Dëshpërimi, në gjuhën arabe emërtohet me emrin “El Huzn”, njihet si ashpërsi dhe vështirësi në diçka, qoftë e prekshme apo e paprekshme. Kështu emërtohet edhe ashpërsia në shpirt prej brengës që ndodh. Dëshpërimi është edhe e kundërta e gëzimit dhe e haresë.
Ndërsa në terminologji ai është shkëputje nga gëzimi dhe prania e dhembjes prej keqardhjes nga diçka e humbur ose dhembje për diçka të privuar. Japim edhe shprehjen tjetër: “Brenga, që prek zemrën kur bie ndonjë e keqe ose për mosrealizimin e diçkaje të dëshiruar. Kjo është e kundërta e gëzimit.”
Duke parë përkufizimin e dëshpërimit,si nga ana gjuhësore, ashtu edhe nga ana terminologjike, duket qartë se mes kuptimit gjuhësor dhe atij terminologjik ka përputhshmëri të madhe, nga e cila nxjerrim se:
– Dëshpërimi është keqardhje për atë që ka ikur, dhembje që prek zemrën nga humbja e diçkaje të dobishme apo ndodhia e ndonjë të keqeje;
– Të dy përkufizimet janë të përgjithshme, pra, tek të dy nuk vërehet një përcaktim i përpiktë për shkakun e dëshpërimit, a është, shkak i lejueshëm apo i palejueshëm. Në përkufizim, nga njëra anë kemi përgjithësim dhe nga ana tjetër përshkrim të gjendjes së zemrës, tek e cila bie ky dëshpërim.
Nëse dëshpërimi e bllokon atë dhe e ndërpret nga veprat e mira, është diçka e palejuar e nëse nuk e shmang nga ajo, përkundrazi, e nxit, duke e çuar më afër urdhrave të Allahut (xh.sh), është i lëvduar. Ngërçi në këtë çështje është: Pse u dëshpërua zemra? Gjithsesi, përkulizimi tregon gjendjen e zemrës, kur i bie diçka që e lëndon.