Le t´i mësojmë fëmijët tanë t´i thërrasin të tjerët në Islam

Në vendet islame sot jetojnë mijëra jomyslimanë të cilët iu përkasin feve të ndryshme. Ata jetojnë së bashku me muslimanët, qofshin të rinj apo të rritur, meshkuj apo femra si dhe shohin dhe dëgjojnë prej tyre shumë gjëra për shkak të kontakteve me ta në jetën e përditshme. Për këtë, kërkesat dhe nevojat e thirrjes islame daves janë të shumta, e ndër më të rëndësishmet është formimi i një rrethi të pathyeshëm që do t’u jepte imunitet pjesëtarëve të shoqërisë islame.

Fortifikimi i shoqërisë islame ndaj kulturave dhe drejtimeve të cilat e largojnë nga feja e tij, qofshin brenda shoqërisë apo jashtë saj është një çështje që nuk e kundërshton askush. Sidomos në këtë kohë kur njëra pjesë e botës është lidhur me tjetrën dhe mjetet e metodat e bartjes së njohurive dhe shkencave janë të llojllojshme.

Islami e ka urdhëruar çdo musliman që ta ruajë veten e tij dhe ata që i ka nën përkujdesje nga çdo gjë që i largon nga e vërteta. Në udhëzimin e Islamit dhe mësimet e tij ka argumente të panumërt rreth ruajtjes së fëmijëve para se të lindin dhe pas lindjes së tyre si dhe para moshës së pjekurisë dhe pas saj. Për këtë, ruajtja e fëmijëve është obligim për të dy prindërit në çdo kohë, ngase ata janë përgjegjës për ta. Në hadith shënon: “Burri është kujdestar në shtëpinë e tij dhe përgjegjës për ata që i ka nën kujdesin e tij dhe gruaja është kujdestare në shtëpinë e burrit të saj dhe përgjegjëse për

ata që janë nën kujdesin e saj.”
Feja Islame ka thirrur që të edukohen fëmijët në veprimin e të mirave që nga vegjëlia. E para së gjithave, të edukohen për ta falur namazin para moshës dhjetë vjeçare. Falja namazit në shoqërinë islame lë te këta fëmijë, padyshim, hapësirë të gjerë për t’u përzier me të rriturit dhe për të përfituar prej tyre dhe është shkak që ndikon në pjekurinë e tyre, moralin e tyre të mirë dhe përbën një lloj edukimi për ta. Kjo na bën të kuptojmë se bijtë e muslimanëve nuk kanë jetuar në margjina të shoqërisë por, prania e tyre ka qenë e rëndësishme dhe faktet që flasin për këtë nga sireja (jetëpërshkrimi pejgamberik) apo historia islame janë të panumërta.
Të rinjtë e sotshëm janë pararojë e së ardhmes. Sa shumë tregime dëgjojmë në të kaluarën apo të tashmen për kontributin e të rinjve në ndërtimin e shoqërisë dhe ndikimin në të. Ata kontribuojnë në dave përmes ndonjë fjale rasti, përmes ndonjë komenti mahnitës për ndonjë dukuri e cila ka ndodhur në prani të tyre, andaj i sheh se si gjuha e tyre s’pushon së komentuari përmes natyrshmërisë së tyre të dëlirë për atë që ka ngjarë apo e përshkruajnë atë me një përshkrim që lë mbresa te ata që e dëgjojnë. Historia është e mbushur përplot me shembuj të këtyre fëmijëve të vegjël. Ijas b. Muavije El Muzeni ka qenë një ndër këta fëmijë të vegjël.
Ai ishte një prej tabiinëve dhe gjykatësi i qytetit Basra gjatë jetës së tij. Imam Dhehebiu në biografinë e tij ka shënuar: Ai përmendej si shembull për inteligjencën, mendjemprehtësinë, autoritetin dhe zgjuarsinë tij.

Ai ka një tregim gjatë fëmijërisë së tij me një mësues jahudi ka përmendur Ibn Kethiri në librin e tij: “El Bidaje uen Nihaje”, ku ai përmend fjalët e Ijasit i cili ka thënë: “Isha në shkollë kur isha i vogël dhe fëmijët e krishterë qeshnin me fëmijët muslimanë dhe thoshin: “Këta (fëmijët muslimanë) pretendojnë se nga ushqimi i banorëve të xhenetit nuk shkaktohen mbeturina që duhet të nxjerren jashtë. Atëherë, i thash mësuesit e ai ishte jomusliman : A nuk po pretendon se një pjesë e ushqimit shërben për të ushqyer trupin? Ai tha: Po. I thashë: Çfarë e ndalon që Allahu ta bëj tërë ushqimin e banorëve të Xhenetit ushqim për trupat e tyre?! Mësuesi i tha atij: Ti je një dreq i vogël. Ibn Kethiri ka thënë: “Kjo që e ka thënë Ijasi me mendjen e tij sa ishte i vogël është transmetuar në hadithin e vërtetë në të cilin thuhet se ushqimi i banorëve të Xhenetit shndërrohet në gogësimë dhe djersë me aromë parfumi dhe përnjëherë barku i tyre tëhollohet.

Ku e gjejmë këtë pamje mahnitëse në jetën e bijve të muslimanëve sot?! Ky model i gjallë i bijve të muslimanëve na bën të qartë se sa e fortifikuar (imune) ka qenë shoqëria islame dhe çfarë aftësie kanë poseduar për ta lënë gojëhapur kundërshtarin.
Kjo nuk është për t’u habitur! Muslimanët kanë marrë mësim nga udhëzimi profetik se si t’i edukojnë fëmijët. Fjalët e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) drejtuar Ibn Abasit janë argument i qartë për këtë. Ai ishte fëmijë dhe akoma nuk kishte mbushur dhjetë vjet kur Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e uli pas tij mbi deve dhe i tha: “O ti djalosh! Po t’i mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun, Ai

do të ruaj ty. Ruaje Allahun, Atë do ta gjesh përballë teje. Në qoftë se lutesh, lutju vetëm Allahut. Në qoftë se kërkon ndihmë, kërko ndihmë prej Allahut. Dije se, sikur i gjithë umeti të mblidhen për të të ndihmuar në diçka, ata nuk do të bëjnë dobi, vetëm aq sa ta ka shkruar Allahu dhe sikur ata të mblidhen për të të dëmtuar me diçka, ata nuk do të munden, vetëm aq sa ta ketë shkruar Allahu.” Me këto fjalë të mëdha edukoheshin të vegjlit atëbotë.

Ai që mediton gjendjen e sotme të shumë prej bijve të muslimanëve vëren distancë të dukshme mes tyre dhe udhëzimit profetik. Ndodh që njeriu t’i bëj njëzet apo tridhjetë vjet ndërsa nuk din mirë t’i zbatoj kushtet e Islamit e lëre më t’i thirr të tjerët në kryerjen e tyre.
Prej principeve thelbësore të edukatës është edukimi i fëmijëve se ata bartin mesazhin e Islamit dhe janë dëshmi të gjalla se si praktikohet ai, para jomuslimanëve. Sikurse që është prej thelbit të edukatës përafrimi i biografive të thirrësve dhe dijetarëve të cilët kanë qëndrime të shquara dhe janë shfaqur në moshë të hershme te ta aftësitë gjeniale dhe zgjuarsia si p.sh ata që e kanë memorizuar Kuranin para moshës së pjekurisë apo kanë pas qëndrime madhështore duke filluar nga sahabët si Ibn Abasi dhe Ibn Umeri
(Allahu qoftë i kënaqur me të dytë) e pastaj duke kaluar te Shafiu, Theuriu, Neveviu, Muhamed b. Abdul Vehabi, e shumë të tjerë.
Përgjegjësinë për thirrjen Islame në përgjithësi dhe përgjegjësinë për thirrjen e jomuslimanëve në veçanti duhet që ta bartë secili musliman me mundësitë e tij qoftë përmes fjalës, veprës apo sjelljeve të tij dhe në këtë janë të barabartë, i rrituri dhe i riu, mashkulli dhe femra, dijetari dhe njeriu i thjeshtë, secili sipas aftësive dhe mundësive të tij. E Allahu e udhëzon kë të donë me mirësinë dhe mëshirën e Tij.

Ndodh që ndonjë jomusliman t’i përgjigjet pozitivisht davetit – thirrjes islame nga një i ri, ndërsa ndodh ta refuzojë atë nga një thirrës i cili posedon fuqinë e bindjes dhe ndikimit dhe dëshmon për këtë rasti që e ka përmendur një nga muslimanët e rinj në qytetin e Rijadit, i cili punon si stërvitës i notit. Ai ka përmendur se shkak i përqafimit të Islamit ka qenë një fëmijë trembëdhjetëvjeçar të cilit ia ushtronte sportin e notit. Ky fëmijë i solli atij disa libra islame të përkthyera sikur që i dha edhe një përkthim të domethënieve të Kuranit Fisnik dhe leximi i tyre ishte shkak i udhëzimit të tij në Islam.

Me këtë lehtësi të paparë hyjnë njerëzit në fenë e Allahut dhe shprehin interesimin e tyre për fenë Islame. Për këtë arsye, jomuslimanët kanë nevojë emergjente për të atillë që ua prezantojnë Islamin. Sa të lehta janë mënyrat e daves për shpirtmirët dhe sa të vështira janë për shpirtligët! Mbjellja e davetit në shpirtrat e të rinjve, sipas mundësive të tyre, është një nga mënyrat e udhëzimit të tyre dhe një nga shkaqet e ruajtjes së tyre si dhe përbën motivim për të tjerët që të ndjekin rrugën e davetit.
Allahu e udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.