Si u bë ezani një nga shenjat e islamit?

Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ u vendos në Medinen e Ndritur filloi ndërtimin e xhamisë së tij.
Myslimanët filluan të vinin me grupe për të falur namazet e pesë kohëve, por nuk dinin të përcaktonin kohën e namazit. Disa vinin para kohe, disa të tjerë vinin pas kohe. Për këtë, i Dërguari i Allahut ﷺ u këshillua me myslimanët, se si të caktonin një shenjë, me të cilën të dinin kohën e namazit.
Njëri tha: “Të ndezim një zjarr, që, kur të shikohet, njerëzit ta dinë që është koha e namazit.” Një tjetër tha: “T’i biem borisë.” Tjetri tha: “Të bjerë kambana.” Ndërsa Omeri (r.a.) tha: “A nuk po dërgoni një burrë për të thirrur: “Namazi me xhemat.” Profeti ﷺ e pranoi këtë mendim dhe e zbatoi atë.
Abdullah ibn Zejd ibn Abdu Rabihil Ensariu (r.a.) e shikoi ezanin në ëndërr. Erdhi menjëherë e ia tregoi të Dërguarit të Allahut ﷺ e Profeti ﷺ tha: “Kjo ëndërr është e vërtetë.” Urdhëroi Abdullahun që të takonte Bilalin dhe t’i thoshte që ai të thërriste ezanin, sepse Bilali kishte më shumë zë sesa Abdullahu. Omeri e dëgjoi ezanin dhe erdhi menjëherë, duke tërhequr përtokë pelerinën e tij dhe duke thënë: “Për Zotin, unë kështu e kam parë në ëndërr ezanin.”
Kështu, u përforcua ëndrra dhe ezani u bë që atë ditë një nga shenjat e Islamit.