahu ia fal të gjitha përveç gjynaheve të mëdha, e kjo është e gjithë koha (periudha e shkruar).”
O robërit e Allahut!
Përqendrimi në namaz ka disa shkaqe, prej të cilave më kryesoret janë:
* Përkujtimi i madhështisë së Allahut para të Cilit po qëndron, përkujtimi se Allahu është afër robit të Tij, e sheh dhe e dëgjon atë, di se ç’ka në zemrën dhe ndërgjegjen e tij, si dhe turpërimi nga Zoti i Tij.
* Shkaqe të tjera që ndikojnë në përqendrimin në namaz është dhe vendosja e dorës së djathtë mbi të majtën dhe vendosja e të dyjave mbi gjoks në shenjë nënshtrimi përpara Allahut të Madhëruar. Kur është pyetur Imam Ahmedi për këtë veprim u përgjigj se kjo paraqet nënshtrimin para Krijuesit të Madhëruar.
* Prej shkaqeve të përqendrimit në namaz është dhe eliminimi i lëvizjeve që s’janë pjesë e namazit. Një nga besimtarët e mëparshëm kur shikonte dikë që i lëvizte duart e tij jashtë lëvizjeve të duhura i tha: “Sikur të ishte e përqendruar zemra jote do të ishin të përqendruara dhe gjymtyrët e tua.” Këtë fjalë e kishte dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ka disa njerëz që kur falen i lëvizin së tepërmi këmbët, duart apo fërkojnë hundët, sa që shqetësojnë edhe të tjerët, e kjo tregon për jopërqendrim në namaz.
* Gjithashtu, nga shkaqet e përqendrimit në namaz është dhe prezantimi i zemrës në të dhe moszënia e saj me çështjet e dynjasë dhe problemet e saj. Pra qëndrimi përpara Allahut me zemër të frikësuar dhe të larguar nga diçka jashtë namazit. Largimi i vëmendjes nga namazi është i ndaluar.