Llojet e gënjeshtrës te fëmijë

Ligësia e gënjeshtrës është e njohur dhe e ditur për të gjithë ataqë posedojnë mendje të shëndoshë, edhe para se të vinte sheriati e ta përbuzte atë. Nuk ka argument më të fortë se gënjeshtra është e përbuzur se sa fakti që edhe njeriu më gënjeshtar nuk pranon që ajo ti atribuohet atij.

Shumë prindër shqetësohen nga gënjeshtra e fëmijëve të tyre por, ata në të shumtën e rasteve e klasifikojnë gënjeshtrën te fëmija brenda një rrethi të vetëm dhe e trajtojnë atë njësoj në të gjitha rastet.

Dukuria e gënjeshtrës te fëmijët nuk është e njëllojshme dhe ajo klasifikohet në disa mënyra, por klasifikimi më i njohur është ai që bazohet në qëllimin i cili e shtyn fëmijën ta përdorë gënjeshtrën.

1. Gënjeshtra imagjinative: shpeshherë buron nga ata fëmijë që shquhen për kreativitet apo që posedojnë imagjinatë të gjerë. Fëmija ndoshta imagjinon diçka dhe e shndërron atë në realitet. Prej shembujve për këtë është: Nëse familja e një fëmije trevjeçar e sjellin një dash me brirë për festë të bajramit, e pastaj ai fillon të qajë dhe të thotë se e ka parë një qen me brirë.

Ky lloj, realisht, nuk konsiderohet gënjeshtër. Roli i prindërve me këtë rast është që në përputhje me moshën e fëmijës ta udhëzojnë atë se si të bëj dallimin mes fantazisë dhe realitetit, si dhe është gabim të akuzohet se po gënjen apo të ndëshkohet.

2. Gënjeshtra për shkak të ngatërrimit: Ndodh që te fëmija të përzihet imagjinata dhe realiteti dhe mund të mos ta bëj ndarjen mes tyre për shkak të aftësive të dobëta mendore. Ndodh që ai ta dëgjon një përrallë apo një fabulë dhe pastaj e rrëfen sikur të kishte ndodhur realisht apo bën ndryshime në personazhet dhe skenat e saj, qoftë duke i shtuar apo anashkaluar në përputhje me zhvillimin e tij mendor.

Ndonjëherë e sheh ndonjë ëndërr dhe e transmeton atë sikur të kishte ndodhur në të vërtetë. Një fëmijë kishte parë në ëndërr se shërbëtorja e kishte rrahur dhe ia kishte thyer lodrën e tij dhe kur u zgjua këmbëngulte se ajo e kishte bërë këtë.

3. Gënjeshtra me qëllim të pretendimit apo shtirjes: Fëmija e bën këtë i shtyrë nga ndjenja e mangësisë para të tjerëve (kompleksi i inferioritetit) apo privimit. Në këtë rast, ai kur flet për gjërat e shumta që i posedon i zmadhon ato. Ai ju flet fëmijëve se ai posedon lodra të shumta dhe të çmuara apo ju flet për babanë dhe pasurinë e tij apo për shtëpinë e tyre dhe kur i përshkruan ato e ekzagjeron bisedën.

Prej formave të gënjeshtrës me qëllim të pretendimit apo shtirjes që ndodh shumë te fëmijët është shtirja se është i sëmurë kur të shkon në shkollë.

Ajo që e shtyn fëmijën ta përdorë gënjeshtrën me qëllim të pretendimit apo shtirjes janë dy çështje:

E para: Mburrja apo dëshira për të qenë një hap me moshatarët e tij të cilët i flasin për prindërit, shtëpitë apo lodrat e tyre.

E dyta: Tërheqja e simpatisë së prindërve kah vetja. Ky lloj ndodh shpesh te fëmijët të cilët ndjejnë se po bëhet dallim mes tyre dhe vëllezërve apo motrave të tyre. Prindërit duhet t’i kuptojnë shkaqet që e kanë shtyrë ta bëjë këtë dhe t’i shërojnë ato. Ata nuk duhet të përqendrohen në vetë gënjeshtrën por, duhet të përqendrohen në përmbushjen e nevojave të cilat i ka humbur fëmija dhe si pasojë e kanë shtyrë ta ushtrojë këtë lloj të gënjeshtrës

4. Gënjeshtra me qëllim interesi: Fëmija e bën këtë kur ta ndjen se prindërit janë pengesë e mosrealizimit të synimeve të tij. Për këtë, ndoshta kërkon të holla për diçka ndërsa ato i nevojiten për diçka tjetër.

Shembull për këtë gjithashtu është: kur fëmija dëshiron ta blejë një lodër dhe e sheh se prindi i tij nuk do të pajtohet me këtë, atëherë me qëllim që t’i merr të hollat nga prindërit dhe ta blejë këtë lodër pretendon se në shkollë u kanë kërkuar një shumë të të hollave.

5. Gënjeshtra me qëllim të hakmarrjes: Shpeshherë lind kur ka diferencim dhe padrejtësi mes fëmijëve qoftë në shtëpi apo në shkollë. Ndoshta fëmija dëmton apo prish diçka e më pas e akuzon vëllanë apo kolegun e tij dhe zakonisht akuza ju drejtohet atyre që marrin vlerësim apo kujdes më të shtuar se të tjerët.

6. Gënjeshtra me qëllim të parandalimit të dënimit: Fëmija e përdor këtë si rezultat i frikës nga ndëshkimi, qoftë ndëshkimi nga prindërit apo mësuesi dhe kjo lloj gënjeshtre paraqitet në shkollat e djemve më tepër se në ato të vajzave. Gjithashtu, zakonisht kjo ndodh në mjediset të cilat veçohen me ashpërsi në edukim dhe përdorim të shpeshtë të ndëshkimit.

7. Gënjeshtra si pasojë e imitimit: Ndodh që djali apo vajza ta sheh ndonjërin nga prindërit duke përdorur gënjeshtrën ndaj të tjerëve dhe i imiton ata. Kjo e arrin kulmin kur fëmija gënjen pa ndonjë qëllim vetëm se për të imituar prindërit e tij.

8. Gënjeshtra që shndërrohet në sëmundje apo gënjeshtra kronike: Ajo është gënjeshtra e cila rrënjoset te fëmija sa që bëhet veti e pandashme e tij. Këta fëmijë zakonisht karakterizohen me aftësi për të gënjyer sa që është vështirë të zbulohet se kur flasin të vërtetën dhe kur gënjejnë.