Leximi i Kuranit është si ilaçi. Patjetër duhet të ketë sasi të caktuar, nuk duhet shtuar e as nuk duhet pakësuar derisa të japë ndikimin e tij. Kështu, antibiotikut, nëse i kalon koha, i dobësohet ndikimi, e, nëse përafrohet më tepër sesa duhet, e dëmton trupin. Kësisoj është edhe kohëzgjatja e leximit të Kuranit që e përligji i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të!
Për atë që e dëshiron më të mirën dhe më të dobishmen është shtatë ditë deri në një muaj, e për më pak se tri ditë nuk është ndaluar. Ndërkaq, ka argumente që e ndalojnë braktisjen e Kuranit për më tepër se dyzet ditë.Eus ibn Hudhejfe eth Thekafi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, thotë: “Një natë vajtëm tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, ngase ai dilte përnatë pas jacisë dhe na fliste për atë ç’i kishte ngjarë me popullin e tij. Një natë u vonua nga koha që vinte. I thashë: “O i Dërguar i Allahut, u vonove sonte.” Tha: “Nuk e pata lexuar pjesën time nga Kurani, ndaj s’desha të dal pa e plotësuar.”
Eusi thotë: “I pyeta shokët e të Dërguarit të Allahut se si e ndanin Kuranin? Ata thanë: “Në tri, pesë, shtatë, nëntë, njëmbëdhjetë, trembëdhjetë dhe pjesën el mufassal.” Është përcjellë për Othmanin, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, se e fillonte leximin e sures El Bekare natën e së premtes, kurse Kuranin e përmbyllte të enjten mbrëma. Transmetohet nga Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, të ketë thënë: “Unë e lexoj për shtatë ditë ulur në shtratin tim.” (Musanaf Ibn Ebi Shejbe, 143, 301820.)
Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, thotë: “Kurani nuk lexohet në më pak se tri ditë. Lexojeni në shtatë ditë, si dhe le të kujdeset njeriu për pjesën e tij.” Neveviu, Allahu e mëshiroftë!, sa i përket mbarimit të Kuranit për shtatë ditë, thotë: “Kësisoj kanë vepruar shumica e gjeneratave të para.”
Sujutiu, Allahu e mëshiroftë!, thotë: “Kjo është mesatarja dhe më e mira, njëherazi është veprim i shumicës së sahabëve dhe i të tjerëve. “Më e udhës do të ishte që ndarja dhe klasifikimi i Kuranit të bëhet sipas sureve, sipas mundësisë, respektivisht surja të lexohet e plotë në një natë, si dhe klasifikimi dhe ndarja të jetë në përputhshmëri me mbarimin e sureve. Ky veprim është sunet, vepër e sahabëve dhe e tabiinëve.
Të falurit e namazit duke e përmbyllur Kuranin çdo javë kërkon shkallëzim dhe ushtrim gradual. Në këtë aspekt vlen zbatimi i rregullës ” e vazhdueshmja, qoftë edhe e paktë“.
Fillimi mund të bëhet me el mufassal (pjesa e fundit e Kuranit, duke filluar me suren Kaf, 50-114),e ndan atë në shtatë pjesë: përditë nga një pjesë ose fillimi të jetë me Xhuzin Amme (pjesën e tridhjetë, përkatësisht të fundit të Kuranit):e ndan në shtatë pjesë, përnatë e lexon nga një pjesë dhe këtë e përsërit çdo javë.
Më pas shikon se si qëndron rezultati? Kur sheh ndikimin dhe dobinë, pa dyshim se kjo do ta nxisë për të shtuar. Mirëpo, (shtimi) duhet bërë gradualisht, duke shtuar sasinë, në të njëjtën mënyrë bëhet përndarja e pjesës së re në shtatë pjesë. Çdo pjesë duhet lexuar në një mbrëmje, në mënyrë që pjesa të përfundohet çdo javë derisa të ngulitet, derisa ajetet të nguliten fuqishëm në zemër, me ç’rast lehtësohet kujtimi i tyre në situata të jetës së përditshme.