Sirrij ibnu Muhaled ka transmetuar se i dërguari i Zotit ﷺ i tha një ditë Ebu Dherrit: “Nëse do të niseshe për një udhëtim, a do të përgatiteshe më parë?”. Ai iu përgjigj: “Po o i dërguari i Allahut”. Profeti ﷺ i tha: “Nëse përgatitesh për udhëtimet e kësaj bote, po për udhëtimin drejt botës tjetër?!” Më pas shtoi shtoi: “A të rrëfej diçka të dobishme për atë Ditë?” Ebu Dherri iu përgjigj: “Po o i dërguari i Allahut”. Profeti ﷺ i tha: “Agjëro një ditë të nxehtë, që ta freskosh ditën e ringjalljes, fal dy rekate në errësirën e natës, që të lehtësosh errësirën e varrit, bëj Haxhin, jepi sadaka një të vobekti, thuaj një fjalë të drejtë ose hesht në raste sherri.”
Vdekja, si fenomen i pashmangshëm, në të gjitha fetë monoteiste nuk trajtohet si fundi i një endrre të shkurtër, por përkundrazi, si fillim i një etape tjetër në jetën e njeriut. Në fenë islame, jeta pas vdekjes dhe besimi në ditën e gjykimit është një prej gjashtë shtyllave të besimit, pa pranimin e së cilës, me zemër dhe me sinqeritet, askush nuk mund të quhet musliman i vërtete. Në Ditën e gjyqit të Madh, sikurse e quajmë ne Dita e Gjykimit, Allahu do t´i ndajë njerëzit sipas punëve që kanë punuar gjatë jetës së tyre, në vepërmirë dhe jovepërmirë, ne besimtarë dhe në jobesimtarë. Shpërblimi dhe ndëshkimi i njeriut në bazë të veprave dhe të mundit të treguar është premtim i Allahut në Kuranin e Madhërishëm, i përforcuar edhe nga Profeti Muhamed ﷺ në sunetin e tij. Ahireti, apo jeta e përtejme konsiston në xhenetin dhe xhehenemin, njëra për besimtaret dhe tjetra për mohuesit e fesë.
Transmetohet nga Ibnu Mesudi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Xheneti është më pranë besimtarit, se ç’janë lidhëset e këpucës së tij.” (Buhari)
Udhëtimi ynë drejt Xhenetit është i vërtetë dhe besimtari kurrë nuk duhet të dyshojë. Stacioni i fundit i këtij udhëtimi është Xheneti i amshuar.
Allahu na bëftë prej banorëve të xhenetit ! AMIN