Kurani, Libri i Shenjtë i fesë Islame

Libri i Shenjtë i zbriti profetit të fundit, Muhamedit ﷺ, me qëllimin e epërm për t’ia kumtuar tërë njerëzve pa përjashtim. Kurani është shpallur jo në formën e një aktimomental, por në formë të një procesi unikal, të pashembullt që ka zgjatur 23 vjet, nga viti 609-632 të formësimit burimor të pazëvendësueshëm të fesë islame, si fe e madhe botërore.
Sipas Kuranit, Allahu është Zot i vetëm, i gjithëfuqishëm, absolut, i mirë dhe i drejtë, i mëshirshëm dhe mirëbërës, që e ka krijuar gjithësinë dhe njeriun e ka pajisur me mendje për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta, autentiken nga e rrema.
Kurani përbëhet nga 114 sure, ose kaptina, të cilat kanë gjatësi të ndryshme, surja më e shkurtër ka tre ajete/vargje, kurse surja më e gjatë ka 286 ajete, secila sure e Kuranit e ka emrin e saj. Surja me të cilën nis Kurani quhet Fatiha, e cila është surja që më së shumti lexohet dhe “këndohet”, surja që përfundon Kurani quhet Nas. Studiuesit e Kuranit i quajnë 90 sure të Mekës (që Allahu ia zbuloi Profetit ﷺ kur ishte në Mekë) dhe 24 sure të Medinës (për arsye të vijimësisë së Shpalljes Hyjnore në Medinë). Por ato janë pjesë përbërëse e një tërësie të vetëmjaftueshme dhe unikale, në një prozë poetike të një shprehjeje të lartë dhe të paarritshme artistike. Vetëm kështu mund të perceptohej dhe mishërohej Fjala e Allahut. Kështu, Kurani u drejtohet të gjithëve, pa kufizim, si besimtarit të thjeshtë, ashtu edhe dijetarit , të tëra nivelet kuptimore konvergohen dhe shkrihen në një.
Kurani u drejtohet në thelb, për shkak të frymës dhe porosive hyjnore tërë popujve, kulturave, qytetërimeve, është shprehës, që përmbledh frymën e të gjitha feve monoteiste për arsye të njëshmërisë së patjetërsueshme të Allahut të Madh dhe të profetëve pararendës deri te profeti Muhamed ﷺ.