Ebu Talibi i kishte kaluar 80 vjetët e sa vinte e i shtohej sëmundja. Derisa ishte në çastet e agonisë, i Dërguari i Allahut ﷺ hyri tek ai. Aty gjeti edhe Ebu Xhehlin e Abdullah ibn Umejen.
Ai iu drejtua Ebu Talibit: “O xhaxha! Thuaj La ilahe il-lAllah (nuk ka zot tjetër përvec Allahut), që ta marr këtë fjalë si ndërmjetësuese përpara Allahut.” Ebu Xhehli dhe Abdullahu thanë: “O, Ebu Talib! A do të heqësh dorë nga feja e Abdul Mutalibit?” Ebu Xhehli dhe Abdullah ibn Ebi Umeja vazhduan kështu derisa dëgjuan fjalën e fundit të Ebu Talibit. Ai tha: “Në fenë e Abdul Mutalibit.” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Unë do t’i kërkoj falje Allahut për ty derisa të më ndalohet.” Pastaj, zbriti ajeti: “Nuk u takon as Pejgamberit e as besimtarëve që të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe në qoftë se ata janë të afërm të tyre, pasi ta kenë të qartë se me të vërtetë, ata (idhujtarët) janë banorë të Xhehenemit.” (9:113) Dhe: “Ti nuk mund të udhëzosh atë që do ti.” (28:56)
Ebu Talibi vdiq në muajin Rexhep (thuhet edhe në Ramazan). Ishte viti i dhjetë i profetësisë. Gjashtë muaj pasi myslimanët kishin shpëtuar nga bllokada. Vërtet, Ebu Talibi sa jetoi, qe krah dhe mbrojtës i të Dërguarit të Allahut ﷺ, me të cilin u mbrojt thirrja islame nga sulmet e njerëzve të parisë dhe të mendjelehtëve, por ai mbeti në fenë e gjyshërve dhe nuk e arriti tërë mirësinë, që të bëhej mysliman. Abasi i tha Profetit ﷺ: “A nuk përfitoi dot xhaxhai yt prej teje?” Profeti ﷺ i tha: “Ai do të jetë në një cekëtirë prej zjarri e sikur të mos isha unë ai do të ishte në shkallën e fundit të Zjarrit.”