Femrat që nuk lejohen të martohesh me to

Ato janë dy llojesh:
1. Ato që nuk lejohen përgjithmonë.
2. Ato që nuk lejohen për një kohë të caktuar.
Ato që nuk lejohen përgjithmonë janë dy llojesh:
Femrat që nuk lejohet martesa me to për shkak të lidhjes së gjakut dhe ato janë shtatë:
1. Nëna dhe paraardhëset e saj (gjyshja e nënës, e babait etj).
2. Vajza dhe pasardhëset e saj (vajza e saj, etj.)
3. Motra në përgjithësi.
4. Vajzat e motrave.
5. Vajzat e vëllezërve.
6. Hallat e tij apo të paraardhësve të tij (halla e babait, e nënës
etj).
7. Tezet e tij apo të paraardhësve të tij (tezja e babait, e nënës
etj).
Femrat nga gjiri dhe ato janë shtatë, si ato të gjakut.
Përveç këtyre janë dhe katër nga miqësia dhe ato janë:
1. Nëna e gruas dhe paraardhëset e saj (gjyshja e gruas etj).
2. Vajza e gruas (me një burrë tjetër që e ka ndarë) dhe pasardhëset e saj, nëse ka kryer marrëdhënie intime me nënën e saj.
3. Gruaja e babait dhe paraardhëset e saj. (gruaja e gjyshit, etj)
4. Gruaja e djalit dhe pasardhëset e saj (gruaja e nipit, etj).
– Të gjitha këto nga gjaku apo nga gjiri.
Baza për këtë është fjala e Allahut: “Nuk iu lejohet ju (martesa) me nënat tuaja, ….” (En Nisa: 23)
Po kështu dhe thënia e Profetit (alejhi salatu ue selam): “Është haram (martesa kur ka lidhje) nga gjiri, siç është haram nga prejardhja apo lindja”. (Buhariu dhe Muslimi)
Femrat që nuk lejohet martesa me to, për një afat të caktuar janë:
Ato që i ka përmendur Profeti (alejhi salatu ue selam) në thënien e tij: “Nuk bashkohet një femër me hallën e saj apo një tjetër me tezen e saj (nuk martohen me një burrë)”. (Buhariu dhe Muslimi)
Po kështu thënia e Allahut : “… dhe (iu ndalohet) të bashkoni mes dy motrave …” (En Nisa: 23)
Njeriut të lirë nuk i lejohet që të martohet me më tepër se katër gra, dhe robit nuk i lejohet të martohet me më tepër se dy gra. Nëse mohuesi (kafiri) bëhet musliman dhe ka dy bashkëshorte motra, zgjedh njërën prej tyre. Ose ka më tepër se katër gra, zgjedh katër prej tyre dhe i ndan të tjerat.
Nuk lejohet martesa me atë femër që është me ihram, derisa të mbarojë koha e tij, as me atë femër që ka qenë e martuar me dikë tjetër, e cila është në “iddeh” deri sa të mbarojë koha e saj.
Nuk lejohet martesa me imorale vetëm se me imoral, derisa të pendohet.
Gjithashtu nuk i lejohet të martohet me atë grua që e ka ndarë tre herë, derisa të martohet me një burrë tjetër, i cili ka kryer marrëdhënie, e ka ndarë dhe i ka mbaruar nga iddeh.
Lejohet të bashkosh dy motra robëresha, por nëse kryen marrëdhënie intime me njërën nuk duhet të kryesh me tjetrën, derisa të mos jetë robëreshë e tij apo të martohet pasi të sigurohet se s’është shtatzënë.
E bën haram dhënia gji, kur fëmijës nuk i ka kaluar koha e dhënies së gjirit.
Numri dhënies së gjirit është pesë herë e më shumë. Me këtë ai bëhet fëmija i saj dhe fëmijët e tij, bëhen fëmijë të asaj që i dha gji dhe të burrit të saj.
Moslejimi i martesës kalon nga ana e asaj që i ka dhënë gji dhe burrit të saj, ashtu siç nuk lejohet kur ka lidhje gjaku.