Kurani i ngjall zemrat sikurse uji tokën

Allahu i Lartësuar thotë: “Dijeni, se Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj! Ne ju sqarojmë shpalljet, në mënyrë që ju të kuptoni!”(Hadid, 17) Ky ajet ka ardhur pas fjalës së Allahut të Madhërishëm:“A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para të Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.”(Hadid, 16) Kjo sinjalizon se gjallërimi i zemrave bëhet me përmendjen e Allahut të Lartësuar dhe me të vërtetën që Ai ka shpallur, që është Kurani, ashtu siç Malik ibn Dinari, Allahu e mëshiroftë!, thotë: “Ç’ka mbjellë Kurani në zemrat tuaja, o lexues të Kuranit? Vërtet, Kurani është pranverë e besimtarit ashtu siç është shiu pranverë e tokës.” Kjo çështje është e qartë dhe e dukshme. Ndër faktet e dukshme të kësaj çështjeje është edhe pastrimi i zemrave dhe zbutja e tyre që e hasim gjatë muajit Ramazan, tek përsëritet dhe shpeshtohet dëgjimi dhe leximi i Kuranit. Më pas vëren se kjo jetë, që zemrat përjetuan gjatë muajit Ramazan, fillon të shuhet pas Ramazanit kur shkëputen nga Kurani fisnik. Prandaj, ai që e dëshiron gjallërimin e zemrës duhet ta ujitë me pranverën e zemrave, Kuranin, me sasi dhe forma të përshtatshme për ringjalljen e jetës.