1. Të fillojë me emër të Allahut, sipas fjalëve të Resulull-llahut alejhi selam: “Kur doni të hani, në fillim të ngrënies thoni: “Bismilahi”. E nëse harroni ta përmendni emrin e Allahut të Lartësuar në fillim të ngrënies, kur t’ju kujtohet, thoni: “Bismil-lahi, në fillim e deri në mbarim.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë se hadithi është sahih, i vërtetë)
2. Të mbarojë me falënderim të Allahut, duke thënë: “El hamdu-lil-lah”, sipas hadithit: “Kush ha ndonjë ushqim dhe thotë: “EL HAMDU-LIL-LAH (Falënderimi i qoftë Allahut) i Cili më ushqeu me këtë dhe më furnizoi me të pa lodhjen time dhe fuqinë time”, – i falen gabimet e bëra.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
3. Të hajë me tre gishtat e dorës së djathtë (nëse nuk ka lugë) e ta marrë kafshatën sa më të vogël, le ta përtypë sa më mirë e të hajë para vetes e jo nga mesi i pjatës, sipas hadithit të Pejgamberit alejhi selam: “O vogëlush, thuaj Bismilah, ha me të djathtën dhe ha ç’gjendet para teje.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithi: “Bereqeti (begatia) zbret në mes të pjatës me ushqim, prandaj hani nga skajet, e mos filloni nga mesi i saj.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
4. T’i lëpijë gishtat e tij para se t’i fshijë me shami a t’i lajë me ujë, sipas hadithit të Pejgamberit alejhi selam: “Kur të hani ushqim, të mos i fshini duart derisa t’i lëpini a të jenë të lëpira.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
5. Nëse i bie në tokë ajo që është duke ngrënë, le ta marrë dhe le ta largojë papastërtinë prej saj e pastaj le ta hajë, duke u bazuar në hadithin: “Nëse ju bie kafshata, merreni atë dhe largojeni prej saj papastërtinë e hajeni, e mos ia lini shejtanit.” (Transmeton Muslimi)
6. Të mos fryjë në ushqimin e nxehtë e të mos e hajë atë derisa të ftohet. Po ashtu, ndalohet fryrja në ujë gjatë pirjes. Të marrë frymë tri herë gjatë pirjes (jashtë enës për pirje), sipas hadithit që transmeton Enesi r.a.: “Resulull-llahu alejhi selam ka marrë frymë tri herë gjatë pirjes.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Po ashtu, transmetohet nga Ebu Saidi se Pejgamberi alejhi selam e ka ndaluar fryrjen në pije. (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është sahih) Për të njëjtën çështje na flet edhe hadithi të cilin e transmeton Ibni Abasi radijAllahu-anhuma, se Pejgamberi alejhi selam ka ndaluar të merret frymë në enë ose të fryhet në të. (Transmeton Tirmidhiu)
7. T’i shmanget ngrënies së tepërt, sipas hadithit: “Nuk mbush njeriu enë më të dëmshme se barkun e tij. Njeriut do t’i mjaftonin disa kafshata për ta mbajtur trupin e tij, por nëse nuk mund ta ndalë veten, atëherë (le ta përpjesëtojë lukthin e tij): një të tretën për ushqim, një të tretën për pije dhe një të tretën për frymëmarrje.” (Transmetojnë Ahmedi, ibni Maxhe dhe Hakimi, hadithi është hasen)
8. Të mos marrë ushqim ose pije nëse në tubim gjendet dikush më i vjetër a me nder më të madh, sepse kjo është në kundërshtim me etikën islame dhe një sjellje e tillë bën që njeriu të shfaqet si grykës, e kjo është një cilësi e keqe dhe e palavdëruar.
9. Të mos shikojë shokët e tij gjatë ngrënies dhe të mos i mbikëqyrë ata, se ndoshta turpërohen prej tij. Por duhet ta ulë shikimin rreth asaj që hahet. Po ashtu, të mos i përcjellë ata, se kjo i pengon ata.
10. Të mos bëjë gjëra prej të cilave njerëzit neveriten dhe të mos i shkundë duart në pjatën e tij, të mos e afrojë kokën mbi pijet gjatë ngrënies ose marrjes së ushqimit, sepse mund t’i pikojë nga goja ndonjë send e të bjerë në të. Njeriu nuk duhet të flasë fjalë që kanë të bëjnë me fëlliqësira dhe plehra, se ndoshta dikush prej shokëve të tij shqetësohet, e shqetësimi i muslimanit është haram (gjë e ndaluar).
11. Kur të hajë bukë me të varfrit, le të jetë sa më bujar ndaj tyre dhe le t’u japë përparësi. Kur të hajë me shokët e tij, le të jetë i buzëqeshur dhe le të bëjë mahi (shaka). E kur të hajë bukë me njerëz të gradave të larta (si dijetarët), le të jetë me sjellje dhe nder ndaj tyre.