Njëra prej karakteristikave më të rëndësishme të financimit islam është financimi i mbuluar me pasuri (asset-backed financing). Koncepti konvencional / kapitalist i financimit mbështetet në atë që bankat dhe institucionet financiare punojnë vetëm me para dhe me letra me vlerë. Kjo është arsyeja përse në shumicën e vendeve këto e kanë të ndaluar të tregtojnë me mallra dhe të krijojnë rezerva (inventarizuar). Islami, nga ana tjetër, nuk e njeh paranë si lëndë tregtie, përveç në disa raste specifike. Paraja në vetvete nuk ka vlerë përdorimi. Ajo është vetëm mjet këmbimi. Secila njësi monetare 100 % është e njëjtë me monedhën tjetër të të njëjtit denominim, ndaj nuk ka vend krijimi i fitimit nëpërmjet këmbimit të këtyre monedhave. Fitimi krijohet kur diçka që ka vlerë përdorimi në vetvete shitet për para ose kur valutat e ndryshme këmbehen me njëra-tjetrën. Fitimi i realizuar duke punuar me para (të të njëjtës valutë) ose me letra që i përfaqësojnë paratë, është kamatë, ndaj edhe i ndaluar. Për këtë arsye, financimi në Islam, për dallim prej atij në institucionet financiare konvencionale, gjithnjë është mbështetur në të mirat e palikuiduara (illiquid), çka krijon vlera dhe rezerva reale (real assets and inventories).
Instrumentet e vërteta dhe ideale të financimit në Sheriat janë musharakeja dhe mudarabeja. Kur financuesi kontribuon me paranë në bazë të këtyre dy instrumenteve, ai duhet të shndërrohet në të mira (assete) të cilat kanë vlerë përdorimi në vetvete. Fitimi realizohet me shitjen e këtyre të mirave reale.
Financuesi, në rastin e selemit i fiton të mirat reale dhe mund të sjellë fitim duke i shitur në treg. Në rastin e istisna’it, financimin e ndjek prodhimi i disa të mirave reale për çka financuesi merr fitimin.
Qiradhënia financiare (Lizing) dhe murabahaja, burimisht nuk kanë qenë mënyra financimi. Mirëpo, për
t’u përgjigjur disa nevojave, ato janë përpunuar në mënyrë që të mund të shfrytëzohen si mënyra financimi, nën kushte të caktuara, në ata sektorë ku musharakeja, mudarabaja, selemi dhe istisna’i nuk janë të zbatueshme për ndonjë arsye të caktuar. Instrumentet e lizingut dhe murabahasë ndonjëherë bëhen lëndë kritikash, sepse efekti përfundimtar i tyre shpesh është i njëjtë me efektin përfundimtar të huazimeve me kamatë. Kjo kritikë është e arsyeshme deri në njëfarë mase dhe kjo është arsyeja përse disa këshilla mbikëqyrëse sheriatike janë të një mendimi kur është në pyetje vlerësimi se Qiradhënia financiare dhe murabahaja nuk janë mënyra ideale financimi dhe se ato duhen përdorur vetëm në rast nevoje dhe duke i respektuar plotësisht kushtet që i ka caktuar Sheriati. Përkundër krejt
kësaj, edhe instrumentet e lizingut dhe murabahasë janë të mbuluara me të mira (kapital) dhe financimi me anë të këtyre instrumenteve duhet të dallohet qartë prej financimit që bëhet me anë të kamatës, sipas këtyre pikave:
- Në financimin konvencional financuesi ia jep paranë e vet klientit si një kredi kamatësjellëse, pas të cilit rast atij më nuk i intereson se si do ta shfrytëzojë klienti paranë. Në rastin e murabahasë, ndërkaq, financuesi nuk i jep kurrfarë parash klientit. Në vend të kësaj, financuesi vetë e blen mallin që e kërkon klienti. Pra, murabahaja në asnjë mënyrë nuk mund të lidhet përderisa financuesi nuk krijon rezervën (inventar). Në këtë mënyrë, financimi gjithnjë është i mbuluar me të mira reale.
- Në sistemin financiar konvencional huat mund të jepen për çfarëdo qëllimi fitimprurës. Kumarhanja mund të huazojë para prej banke për ta zhvilluar biznesin e saj të bixhozit. Revista pornografike ose firma që prodhon filma pornografikë njësoj janë klientë të mirë si edhe dikush që ndërton shtëpi. Pra, financimi konvencional nuk është nën kontrollin e asnjë kufizimi hyjnor ose fetar. Ndërkaq, bankat dhe institucionet financiare islame nuk mund të rrinë indiferente ndaj
natyrës së aktivitetit për të cilin i miratojnë financat. Ato, me anë të murabahasë, nuk mund të financojnë asnjë aktivitet ekonomik i cili vetvetiu është i ndaluar sipas Sheriatit ose është i dëmshëm për shëndetin moral të shoqërisë. - Njëri prej kushteve bazë për vlefshmërinë e murabahasë është që mallin ta blejë financuesi, çka nënkupton se ai e merr përsipër rrezikun e mallit para se t’ia shesë klientit. Fitimin që e merr financuesi është shpërblim për rrezikun që e ka marrë përsipër. Një rrezik i këtillë nuk ekziston në huazimet me kamatë.
- Te huat me kamatë, shuma që duhet paguar gjithnjë rritet me kalimin e kohës. Nga ana tjetër, në rastin e murabahasë, çmimi i shitblerjes për të cilin një herë janë pajtuar palët bëhet dhe mbetet fiks, i pandryshueshëm. Kjo shkakton që shitësi (banka) nuk mund të kërkojë çmim më të lart për shkak të vonimit të pagimit të huas nga ana e blerësit (klientit). Kjo është nga arsyeja se Sheriati nuk e njeh konceptin e vlerës kohore të parasë.
- Në lizing, gjithashtu, financimi bëhet përmes furnizimit me ndonjë të mirë e cila ka mundësi përdorimi pa u konsumuar (përdorur). Rrezikun e mallit të marrë me qira e bart qiradhënësi / financuesi përgjatë gjithë kohës së qirasë në kuptimin që nëse e mira e marrë me qira zhduket tërësisht, por jo për shkak të shpërdorimit ose moskujdesit nga ana e qiramarrësit, dëmin e gjithëmbarshëm do ta marrë mbi vete financuesi / qiradhënësi.
Nga diskutimi i mësipërm shihet qartë se çdo financim në sistemin ekonomik islam krijon të mira reale. Kjo është kështu madje edhe te murabahaja dhe lizingu, përkundër faktit se ato nuk llogariten si mënyra ideale financimi dhe se shpesh janë kritikuar për shkak të përngjashmërisë që ka me financimin kamatar sipas efektit përfundimtar të tyre. Nga ana tjetër, dihet se financimi me kamatë nuk duhet patjetër të krijojë të mira reale, ndaj edhe oferta e parave nëpërmjet huave të cilat i japin shtëpitë financiare zakonisht nuk u përgjigjen të mirave ose shërbimeve reale të prodhuara në shoqëri, sepse huat krijojnë para artificiale nëpërmjet të cilave shtohet, e ndonjëherë edhe shumëfishohet, oferta e parave, pa krijuar të mira reale në të njëjtën sasi. Ky hendek midis ofertës së parave dhe prodhimit të të mirave
reale krijon ose e ushqen inflacionin. Duke marrë parasysh se financimi në sistemin islam është i mbuluar me të mira, përballë tij gjithnjë qëndrojnë mallrat dhe shërbimet gjegjëse.