Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërimi për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Junus, 57)
Gjithashtu, Allahu thotë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.“(Isra, 82) Po ashtu, thotë: Thuaj: “Ai është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët.” Por ata që nuk besojnë, janë të shurdhër dhe të verbër, njësoj si të thirreshin prej vendeve të largëta.“(Fusilet, 44)
Kurani i shëron zemrat nga sëmundjet e dyshimeve, mëdyshjeve dhe çrregullimeve obsesive-kompulsive, shëron trupat nga sëmundjet. Sa herë që njeriu e rikujton këtë synim, me lejen e Allahut të Lartësuar, arrin dy lloje shërimi: shërimin moral dhe fizik.
Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të!, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Ilaçi më i dobishëm është Kurani.”Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të!, tregon se i Dërguari i Allahut hyri në shtëpinë e saj, ndërsa një grua e shëronte apo i lexonte Kuran. I Dërguari i Allahut tha: “Mjekoje me Kuran.”
Zbatimi i çelësave të meditimit të Kuranit konsiderohet ndër ilaçet më të fuqishme për ndërprerjen e këtyre çrregullimeve të bezdisshme, që krijojnë depresion dhe brengë. Shumë njerëz kanë përfituar prej tyre, janë qetësuar ata dhe zemrat e tyre, si dhe kanë arritur qetësi psikike, me të gjitha kuptimet.
Shërimi me Kuran arrihet përmes dy formash: 1. Duke e lexuar në namaz, sidomos në pjesën e fundit të natës, duke pasur nijetin e shërimit; dhe 2. Përmes rukjes.
Pështyma e dalë nga leximi i Kuranit ka ndikim jashtëzakonisht të madh në fuqi, aktivitet e shëndet, ngase nuk i shtohet asnjë përzierje barishtore apo përbërje medikamentesh. Nuk besoj që ndonjë musliman e mohon ndikimin e shërimit dhe ilaçit përmes fryrjes me ajetet e Kuranit dhe kjo nuk arrihet nga çdokush, por njëherazi është e mundur për secilin që i merr shkaqet. Ne duhet të bashkëveprojmë drejtpërdrejt me Kuranin. Ai është i lehtë për çdokënd që është i sinqertë në bashkëveprimin me të. Krijimi ndërmjet nesh dhe tij ndërmjetës, duke anashkaluar bashkëveprimin e drejtpërdrejtë, pa dyshim se është privim i vërtetë. Kur ndokush goditet me ndonjë fatkeqësi ose sëmundje, udhëton dhe shëtit botën duke kërkuar lexues e shërues, ndërkohë nuk e di se çështja është më afër dhe më e lehtë se kjo.
Kur Allahu i Lartësuar na sprovon me vështirësi dhe fatkeqësi, dëshiron që ne t’i përgjërohemi, t’ia drejtojmë lutjet e t’i përulemi Atij, ashtu siç thotë: “Ne i dënuam ata njëherë, por ata nuk iu përulën Zotit të tyre e as nuk i drejtuan lutje.”(Muminun, 76) Dhe thotë: “Ne iu kemi dërguar shumë popujve profetë para teje dhe i kemi dënuar ata me skamje dhe fatkeqësi, për t’u bërë të dëgjueshëm.“(Enam, 42)
Të falurit e gjatë duke e lexuar Kuranin dhe drejtimi i lutjes Atij konsiderohet ndër format më të rëndësishme të nënshtrimit ndaj Allahut të Lartësuar, siç ndodh në namazin e eklipsit dhe në namazet e tjera. Të falurit e namazit duke e lexuar Kuranin konsiderohet ndër shkaqet më të fuqishme për shëndet e shërim.