Shpallja e vazhdueshme e Kuranit na është përcjellë neve me ndërmjetësinë e shumë personave dhe personaliteteve të shumta, qoftë gojarisht, qoftë dhe me shkrim. Mbajtja përmendësh dhe transmetimi gojor i kësaj shpalljeje mbështetet mbi faktin e mësimit të saj përmendësh prej një numri të madh njerëzish të asaj kohe. Profeti ﷺ ka qenë vetë i pari që e ka mësuar përmendësh shpalljen sapo kjo i ka qenë komunikuar nga Xhebraili: “Mos nxito (o Muhamed) në të lexuarit e Kuranit me gjuhën tënde! Ne e kemi për detyrë t’i tubojmë pjesët e Tij (në gjoksin tënd) e ta lexojmë atë. Dhe,kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij! Pastaj, e kemi ne për detyrë ta shpjegojmë.” (75/16-19)
Pastaj Profeti ﷺ e recitoi shpalljen dhe u kërkoi gjithashtu tërë Shokëve që edhe ata ta mësonin përmendësh. Është rasti i Abdullah bin Mesudit i cili është i pari person që e ka recituar publikisht Kuranin në Mekë, ndërsa edhe në çastet e para të komunitetit mysliman, tradita e recitimit përmendësh e shpalljes bëhej nga ana e Shokëve të Profetit ﷺ: “I pari njeri që e ka recituar Kuranin përmendësh në Mekë, pas Profetit ﷺ ka qenë Abdullah Ibn Mesudi. Shokët e Profetit ﷺ kishin ardhur të gjithë së bashku dhe kishin thënë se kurejshët nuk kishin dëgjuar kurrë që Kurani të recitohej hapur. Dhe, kur ai (Abdullah IbnMesudi) arriti tek Mekami (gjurma e Ibrahimit), recitoi: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshir-shmit, Mëshirëplotit” duke e ngritur zërin. “I Gjithëmëshirshmi ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij)” (55/1-2). Ata u ngritën dhe filluan ta godisnin në fytyrë. Megjithatë, ai vazhdoi recitimin e tij për aq kohë sa Zoti ia lejoi. (Ibn Hishâm, Sîret-un nebî)
Na është transmetuar gjithashtu se Ebu Bekri e recitonte Kuranin publikisht përpara shtëpisë së tij, në Mekë (Ibn Hishâm, po aty). Shumë hadithe bëjnë fjalë për masat që ka marrë Profeti ﷺ për të siguruar ruajtjen e Shpalljes në kujtesën e Shokëve të tij. Hadithi që vijon ka mundësi që të jetë inkurajimi më elokuent i këtij kujdesi. Transmetuar nga Othmân bin Affani, Profeti ﷺ ka thënë: “Më të mirët nga ju (myslimanët) janë ata që e mësojnë Kuranin përmendësh dhe ua mësojnë atë dhe të tjerëve.”(El-Buhari, VI Nr.546)
Duke qenë se recitimi përmendësh i Kuranit ishte kërkesë për faljet e përditshme, Shokët e Profetit ﷺ i dëgjonin shpesh këto pasazhe të Shpalljes dhe kështu, duke i patur të mësuara përmendësh, i recitonin ato gjatë faljeve. Profeti ﷺ e dëgjonte dhe ai Kuranin e recituar nga Shokët e vet. Abdullah Ibi Mesudi tregon se Profeti ﷺ kishte shkuar për vizitë tek ai dhe i kishte thënë: “Recito pjesë nga Kurani për mua!” Unë e pyeta:Si mund të ta lexoj ty, ndërkohë që ty të është shpallur?! Dhe ai tha: “Më pëlqen ta dëgjoj këtë të recituar nga tjetërkush” dhe unë i recitova atëhere Suren en-Nisa’ derisa mbërrita te vargu“Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!” (4/41). Pastaj, ai më ndali dhe lotët kullonin çurg nga sytë e tij.(El-Buhari, VI, Nr. 106)
Profeti ﷺ i dërgonte Shokët e tij në bashkësitë e tjera me qëllim që t’u mësonte atyre Islamin dhe Kuranin. Madje, një gjë të tillë ai e ka bërë edhe para mërgimit në Medinë: “Në kohën kur këta njerëz (të paktit të parë të Akabasë) shkuan në Medinë, i Dërguari u çoi atyre Mus’ab bin ‘Umejrin që t’i shoqëronte . Ai e ngarkoi atë që t’u recitonte Kuranin, t’u mësonte Islamin dhe t’i udhëzonte në lidhje me fenë. Në Medinë, Mus’abi quhej “Lexuesi”.(Ibn Hishâm, po aty)
Kështu që dhe Muadh ibn Xhebel qe dërguar në Jemen për të udhëzuar popullin e tij.