Historiku i namazit

Historia e namazit ka nisur qysh me krijimin e gjithësisë. Allahu i Madhëruar na tregon se nuk janë vetëm njerëzit ata që e adhurojnë Allahun por se çdo krijesë e di formën e vet të faljes dhe të madhërimit, Allahu thotë: “Që të gjithë e dinë formën e vet të faljes dhe të madhërimit (ndaj Allahut).” Muhamedi ﷺ, ka thënë: “Jam urdhëruar unë dhe të gjithë të Dërguarit e tjerë që t’i vendosim duart të djathtën mbi të majtën në namaz.” ( Buhari )
Nga ky hadith kuptojmë se të gjithë të Dërguarit e Allahut e kanë pasur si detyrë faljen e namazit, duke filluar qysh nga babai i njerëzimit, Ademi, alejhi selam, e deri tek i Dërguari i fundit Muhamedi ﷺ. Një veprim i përbashkët për faljen e gjithë të dërguarve është dhe rënia në sexhde, me ballë dhe hundë në tokë, si simbol nështrimi ndaj Zotit dhe jo adhurimi i tokës, siç thonë të paditurit.
Kur’ani Famëlartë, Fjala e Zotit, mrekullia e dhuruar popullit të Muhamedit ﷺ, na tregon se të Dërguarit e Zotit janë falur e lutur. Do të veçoja prej tyre Sulejmanin, alejhi selam, për të cilin Zoti në Kur’an thotë: “Ne Daudit i falëm Sulejmanin, rob shumë i mirë dhe shumë i kthyer nga Zoti. Kur në një parambrëmje iu shfaqën atij kuaj që, kur ishin të ndalur, rrinin gatitu në tri këmbë, e ishin edhe shumë të shpejtë. E ai tha: “Unë i dhashë përparësi dashurisë së kuajve, ndaj Zotit tim, derisa (dielli) u fsheh dhe perëndoi. M’i ktheni ata mua!” Atëherë filloi t’u mëshojë këmbëve e qafave.” (Sad 30-33)
Komentuesit e mëdhenj të Kur’anit shprehen: “Sulejmani, alejhi selam, u mahnit pas kuajve dhe u hutua pas tyre, derisa i kaloi namazi nga koha e vet dhe dielli u fsheh në horizont. Mirëpo që t’i ndodhte kjo një të Dërguari, megjithëse i arsyetuar nga harresa, ai e konsideronte gjynah të madh dhe urdhëroi që t’ia kthenin dhe një herë dhe “i fërkoi në qafa me shpatë” pra i theri. Po kështu Zoti i Gjithësisë na njofton në Librin e Tij, Kur’anin, për një tjetër të Dërguar ku ka thënë: “Ai e urdhëronte familjen e tij të falnin namaz, e të jepnin Zekat…” e tek Allahu kishte gradën “I kënaqur tek Zoti.”
Në Kur’an përmendet dhe historia e Shuajbit ku populli i tij ndër të tjera i tha: “O Shuajb! A mos vallë namazi yt (falja) të urdhëron ty të lemë atë që kanë adhuruar prindërit tanë më parë, apo që të bëjmë me pasurinë tonë atë që duam?” Ata e dinin shumë mirë se namazi është siç thotë i Gjithëmëshirshmi në Kur’an: “Falja ndalon nga të shëmtuarat dhe të këqijat.”
Musait, alejhi selam i vjen urdhëri Hyjnor: “Merrni për drejtim shtëpitë tuaja dhe faluni.” Ibrahimi, alejhi selam, babai i të Dërguarve, shprehet në kur’an për shkakun e lënies së gruas së tij Haxheres dhe djalit të tij Ismailit në shkretëtirën pranë Shtëpisë se Shenjtë, Kabes, ku thotë: “Zoti ynë! Që të falin namazin…” Po ashtu kur’ani tregon se ai i ishte lutur Zotit ta bëjë të përkushtuar në kryerjen e faljes duke thënë: “O Zoti im! Më bëj mua prej atyre që falen vazhdimisht, po kështu edhe prej pasardhësve të mi.” Isai, alejhi selam, në mrekullinë e tij të famshme kur foli në djep dhe tha: “Foshnja (Isai) tha: Unë jam rob i Allahut, më ka dhënë Librin dhe më ka bërë Profet, e më ka porositur të fal namazin e të jap Zekatin sa të jem gjallë.” Kjo është tradita e Zotit e pandryshueshme: “Ne u shpallëm atyre: ” Të jenë bamirës dhe të falin namaz.”
Namazi është mënyra më e mirë e falënderimit në rast përgëzimi: “Ndërkohë melaiket thanë: O Merjem, lutu, bëj sexhde, ruku me ata që falen (bien në ruku).” Të njëjtën traditë të të Dërguarve të mëparshëm ka ndjekur dhe i Dërguari i fundit, Muhamedi ﷺ. Ai dhe përpara se t’i zbriste shpallja e adhuronte Zotin në shpellën Hira, sepse kjo është origjina e pastër e njeriut, adhurimi i Zotit Një dhe të Vetëm. Muhamedi, alejhi selam, vazhdoi në këtë adhurim të thjeshtë derisa i Plotfuqishmi e urdhëroi në Kur’an me fjalët: “O ti i mbuluar! Çohu dhe adhuroje Zotin tënd duke u falur natën. Gjysmën e natës ose shto diç më shumë dhe Kur’anin lexoje rrjedhshëm (tertila), bukur.
Padyshim falja dhe adhurimi që bëhet natën, është më ndikues dhe më i qartë në shprehje.” Siç e përmendin dijetarët e mëdhenj, kjo ishte faza e parë e namazit për besimtarët. Ata duhet të faleshin natën, më vonë me zbritjen e dispozitës së shtjelluar të faljes ditore, besimtarët u liruan nga ky obligim, mirëpo ai i mbeti detyrë dhe obligim të Dërguarit ﷺ, për gjithë jetën. Më vonë kur besimi u rrit, çështjet u qartësuan, besimtarët po i përballonin me sukses të gjitha sprovat, Allahu vendosi disa orare takimi mes robit dhe Zotit.
Ishte viti i 10-të pas fillimit të shpalljes kur ndodh mrekullia me të Dërguarin ﷺ, Israja dhe Miraxhi. Është për t’u vënë dukje dhe fakti se në këtë udhëtim Muhamedi, alejhi selam, fali dy rekate namaz duke qenë imam për të gjithë të dërguarit e tjerë, gjë që tregon se namazi nuk është një praktikë që zuri fill me të Dërguarin Muhamed alejhi selam, por ishte një vazhdim i asaj praktike që ka pasë ekzistuar dhe te popujt e mëparshëm.
Namazi i popullit të fundit ka ngjashmëri në disa pika me atë të të Dërguarve të mëparshëm, siç është rasti i të rënit me fytyrë në tokë, formë të cilën e përmbajnë dhe Librat e mëparshëm qiellorë. Në këtë udhëtim Muhamedit dhe të gjithë njerëzimit iu bënë detyrë pesë namaze në ditë, por me shpërblimin sa për pesëdhjetë namaze. Fatkeqësisht ka prej muslimanëve që namazet iu duken të rënda, mirëpo Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: “Padyshim janë të rënda për këdo, me përjashtim të të ndrojturve prej Allahut, atyre që mendojnë se një ditë do ta takojnë Atë dhe se tek Ai do të kthehen.”
Më vonë çështja e namazit u avancua në namaze sunete, të rregullta e të vazhdueshme: 2 rekate sunet para farzit të sabahut, 4 para farzit të drekës dhe 2 pas tij, 2 pas akshamit, 2 sunete dhe 3 vitër pas jacisë.U shtuan dhe disa obligime si namazi i xhenazes, i Bajramit, i eklipsit, namazi për kërkimin e shiut, e kështu me rradhë.
E lusim Allahun të na e bëjë namazin siç thotë Muhamedi ﷺ: “Qetësia, prehja, lumturia ime është në namaz.” Amin!