Si e pranoi Hamzai Islamin me gojë përpara se t’i hynte në zemër

Një ditë Ebu Xhehli kaloi pranë të Dërguarit të Allahut ﷺ, kur ai ishte në kodrën Safa dhe e fyeu dhe e mundoi. Thuhet se atë ditë Ebu Xhehli mori një gur dhe e goditi Profetin ﷺ në kokë. Profeti ﷺ u plagos dhe filloi t’i rridhte gjak. Pastaj, Ebu Xhehli shkoi te kuvendi i kurejshëve te Qabeja e u ul bashkë me ta.
Aty ishte një robëreshë e Abdullah ibn Xhed’anit, që banonte pranë Safasë dhe e kishte parë krejt ndodhinë nga shtëpia e saj në Safa. Pas pak kohe u kthye Hamzai ibn Abdul Muttalibi, xhaxhai i të Dërguarit të Allahut ﷺ, nga gjahu me harkun e tij në krah. Robëresha i tregoi se çfarë kishte parë. Atëherë Hamzai nxitoi për tek Ebu Xhehli, qëndroi përballë tij dhe i tha: “O njeri i shëmtuar! Ti shan djalin e vëllait tim, kur unë jam në fenë e tij.” Pastaj e goditi me hark dhe e plagosi keq.
Nga kjo u çuan të dy fiset Beni Mahzum dhe Beni Hashim, por Ebu Xhehli i tha: “Lëreni Ebu Amaretin. Unë e kam fyer rëndë djalin e vëllait të tij.” Hamzai u bë mysliman papritmas, e pranoi Islamin me gojë përpara se t’i hynte në zemër. Pastaj Allahu ia zgjeroi gjoksin për Islamin. Ai ishte djali më i lartë në fisin kurejsh dhe më i forti i tyre. Ai është quajtur “Luani i Allahut”. Ai u bë mysliman në muajin Dhul Hixhe, në vitin e gjashtë të Profetësisë.