Gënjeshtra është veti e përfituar ajo nuk lind me njeriun por, ai e mëson dhe e përfiton atë. Nisur nga ky fakt duhet që patjetër prindërit të kujdesen që t’i edukojnë fëmijët e tyre në sinqeritet dhe të trajtojnë seriozisht rastet e gënjeshtrës të cilat shfaqen te fëmijët e tyre, ashtu që gënjeshtra të mos rritet së bashku me ta dhe të bëhet pjesë e sjelljes së tyre e që pastaj iu vjen vështirë të heqin dorë dhe ta lënë atë.
1. Kuptimi i shkaqeve të cilat i shtyjnë fëmijët të gënjejnë dhe klasifikimi i gënjeshtrës të cilën e përdor. Mënyra e trajtimit të gënjeshtrës imagjinative dhe asaj që rrjedh si pasojë e ngatërrimit dallon nga trajtimi i gënjeshtrës për shkak të hakmarrjes, interesit apo gënjeshtrës që është shndërruar në sëmundje kronike.
2. Të kihet në konsideratë mosha e fëmijës dhe kjo është më se e rëndësishme në gënjeshtrën imagjinative apo atë që vjen si pasojë e ngatërrimit, ngase fëmija në moshën e hershme nuk mund të dalloj mes të vërtetës dhe imagjinatës (fantazisë).
3. Përmbushja e nevojave të fëmijës qofshin ato trupore, shpirtërore apo shoqërore. Shumë prej rasteve të gënjeshtrës te fëmijët ndodhin si rezultat i mungesës së këtyre nevojave dhe mosplotësimit të tyre.
4. Fleksibiliteti dhe toleranca me fëmijët dhe ndërtimi i raporteve miqësore me ta, ngase kjo u krijon qetësi shpirtërore. Në të kundërtën, metodat e ashpra lindin te ta shqetësimin dhe frikën për këtë mundohen që përmes gënjeshtrës të shpëtojnë nga dënimi, hakmarrja apo mundohen të përfitojnë simpatinë e prindërve e cila ju mungon.
5. Kurrsesi nuk duhet të dënohet fëmija nëse e tregon të vërtetën. Duhet të kujdesemi për t’ia falur dënimin apo për t’ia lehtësuar atë, ashtu që të mësohet ta thotë të vërtetën. Nëse fëmija dënohet kur e flet të vërtetën kjo do ta shtyn atë, në të ardhmen, që ta përdor gënjeshtrën për të shpëtuar nga dënimi.
6. Mos miratimi i gënjeshtrës te fëmija apo të qeshurit kur ai gënjen! Ndodh që në ndonjë rast fëmija të gënjej dhe kjo të nxit admirimin e prindërve apo edhe të qeshurat e tyre dhe ky miratim i tyre vetëm se e forcon te fëmija qëndrimin e tij ndaj gënjeshtrës dhe kësisoj ai do të mundohet të përfitoj edhe admirimin e të tjerëve.
7. Frikësimi i fëmijës nga gënjeshtra dhe njoftimi i tij me ligësinë dhe të këqijat e saj. Për këtë mund të përdoret fakti që është përmendur në Kuran se Allahu i ka mallkuar gënjeshtarët si dhe ajo që është vërtetuar në traditën profetike – Synet se gënjeshtra është veçori e dyfytyrëshave si dhe që ajo nxit në mëkat .. etj.
8. Fëmijës duhet t’i tërhiqet vërejtja kur gënjen dhe duhet të jemi të vendosur nëse momenti e kërkon një gjë të tillë – duke e marrë në konsideratë shkakun e cili e ka shtyrë të gënjej dhe llojin e saj – dhe ndoshta edhe duhet ta dënojmë, ngase nëse gënjeshtra zhvillohet te ai tepër, atëherë është vështirë të shpëtohet nga ajo në të ardhmen dhe i bëhet veti e pandashme.
9. Shembulli (modeli) i mirë; Prindërit duhet t’i shmangen gënjeshtrës para fëmijës apo nuk duhet ta urdhërojnë atë të gënjej, sikur që ndodh nga disa prindër të cilët e urdhërojnë fëmijën të gënjej për t’u arsyetuar para atij që troket në derë apo thërret në telefon.
Ajo që duhet të potencohet është se duhet të largohemi nga gënjeshtra ndaj vetë fëmijës! Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka ndaluar nga kjo vepër. Abdullah b. Amir (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se ka thënë: “Një ditë më ka thirrur nëna ime dhe Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ishte musafir te ne. Nëna më tha: Eja te unë të të jap diçka. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i tha asaj: Çka do t’i japësh? Ajo i tha: Desha t’ia jap një hurme. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i tha:
“Po të mos i kishe dhënë atij diçka do të të regjistrohej ty një gënjeshtër.” (E shënon Ahmedi dhe Ebu Davudi)
10. Përmbushja e premtimit të dhënë ndaj fëmijës, ngase fëmija nuk di të dalloj mes asaj kur t’i i tregon për diçka apo kur e ke njëmend dhe ndoshta nuk mund ta vlerësoj arsyetimin e prindërve në mospërmbushjen e asaj që i kanë premtuar dhe e llogarit këtë si një gënjeshtër prej tyre. Ebul Ahves transmeton nga Abdullah b. Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Keni kujdes nga rrëfimet, rrëfimet që përmbajnë gënjeshtra, sepse gënjeshtra nuk bën të përdoret as në seriozitet as në shaka dhe mos ju premtoni fëmijëve tuaj diçka që nuk do t’ua përmbushni pastaj.”
Nga Allahu vjen suksesi dhe lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin, familjen dhe shokët e tij.