Pamje madhështore e fuqisë së lartë të imanit

Pejgamberi a.s. i kaloi afër trembëdhjetë vjet duke e ftuar po­pu­llin e vet në parimet islame. Logjika e popullit ishte e ngurtë dhe me fanatizmin më të madh mbështetej në zakonet dhe traditat e të parëve. Ata iu kundërvunë edhe më tepër thirrjes së re, kur panë se ajo e rrënonte me themel sistemin e tyre të vjetër. Për këtë, u shtua edhe më tepër hidhërimi i tyre ndaj thirrësit të ri dhe ndaj atij numri të vogël besimtarësh që besonin në thirrjen e tij. Ata përdorën mjete dhe metoda nga më të ndryshmet për ta zmbrap­sur nga qëllimi i tij dhe për të varrosur thirrjen e tij, kur ajo ende ishte në zanafillën e saj. Mirëpo, Pejgamberi a.s. premtimeve dhe kërkesave të tyre iu përgjigj me këto fjalë të qarta dhe të prera: “Betohem në Allahun, se sikur ata të vendosin Diellin në krahun tim të djathtë dhe Hënën në krahun tim të majtë, që ta braktis këtë mision timin, nuk do ta bëj dot, derisa Allahu ta nxjerrë në shesh atë apo unë të flijohem për të!”

Aq sa ishte dëshpërues ky pohim i Pejgamberit a.s. për idhuj­tarët, të cilët e humbën arsyen dhe u bënë si të çartur dhe me tërë fuqinë dhe mekanizmat që kishin në disponim u vërsulën në ndësh­kimin e Pejgamberit a.s. dhe atyre pak besimtarëve, në të njëj­tën kohë kjo vendosmëri ishte nxitje e fortë për një durim dhe qën­drim të paparë për besimtarët.

Metodat e ndëshkimit, të cilat idhujtarët i përdorën kundër Pej­gam­berit a.s. dhe atij numri të vogël të besimtarëve, mjaftonin për t’i lëkundur nga vendi dhe kodrat më të mëdha dhe për t’i trazuar edhe shpirtrat më të fuqishëm, sikurse të mos ishte entuziazmi i atij grushti të vogël besimtarësh, të cilët besimi në Zotin e tyre dhe sinqeriteti në fenë e tyre i bëri ta harrojnë vetveten, fëmijët, prindërit dhe çdo gjë të dashur për ta dhe gjenin kënaqësi dhe qetësi kur bënin sakrifica të njëpasnjëshme.

Një pamje të fuqisë së imanit e shohim në betejën e Bedrit, kur Pejgamberi a.s., pas përfundimit të betejës, bëri një shëtitje në mesin e të rënëve nga pala e idhujtarëve të Mekës dhe atë e shoqëronte sahabiu i tij, Ebu Hudhejfe ibnu Utbe, i cili në mesin e të rënëve në sheshin e betejës pa kufomat e babait, vëllait dhe xhaxhait të tij. Në fytyrën e tij të zbehtë dukeshin shenjat e pikëllimit. Pejgamberi a.s. e shikoi atë me dhembje dhe i tha:
– O Ebu Hudhejfe: A mos je i pikëlluar për shkak të babait tënd?!
Ai ia ktheu me plot vendosmëri:

– Jo. Të betohem në Allahun, o i Dërguari i Zotit. Nuk po dyshoj në vdekjen e babait tim. Por ajo që po më brengos është se ai ishte i zgjuar, i mençur dhe largpamës. Për këtë, shpresoja se ai do të udhëzohet në fenë islame. Kur pashë atë që kishte ndodhur, pas asaj që shpresoja për të, u pikëllova për të.
Ajo që e bëri të pikë­llohet ishte sepse babai i tij vdiq pa e besuar Allahun dhe Pejgam­berin e Tij. Pamje madhështore e fuqisë së lartë të imanit!