Gjatë leximit të Kuranit duhet të zbukurojmë zërin dhe të jemi të qartë, të zëshëm në këndim.

Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk e zbukuron zërin teksa e lexon Kuranin.” Gjithashtu, Ebu Hurejra transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: “Allahu nuk ka dëgjuar asgjë siç e ka dëgjuar leximin e një profeti me zë të ëmbël e të lartë.”(Sahihul Buhari)
Ebu Musa el Eshariu, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, përcjell se i Dërguari i Allahut ka thënë: “I njoh zërat shoqërues të esharive kur hyjnë gjatë natës në shtëpitë e veta dhe i njoh shtëpitë e tyre prej zërave që i ngrehin natën duke e lexuar Kuranin, ndonëse nuk ua kam parë shtëpitë tek kanë hyrë gjatë ditës.“(Sahihul Buhari, 6/2737, 7089.)

Umu Hani, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, thotë: “E dëgjoja leximin e të Dërguarit të Allahut duke qenë në tendën time.” Ebu Katade, Allahu qoftë i kënaqur me të!, përcjell se një natë i Dërguari i Allahut kishte dalë, ndërkohë Ebu Bekri, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, falte namaz me zë të ulët. Ndërsa kaloi pranë Omer ibn Hatabit, ky (i fundit) falte namaz me zë të lartë. Katade thotë: “Kur vajtëm tek i Dërguari i Allahut, u tha: “O Ebu Bekër. Kalova pranë teje, kurse ti faleshe duke e ulur zërin tënd.Ai i tha: “Ai që i lutesha më dëgjoi, o i Dërguar i Allahut.” Omerit i tha: “Kalova pranë teje, kurse ti faleshe duke e ngritur zërin tënd?”Ai i tha: “Për ta larguar dremitjen dhe për ta dëbuar shejtanin, o i Dërguar i Allahut.” I Dërguari i Allahut tha: “O Ebu Bekër, ngrijepak zërin.” Kurse Omerit: “Ule pak zërin.”(Sunen Ebi Davud)
Ibn Abasi, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, është pyetur rreth leximit të Profetit me zë gjatë natës, me ç’rast është përgjigjur: “Lexonte në dhomën e tij ashtu që, nëse ndokush do të dëshironte ta mësonte përmendsh, do ta bënte këtë.” Ibn Abasi, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, një burri, për të cilin dëgjoi se e lexonte shpejt Kuranin, i kishte thënë: “Nëse e bën këtë, lexo ashtu që ta dëgjojë veshi yt e ta kapë zemra jote.”(Sunen el Bejheki el Kubra)

Përcillet nga Ibn Ebi Lejla, Allahu e mëshiroftë!, se ka thënë: “Kur të lexosh, le të dëgjojnë veshët e tu sepse zemra është ekuilibër i gjuhës dhe veshit.” (Musanaf Ibn Ebi Shejbe, 1/321, 3670.)
Të shfaqurit haptazi e asaj çka sillet në zemër ndihmon më tepër në përqendrim dhe në vëmendje, kësisoj e vëren njeriun tek vepron një gjë të tillë kur i komplikohen gjërat dhe i vështirësohet të menduarit. Disa gjatë leximit të Kuranit lexojnë pa zë duke synuar shpejtimin dhe leximin e sasisë sa më të madhe që është e mundshme, mirëpo kjo metodë është e gabuar dhe qartazi vërehet mungesa e synimi të meditimit në këtë gjendje.
Të lexuarit zëshëm ka disa shkallë. Më e ulëta është që njeriu ta dëgjojë veten, si dhe lëvizja e gjuhës dhe e buzëve të tij, kurse shkalla më e lartë është ta dëgjojë ai që është afër tij. Më ulët se kjo nuk konsiderohet lexim i zëshëm, kurse më lart se kjo e pengon meditimin, e lodh lexuesin dhe e shqetëson dëgjuesin.
Ndër dobitë e leximit zëshëm është dëgjimi i engjëjve të ngarkuar me dëgjimin e atyre që e përmendin Allahun duke lexuar Kuran, ikjen dhe largimin e shejtanëve nga lexuesi dhe nga vendi në të cilin lexohet Kurani. Gjithashtu, në këtë ka edhe pastrim për shtëpinë, parfumimi i saj si krijimi i një ambienti të përshtatshëm për edukim dhe arsim.

Shtëpia në të cilën shpeshtohet leximi i Kuranit me zë është shtëpi, siç ka thënë Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të!, në të cilën shtohet mirësia, prezantojnë engjëjt dhe dalin shejtanët prej saj. Ndërkaq, shtëpia në të cilën nuk lexohet Libri i Allahut, u ngushtohet banorëve të saj, pakësohen mirësitë, prezantojnë shejtanët dhe dalin engjëjt prej saj.”(Ez Zuhd, Ibn Mubarek, 1/273, 790.)