Kapitali dhe sipërmarrësi

Sipas teorisë kapitaliste, kapitali dhe sipërmarrësi janë dy faktorë të ndarë të prodhimit. I pari merr kamatën, kurse i dyti ka të drejtë në fitim. Kamata është një e ardhur fikse si kundërshpërblim për sigurimin e kapitalit, ndërsa fitimi mund të arrihet vetëm kur ka tepricë pas ndarjes së kthimit fiks ndaj vendit, fuqisë së punës dhe kapitalit (në formë rente, rroge dhe kamate).

Islami, nga ana tjetër, nuk i njeh kapitalin dhe sipërmarrësin si dy faktorë të ndarë të prodhimit. Secili person që investon kapital (në formë paraje) në ndonjë ndërmarrje komerciale, merr mbi vete rrezikun e humbjes, ndaj në bazë të kësaj ai ka të drejtë në hisen (pjesën) proporcionale të fitimit real. Në këtë mënyrë, “kapitali” ka një element thelbësor të “ndërmarrjes” kur është në pyetje rreziku i punës. Për këtë arsye, kapitali, në vend të të ardhurave fikse në formë të kamatës, sjell fitim. Sa më i madh të jetë fitimi nga puna, aq më të mëdha do të jenë të ardhurat nga kapitali. Në këtë mënyrë, fitimin që e realizojnë aktivitetet komerciale në shoqëri, u shpërndahet në mënyrë të drejtë të gjithë personave që kanë investuar kapital në ndërmarrje, sado i vogël që të jetë ai. Duke marrë parasysh se në kontekst të praktikës moderne bankat dhe institucionet financiare janë ato që, nga depozitat e deponuara tek ato, e sigurojnë kapitalin për aktivitetet komerciale, rrjedha e fitimit real që e realizon shoqëria mund t’u orientohet depozituesve në proporcion të drejtë, çka pasurinë mund ta shpërndajë në një rreth më të gjerë dhe mund ta pengojë përqendrimin e pasurisë në duart e vetëm disave.