“Seid ibnu Amir El‑Xhumehij është njeriu që bleu ahiretin me dynja dhe preferoi Allahun dhe Pejgamberin e Tij mbi këdo tjetër.”
I riu Seid ibnu Amir El‑Xhumehij ishte njëri prej atyre mijërave që kishin dalur në vendin e quajtur “Ten’im”, jo larg Mekës, me ftesën e parisë kurejshite, që të jenë dëshmitarë të ekzekutimit me vdekje të HUBEJB IBNU ADIJJIT, njërit prej sahabëve të Muhammedit a.s., të cilin e kishin zënë tradhtisht kurejshitët.
Fuqia e tij e pafrenueshme rinore i kishte mundësuar të depërtojë në mesin e turmës, derisa arriti te paria e Kurejshit, ku ishte Ebu Sufjan ibnu Harbi, Safvan ibnu Umeje e shumë të tjerë, të cilët shkonin në krye të kolonës.
Kjo i bëri të mundur që ta shohë robin e kurejshitëve të lidhur me pranga, ndërsa turma e grave, fëmijëve dhe e të rinjve e shtynin në drejtim të sheshit të ekzekutimit (trekëmbëshit). Këte e bënin në shenjë hakmarrjeje ndaj Muhammedit a.s. për të vrarët e tyre në betejën e Bedrit.
Kur turma e madhe arriti me robin e saj në vendin e caktuar për ekzekutimin e tij, i riu Seid ibnu Amir el‑Xhumehij qëndroi me shtatin e tij të hedhur duke e soditur Hubejbin se si e çonin te trekëmbëshi, ku edhe ia zgjidhën prangat. Atëherë u dëgjua zëri i tij i fuqishëm dhe i qetë në mesin e ulurimave të grave dhe të fëmijëve duke thënë:
“Nëse dëshironi, më lejoni t’i fal dy rekate para se të më ekzekutoni!”
Pastaj e pa Hubejbin se si u kthye kah Qabeja dhe i fali dy rekate. Oh, sa bukur i fali dhe sa mirë i kompletoi!
Pastaj e pa se si iu kthye parisë së popullit duke u thënë:
“Betohem në Allahun, se sikur të mos kishit menduar se po e zgjas namazin nga frika prej vdekjes, do të isha falur më gjatë!”
Më vonë e pa me dy sytë e vet se si populli e masakronte Hubejbin për së gjalli, duke ia prerë një nga një gjymtyrët e trupit e duke e pyetur:
– A dëshiron që Muhammedi të jetë në vendin tënd e ti të shpëtosh?!
Derisa gjaku shkonte si rrëke prej trupit të tij, Hubejbi përgjigjej:
– Betohem në Allahun se nuk do të dëshiroja të jem i qetë me gruan dhe fëmijët e mi, nëse Muhammedi a.s. theret, qoftë edhe nga një therrë.
Kur i dëgjuan këto përgjigje prej tij, të pranishmit i ngritën duart e tyre dhe brohoritën me zë të lartë: Mbyteni, mbyteni!!!
Pastaj Seid ibnu Amiri e pa Hubejbin se si e qonte shikimin e tij nga qielli, e ai ishte mbi dërrasën e ekzekutimit, dhe lutej duke thënë:
– O Zoti im, mbyti ata, që të gjithë, dhe mos e përjashto asnjë! Pastaj dha shpirt e në trupin e tij nuk mund të numëroheshin të rënat e shpatave dhe të goditurat e shtizave.
Kurejshitët u kthyen në Mekke dhe në rrëmujën e ndodhive të reja harruan trupin e Hubejbit dhe vrasjen e tij.
Mirëpo, djaloshi i ri, Seid ibnu Amir el‑Xhumehij, asnjë-herë nuk e hoqi nga mendja Hubejbin.
Hija e tij i paraqitej në ëndërr kur ai flinte, e kur ishte zgjuar ai e shihte hijen e tij. Gjithnjë e kishte parasysh pamjen e tij duke i falur ato dy rekate, të cilat i fali në qetësi, ndonëse ishte para dërrasës së varjes dhe gjithnjë i dukej se po e dëgjon zërin e tij kur ai lutej kundër kurejshitëve dhe kishte frikë se mos do ta godasë rrufeja apo diçka tjetër nga qielli.
Rasti i Hubejbit i mësoi Seidin atë që më parë nuk e dinte. Mësoi se jeta e vërtetë është besim dhe luftë dhe se për besimin dhe bindjen tënde vlen të luftosh deri në vdekje.
Mësoi, po ashtu, se besimi i fortë bën çudira dhe mrekullira.
Seidi mësoi se njeriu të cilin aq shumë e donin sahabet e tij patjetër duhet të jetë Pejgamber i përkrahur nga Zoti.
Kur i pa dhe i kuptoi të gjitha këto, Allahu xh. sh., ia hapi zemrën për Islam. Në një rast, ndërsa ndodhej në një tubim të madh, ai u ngrit dhe e shpalli distancimin e tij nga mëkatet e kurejshitëve, duke i braktisur idhujt dhe bestytnitë e injorancës së tyre dhe e shpalli haptazi se ai e pranoi fenë islame.
Më vonë, Seid ibnu Amiri emigroi në Medinë, e shoqëroi Pejgamberin a.s. dhe ishte pjesëmarrës në betejën e Hajberit dhe në betejat e mëvonshme.
Pasi Muhammedi a.s. ndërroi jetë dhe kaloi në jetën e amshueshme, duke qenë i kënaqur ndaj tij, Seidi edhe pas vdekjes së tij mbeti shpatë e mprehtë në kohën e Ebu Bekrit dhe Omerit r.a. Ai ishte shembull i rrallë i besimtarit, i cili e kishte blerë ahiretin me dynja dhe e kishte preferuar kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut xh. sh. mbi epshet e shpirtit dhe kënaqësitë e trupit.