Dua të di se cilët janë kufijtë e nderhyrjes së prindërve në jetën dhe vendimet e mia?

Personalisht nëna ime është personi i fundit që mund tëjetë si shoqe për mua, por përkujdesi i saj i tepërt, e ka shndërruar atë në armike për mua.

Prindërit janë shkaku i ekzistencës sonë në këtë jetë, ata janë njerëzit më të preokupuar për interesat tona. Ndërhyrja prindërore ndaj fëmijës është e plotë në fillim të jetës së tij. Nëna është përgjegjëse për ushqimin, pastërtinë, veshmbathjen, gjumin dhe për përkujdesin e fëmijës në çdo situatë. Kurse babai është përgjegjës për anën financiare, me anë të së cilës sigurohet ushqimi, veshmbathja, vendbanimi, gjithashtu arsimimi dhe argëtimi i fëmijës. Fëmija fillon të mbështetet në vetvete gradualisht, pasi që nëna e ka mësuar atë se si të kujdeset për veten e tij. Pak nga pak, njeriu vazhdon të fitojë pavarësi materiale dhe shoqërore nga prindërit e tij, me qëllim që të jetë i aftë të ndërmarrë përgjegjësi. Disa prindër besojnë se është në të drejtën e tyre t’i trajtojnë fëmijët sikur të ishin të vegjël. Ky kujdes i tejkaluar, ngjall dhe nxit zemërimin e fëmijës.

Një herë një burrë shkoi tek Profeti (a.s.) e iu ankua për babain e vet, duke i thënë: ”Unë kam pasuri dhe fëmijë, por babai do të më zaptojë pasurinë.” Profeti (a.s.) i tha: ”Ti i dhe pasuria jote janë për babain tënd. ” Hadithi, ka për qëllim të tregojë se mirësitë që kemi, janë falë sakrificës dhe përkushtimit të të dy prindërve, të cilët nuk duhet të trajtohen me mospërfillje.

Në të vërtetë, trajtimi i prindërveme mirësi, nuk e privon fëmijën nga e drejta për të qenë i pavarur në mendime dhe në vendimet e tij, nëse ai arrin moshën e pjekurisë. Dr. Selman El-Aude në librin “Vajzat e mia”, thotë: “Me zgjimin e ndjenjave femërore tek vajza, ajo fillon të konkurrojë nënën me qëllim që të afirmohet si individ, si dhe vendos kufijtë e saj si një shtet i
ri, nëse mund të shprehemi kështu.

Alternativa më e mirë është ndërtimi i urave të miqësisë midis nënës dhe vajzës së saj. Kjo gjë nuk mund të arrihet ndryshe, po vetëm duke i trajtuar problemet me qetësi, urtësi dhe butësi.

Prej urtësisë është që prindërit duhet të ofrojnë orientime, sugjerime, këshilla dhe jo imponim të mendimit. Nëse ndodh që prindërit ndërhyjnë duke i imponuar opinionin e tyre, atëherë, fëmija me gjithë respektin, dashurinë dhe edukatën që ka për ta, duhet të qartësojë pozicionin dhe dëshirën e tij për të qenë i pavarur e i lirë brenda normave, me qëllim që të ketë mundësi të marrë vendime për çështje që duhet patjetër vendimi i tij, si p.sh.: përzgjedhja e bashkëshortes ose përzgjedhja e një dege fakulteti, e shumë çështje të tjera që janë të rëndësishme dhe përcaktuese për të ardhmen e tij. Kjo nuk do të thotë se fëmija e refuzon mendimin e prindërve të tij, por mundet që ai të konsultohet ose të mbështetet në mendimin e tyre, gjithmonë duke ruajtur frymën e lirë në vendimmarrje.