Rregullat të cilave duhet t’u përmbahet muslimani para ngrënies

1. Të mundohet që ushqimin dhe pijen e tij t’i fitojë me nder, e jo me tradhti a mashtrime, siç thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ju kemi dhënë.” (El-Bekare, 172)
2. Të vendosë të hajë dhe të pijë që të forcohet e të mund të punojë, ashtu që të shpërblehet me atë që ka ngrënë dhe ka pirë.
3. T’i lajë duart para se të ulet të hajë, nëse i ka të papastra ose nuk është i sigurtë në pastërtinë e tyre.
4. Të vërë ushqimin e tij në sofër mbi tokë, jo mbi tavolinë, sepse kjo është më afër devotshmërisë, siç thotë Enesi r.a.: “Nuk ka ngrënë i Dërguari i Allahut alejhi selam mbi huvan (tavolinë) e as në sekërgje (pjatë zbukuruese në të cilën vendoset ushqimi).” (Transmeton Buhariu)
5. Të ulet duke u gjunjëzuar (nëse ha në tokë), në shpinën e këmbëve, ose të mbështetet në këmbën e djathtë e të ulet në të majtën, ashtu siç e kishte zakon Resulull-llahu alejhi selam, duke vepruar sipas fjalëve të tij: “Unë nuk ha duke qenë i mbështetur, sepse unë jam një njeri, ha dhe ulem si njeri.” (Transmeton Buhariu)
6. Të jetë i kënaqur me atë që është përgatitur prej ushqimit dhe të mos u bëjë naze gjellëve e ushqimeve; nëse i pëlqen, le të hajë, e nëse nuk i pëlqen, le ta lërë, ashtu siç thuhet në hadithin e Ebu Hurejres: “Nuk i ka bërë naze hajes Resulull-llahu alejhi selam asnjëherë. Nëse i ka pëlqyer, ka ngrënë prej saj, e nëse jo, e ka lënë.” (Transmeton Buhariu)
7. Të hajë së bashku me ndonjë tjetër, qoftë ai mysafir, farefis, fëmijë ose shërbëtor, sipas hadithit: “Tubohuni rreth sofrës suaj që të bëhet bereqet për ju.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë se hadithi është sahih)