1. Muslimani duhet t’i përgjigjet ftesës e të mos vonohet, përveç nëse ka ndonjë pengesë, siç është frika se mos bën ndonjë dëm në fe a në trupin e vet, sipas hadithit: “Kush është i thirrur, le të përgjigjet.” (Transmeton Musli-mi) Dhe hadithi: “Sikur të isha i thirrur në thundra të deles, do të isha përgjigjur, e sikur të më jepej shpatulla, do të kisha pranuar.” (Transmeton Buhariu)
2. T’i përgjigjet ftesës, qoftë ajo nga i pasuri a i varfri, sepse, nëse nuk i përgjigjet ftesës së fukarasë, e prek atë shpirtërisht e kjo është edhe shenjë e mendjemadhësisë, kurse mendjemadhësia është e urryer. Sa i përket përgjigjes së ftesës së fukarave, transmetohet nga Hasan bin Ali radiallahu-anhuma, se duke kaluar pranë disa fukarave që kishin shtruar një copë buke në tokë dhe hanin, i thanë: “O bir i bijës së Pejgamberit, eja të hamë së bashku” – e ai tha: “Po, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë.” Zbriti prej mushkës dhe i shoqëroi ata në ngrënie.
3. Të mos bëjë dallim në pranimin e ftesës së atij që është afër dhe atij që është larg. E nëse është i thirrur në dy vende, le t’i përgjigjet të parit e prej të dytit le të kërkojë falje.
4. Të mos i shmanget përgjigjes për shkak të agjërimit nafile, por le të shkojë. E nëse shoku i tij gëzohet që ai të hajë, le ta prishë agjërimin, sepse gëzimi i zemrave të besimtarëve është devotshmëri, e nëse nuk ha, le të bëjë dua për ta, sipas hadithit: “Nëse thirreni diku, përgjigjuni; nëse jeni me agjërim, bëni dua; e nëse nuk agjëroni, hani. (Transmeton Muslimi)
5. Me përgjigjen e tij të ketë për qëllim nderimin e vëllait musliman, që të shpërblehet për atë vizitë.