Ai që hyn në Islam është sikurse një i porsalindur dhe siç dihet gjendja e të porsalindurit ka nevojë për përkujdesje dhe vëmendje të shtuar. Islami është fe e fuqishme dhe askush nuk hyn në të vetëm se me butësi. Për këtë, nuk duhet që njeriu të ngarkohet me obligime që nuk ka mundësi t’i praktikoj apo qysh në fillim të orientohet drejt gjërave më të vështira.
Buhariu në “Sahihun” e tij shënon hadithin e Talha b. Ubejdil-lahit (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë: Një njeri flokëshprishur, prej banorëve të Nexhdit, erdhi te i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). Ne e dëgjonim zhurmën e zërit të tij por, nuk kuptonim se ç’po fliste! Gjersa iu afrua të Dërguarit të Allahut, atëherë kuptuam se po pyeste për kushtet e Islamit. I Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) iu përgjigj:
- “Pesë namaze gjatë ditës dhe natës.”
- Ai i tha: A e kam obligim të fal ndonjë namaz tjetër?
- Pejgamberi i tha: “Jo, përveç nëse donë të falësh namaz vullnetar.”
- I Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) shtoi: “Edhe agjërimi i Ramazanit.”
- Ai i tha: A kam obligim të agjëroj ditë të tjera?
- Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i tha: “Jo, përveç nëse donë të agjërosh vullnetarisht.”
- Pastaj, Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ia përmendi atij zekatin.
- E ai i tha: Përveç kësaj që përmende, a kam për obligim të jap diçka tjetër zekat?
- Ai iu përgjigj: Jo, përveç nëse donë të japësh nga pasuria jote vullnetarisht.
Talha tha: Njeriu u largua duke thënë: Pasha Allahun, nuk do të shtoj më tepër se kaq e as nuk do të pakësoj! Atëherë, i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) tha: “Nëse është i sinqertë në fjalët e tij do të jetë i shpëtuar.”
Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i përgjigjej muslimanit të ri sikur që e diktonte rasti, dhe duke filluar nga ajo që është më e rëndësishme pastaj me atë që është më pak e rëndësishme. Këtë e vepronte pasi që është e pamundur të shpjegohet sheriati përnjëherë, e sidomos për atë që është i ri në Islam, andaj kjo është metodologjia që duhet ta ndjek thirrësi ndaj muslimanit të ri.
E prej dëshmive të përkujdesjes së Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) që t’i përmbahet gradualitetit në thirrjen e muslimanit të ri është edhe hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) ku thotë: “Një beduin erdhi te Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe i tha: Më trego ndonjë vepër, që nëse e kryej do të hyj në Xhenet? Ai i tha: “Adhuroje Allahun dhe mos e adhuro dikë tjetër me Të, fali namazet e obliguara (farzet), jepe zekatin e obliguar dhe agjëroje Ramazanin.” Ai i tha: Pasha Atë që në dorën e Tij ka shpirtin tim, unë nuk do të shtoj më tepër se kjo! E kur u largua, Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) tha: “Ai që dëshiron ta sheh një njeri prej banorëve të Xhenetit, le ta shikoj këtë njeri.”
Dijetarët kanë thënë: “Ky hadith dhe të ngjashëm me të iu janë thënë beduinëve që vetëm sa e kanë pranuar Islamin. Në rastin e tyre Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i mjaftonte që ata të kryenin vetëm obligimet, ashtu që të mos ju vinte rëndë e pastaj të mërziteshin. Kjo në mënyrë që kur të gjenin kurajë në veten e tyre për të kuptuar më shumë prej tij dhe kur të shprehin interesimin për të arritur shpërblimin e adhurimeve vullnetare, do t’ju dukej diçka e lehtë.”
Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Obligimet Islame me të cilat ngarkoheshin njerëzit zbritnin gradualisht. Kurdo që i lehtësohet atij që sapo ka filluar adhurimin apo atij që dëshiron ta filloj atë, atëherë adhurimi do t’i duket i lehtë dhe zakonisht si rezultat i kësaj ai do ta shtoj adhurimin e tij. Në të kundërtën, sa më shumë që t’i vështirësohet është më afër që ai mos të hyj në Islam, po edhe nëse hynë më afër është se nuk do të vazhdoj apo nuk do të ndjej kënaqësi në të.”
Gradualiteti në mësimin e gjërave ishte metodologjia që e ndoqën Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta). Në librin e Imam Ahmedit “El Musned” shënon se: “Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) i mësonin nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhjetë ajete dhe nuk fillonin t’i mësonin dhjetë të tjerat përderisa nuk përfitonin njohuritë dhe dispozitat që përmbanin dhjetë të parat. Ata thoshin: “Kësisoj mësuam dijen dhe të vepruarit me të.”
Ngarkimi i muslimanit të ri me atë që nuk ka mundësi ta bëjë dhe mosmarrja parasysh e gradualitetit në thirrjen e tij mund të bëhet shkak në largimin e tij nga Islami, apo në dobësimin e të kapurit e tij për të dhe kësisoj e bën të heqë dorë nga pranimi i obligimeve Islame.
Gjithashtu, muslimanin e ri nuk duhet ta ngarkojmë tepër gjatë mësimit, nëse ai has në vështirësi. Prej rregullave të njohura te dijetarët është se nëse muslimani i ri nuk ka mundësi ta mësoj Kuranin për shkak të paaftësisë, ai ka mundësi që gjatë namazit në vend të leximit të Kuranit ta përmend Allahun (të bëjë dhikër).
Hattabiu ka thënë: “Nëse është person i cili nuk ka aftësi që të mësoj diç prej Kuranit për shkak të ndonjë dobësie në natyrshmërinë e tij, mbamendjes së dobët, për shkak të beblbëzimit gjatë të folurit, apo edhe për ndonjë të metë që i shfaqet ndërkohë atij, atëherë pas Kuranit dhikri më meritor për t’u thënë është ai që na e ka mësuar Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) si: Tesbihi (thënia: SubhanAllah), Tahmidi (thënia: Elhamdulil-lah), Tehlili (thënia: La ilahe il-lAllah) dhe Tekbiri (thënia: Allahu Ekber).”
Ai që merr përgjegjësinë t’ua mësoj Islamin muslimanëve të rinj e ka obligim t’i kushtoj rëndësi të veçantë gradualitetit dhe të njihet me udhëzimin e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) në këtë çështje, në mënyrë që daveti i tij në mesin e tyre të jep frytet e dëshiruara në vazhdimësi – me lejen e Allahut.