Nuk është transmetuar në Kuranin Fisnik apo Synetin autentik – me sa dimë ne – sqarimi për gjuhën të cilën e flasin banorët e Xhenetit përveç një hadithi nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) por, që është i dobët dhe disa fjalë (Athar) të dijetarëve.
Taberaniu në librin e tij ‘El Evsat’ si dhe Hakimi dhe Bejhekiu në Librin e tij ‘Shuabul Iman’ dhe të tjerë, kanë transmetuar nga Ibn Abasi i cili ka transmetuar nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Duani arabët për tri gjëra: Për atë se unë jam arab, Kurani është arab dhe gjuha e banorëve të xhenetit është gjuha arabe.” Këtë hadith e ka gjykuar Ibn El Xhevzi si të shpifur dhe ka thënë për të Imam Dhehebiu: “Mendoj se ky hadith është i shpifur” si dhe Shejh Albani në librin e tij “Es Silsiletud Daife” me nr: 160, ka thënë: ”I shpifur”
Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kësisoj edhe transmetimi nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka transmetuar nga i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) se ka thënë: “Duani arabët për tri gjëra: Për atë se unë jam arab, Kurani është arab dhe gjuha e banorëve të xhenetit është gjuha arabe.” El Hafidh Es Silefij ka thënë: “Ky është hadith i mirë” por, nuk e di a ka pasur për qëllim që zinxhiri i transmetimit të tij është i mirë sikurse që është metodologjia e dijetarëve të hadithit apo, se teksti i tij është i mirë siç është terminologjia e përgjithshme, ndërsa Ebul Ferexh Ibnul Xhevzij e ka përmendur këtë hadith në librin e tij “El Mevduat”, ku ka përmbledhur hadithet e shpifura, dhe ka thënë: “Thalebi ka thënë: “Nuk ka bazë”, ndërsa Ibn Hibbani ka thënë: “Jahja b. Jezid ngatërron zinxhirin apo tekstin kur transmeton nga transmetuesit e besueshëm, për këtë nuk argumentohet me hadithin e transmetuar nga ai.” Allahu e dinë më së miri.” Taberaniu ka transmetuar nga Ebu Hurejre në librine tij “El Evsat”, i cili transmeton se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Unë jam arab, Kurani është arab dhe gjuha e banorëve të xhenetit është gjuha arabe.” Shejh Albani në librin e tij “Es Silsiletud Daife” me nr: 161, ka thënë: “I shpifur.”
Pra, nuk është transmetuar ndonjë argument autentik i cili e sqaron se cila është gjuha të cilën e flasin banorët e Xhenetit. Për këtë duhet që kjo çështje të heshtet dhe të mos diskutohet dhe t’ia mbështesim dijen për këtë Allahut të lartësuar, si dhe të merremi me veprat që na bëjnë dobi në botën tjetër.
Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) është pyetur: Çfarë gjuhe flasin njerëzit ditën e ringjalljes? Allahu i lartësuar, a ju adresohet atyre në gjuhën arabe? Dhe a është i vërtetë transmetimi se gjuha e banorëve të xhehenemit është persishtja, ndërsa e banorëve të xhenetit është arabishtja?
Ai u përgjigj: “E falënderoj Allahun, Zotin e Botëve. Nuk dihet se me çfarë gjuhe flasin njerëzit atëbotë si dhe me çfarë gjuhë e dëgjojnë fjalimin e Zotit të lartësuar, ngase Allahu i lartësuar nuk na ka lajmëruar për këtë e as i Dërguari i Tij (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të).
Gjithashtu, nuk është vërtetuar se gjuha persishte është gjuha e banorëve të xhehenemit e as që arabishtja është gjuha e banorëve të xhenetit dhe për këtë çështje, me sa dimë ne, nuk ka mospajtim mes sahabëve, përkundrazi të gjithë përmbaheshin nga diskutimi, ngase diskutimi rreth kësaj çështje është diskutim steril, i padobishëm … në të vërtetë mospajtimi është shfaqur më vonë. Disa kanë thënë: Flasin mes vete në gjuhën arabe, ndërsa disa të tjerë thonë: Banorët e xhehenemit përgjigjen në gjuhën persishte, e që është gjuha e tyre në zjarr. Disa të tjerë thonë: Ata flasin në Sirjanije, ngase ajo është gjuha e Ademit dhe prej saj janë degëzuar gjuhët tjera. Disa thanë: Përveç banorëve të xhenetit të cilët flasin në gjuhën arabe.
Për të gjitha këto mendime, ata që i shprehën, nuk posedojnë argumente nga logjika apo shpallja por, në të vërtetë janë pretendime të zhveshura nga faktet. Allahu i lartësuar është më i Ditur dhe më i Urtë.
Allahu e dinë më së miri.