Kjo vepër nuk ka qenë traditë e gjeneratave të para të muslimanëve të mençur, ngase secili mund t’i dërgoj selam Pejgamberit ﷺ në cilindo vend qoftë. Allahu ka garantuar dërgimin e selamit përmes melekëve që ua ka përcaktuar këtë detyrë, sipas kësaj: ai që i dërgon selam Pejgamberit ﷺ në çdo vend, selami i tij do të arrij padyshim. E si mund të krahasohet kjo me rastin kur porositet një vizitor i Medinës Pejgamberike që t’i dërgoj selam Pejgamberit ﷺ, e i cili nuk dihet se a arrin apo jo dhe a i kujtohet apo harron?
Abdullah b. Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ka melekë që shëtisin nëpër tokë dhe më përcjellin përshëndetjen e umetit tim.”
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos i shndërroni shtëpitë e juaja në varreza dhe mos e bëni varrin tim vend kremtimesh (që vizitohet në kohë të caktuara sikurse gjatë festave) dhe bini salavat (lutuni) për mua, ngase salavatet e juaja më arrijnë kudo që jeni.”
Sipas dijetarëve të Komisionit të Përhershëm për Fetva: “Porositja e dikujt tjetër për t’i dhënë selam Pejgamberit ﷺ apo dikujt tjetër prej të vdekurve: nuk është e ligjësuar bile është bidat, e Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo bidat është humbje dhe çdo humbje është në zjarr.” (E transmeton Nesaiu me nr: 1282 dhe Shejh Albani e konsideron të saktë në librin e tij: “Sahihut Tergib”me nr: 1664. E transmeton Ebu Davudi me nr: 2042 dhe Shejh Albani e konsideron të saktë në librin e tij: “Sahihul Xhami” me nr: 7226. )
Heqja dorë nga kjo vepër është obligim dhe ai që e vepron këtë duhet të paralajmërohet. Gjithashtu Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dita juaj më e mirë është dita e Xhuma, andaj shpeshtoni selamin ndaj meje, ngase salavatet e juaja më arrijnë kudo që të jeni.” dhe ka thënë ﷺ: “Mos e bëni varrin tim vend kremtimesh (që vizitohet në kohë të caktuara sikurse gjatë festave) dhe mos i shndërroni shtëpitë e juaja në varreza si dhe bini salavat (lutuni) për mua, ngase salavatet e juaja më arrijnë kudo që jeni.” Hadithet me këtë kuptim janë të shumta. Allahu ia ka lehtësuar këtij umeti që të luten dhe ta përshëndesin Pejgamberin ﷺ dhe ta shpeshtojnë atë në cilëndo pjesë të tokës qofshin. Është transmetuar se Allahu ka autorizuar te varri i tij ﷺ melekë që t’ia kumtojnë lutjet dhe përshëndetjet e umetit të tij për të ﷺ. E Allahu e dinë më së miri. ( E transmeton Muslimi me nr: 975. 5 E transmeton Muslimi me nr: 974.)
Shejh Muhamed b. Salih El Uthejmin(Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Megjithëkëtë themi: Ti nëse e përshëndet nga këndi më i largët i botës, atëherë selami yt do t’i arrijë, ngase Allahu ka obliguar disa melekë që shëtisin në tokë dhe kur ndokush e përshëndet Pejgamberin ﷺ ia kumtojnë selamin Pejgamberit ﷺ, kështu që nëse themi: “Allahume sal-li ue sel-lim ala resulil-lah” bartet selami ynë deri te ai, edhe kur themi në namaz: “Es selamu alejke ejjuhen nebijju ve rahmetullahi ve berekatuhu” i kumtohet selami atij …
I kam dëgjuar disa njerëz në Medinë thoshin: Babai im më ka porositur që t’i jap selam Pejgamberit dhe ka thënë: Mi dërgo selam Pejgamberit, e kjo është gabim. Pejgamberi ﷺ nuk është i gjallë ashtu që t’i bartet selami i të gjallit atij. Pastaj nëse babai yt i dërgon selam Pejgamberit ﷺ atij do t’ia bart selamin ai që ka më shumë mundësi për t’ia kumtuar këtë dhe është më besnik, e ata janë melekët. Andaj: nuk ka nevojë për këtë dhe të themi: ti në vendin tënd, në çdo vend të tokës, kur thua: “Es selamu alejke Ejjuhen nebijju” atij do t’i kumtohet në mënyrën më të shpejtë, më të besueshme dhe më të mirë se sa që u përmend.”(Mexhmu Fetava Shejh Ibn El Uthejmin: 23/ 416-417.)
E Allahu e dinë më së miri!