Nëse njëri ortak dëshiron ta prishë musharakenë, kurse tjetri ose të tjerët dëshirojnë ta vazhdojnë biznesin, kjo mund të arrihet me marrëveshje të ndërsjellë.
Ortakët që duan ta vazhdojnë biznesin mund t’i blejnë aksionet e ortakut që dëshiron ta lëshojë musharakenë, sepse prishja e musharakesë me një ortak nuk nënkupton edhe prishjen e saj ndërmjet ortakëve të tjerë.
Mirëpo, në këtë rast, çmimi i aksioneve të ortakut që largohet duhet të caktohet në bazë të marrëveshjes dhe miratimit reciprok dhe nëse lind ndonjë mosmarrëveshje lidhur me vlerësimin e aksioneve dhe ortakët nuk mund të arrijnë të merren vesh në ndonjë çmim, ortaku që largohet mund t’i detyrojë ortakët e tjerë ose ta likuidojnë kapitalin e ndërmarrjes ose ta ndajnë ashtu siç është.
Parashtrohet pyetja nëse ortakët, qysh kur e lidhin kontratën e musharakesë, mund ose jo të merren vesh për një kusht sipas të cilit likuidimi ose ndarja e biznesit nuk do të ketë ndikim në qoftë se të gjithë ortakët ose shumica e tyre nuk pajtohen me këtë dhe se nëse një ortak i vetëm që dëshiron të dalë nga ortakëria do të duhet që aksionet e tij t’ua shesë ortakëve të tjerë dhe se nuk do të guxojë t’i detyrojë ata në likuidim ose ndarje.
Shumica e veprave tradicionale të së drejtës islame duket se nuk kanë përgjigje për këtë çështje. Mirëpo, duket se nga këndvështrimi i Sheriatit nuk ka ndonjë pengesë që ortakët qysh në fillim të musharakesë të pajtohen me një kusht të këtillë. Këtë qartë e lejojnë disa juristë të shkollës hanbelite.
Ky kusht mund të arsyetohet, sidomos në situatat moderne, në bazë të faktit se natyra e biznesit, në shumicën e rasteve, sot, kërkon vazhdueshmërinë për të pasur sukses, kurse likuidimi ose ndarja për shkak të një ortaku mund të shkaktojë dëm të pandreqshëm për ortakët e tjerë.
Në qoftë se një biznes i caktuar është nisur me një shumë të madhe parash që janë investuar në një projekt afatgjatë dhe nëse njëri prej ortakëve kërkon likuidimin qysh në hapin e parë të projektit, do të ishte fatale për interesat e ortakëve të tjerë si dhe për zhvillimin ekonomik të shoqërisë, që atij t’i jepet një fuqi e këtillë arbitrare për likuidim ose ndarje. Prandaj, një kusht i këtillë mund të
arsyetohet dhe mund të mbështetet nga parimi i përgjithshëm i vënë nga Pejgamberi a.s., në hadithin e tij të shumënjohur:
“Të gjitha kushtet për të cilat janë marrë vesh muslimanët duhen respektuar, përveç kushteve që të lejuarën (hallallin) e bëjnë të ndaluar (haram) dhe të ndaluarën e bëjnë të lejuar”.
Me këtë e kemi përmbyllur diskutimin lidhur me konceptin kryesor të shirketu’l-emvalit ose të musharakesë në kuptimin e saj burimor dhe tradicional.
Tani kemi mundësinë t’i diskutojmë disa çështje bazë lidhur me zbatimin e saj në rrethanat moderne si një mënyrë e lejuar e financimit. Mirëpo na duket shumë e rrugës që këto çështje t’i diskutojmë pasi të kemi dhënë disa njohuri hyrëse për mudarabenë, që është një lloj tjetër i ndarjes së fitimeve dhe një mënyrë tipike e financimit. Duke marrë parasysh se rregullat e financimit si te musharakeja ashtu edhe te mudarabeja janë të ngjashme dhe se çështjet lidhur me zbatimin e tyre janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, do të ishte më praktike të diskutonim për konceptin e mudarabesë para se të lëshoheshim në këto çështje.