Pejgamberi ﷺ. ishte shembull më i mirë se si duhet të bëhen sakrificat

Pejgamberi ﷺ. ndiente dhembje të madhe për torturat dhe re­pre­saljet që u bëheshin sahabëve të tij dhe gjithnjë ishte i preoku­puar me këtë çështje. Kështu që ai u lejoi atyre që të braktisnin atë ambient ngulfatës e të shpërngulen për në Abisini (Etiopi). Këtë rru­gë e morën tetëdhjetë burra e gra, në mesin e tyre ishte edhe Rukija ‑ e bija e Pejgamberit ﷺ, dhe burri i saj, Osman ibnu Affani r.a. Të gjithë ata u nisën për një vend të panjohur dhe u shpërngulën te një popull për të cilin nuk dinin asgjë. Ata për herë të parë kaluan detin dhe ia mësyen një të ardhmeje të panjohur. Mirëpo, ajo që i shtyu të merrnin një hap të tillë ishte imani i tyre i fortë, para të cilit janë të lehta të gjitha sakrificat.

Sahabët e Pejgamberit ﷺ vazhdojnë të bëjnë sakrificë pas sak­rifice, e vetë Pejgamberi ﷺ ishte shembull më i mirë se si lypset të bëhen sakrificat për hir të idealeve më të larta, derisa erdhi momen­ti vendimtar dhe sakrifica më e madhe. Ai ishte momenti i shpërngul­jes (hixhretit) për në Medinë, braktisja e familjes, farefisit, vend­lindjes, atdheut, pasurisë dhe më të dashurve. Sa sakrificë e madhe është kjo, përveç për besimtarët e sinqertë! Hixhreti nuk ishte fund i sakrificave, por fillim i sakrificave të tjera, të reja.

Nëse hixhreti në fillim të Islamit ishte kusht për pranimin e Islamit të një muslimani, Pejgamberi ﷺ, pas çlirimit të Mekës atë e zëvendësoi me xhihadin dhe qëllimin e sinqertë. Për këtë, është obli­gim i muslimanëve t’i korrigjojnë qëndrimet e tyre, me qëllim që ato të jenë në përputhje me fenë e tyre, e ai është xhihadi dhe qëllimi i sinqertë vetëm për Allahun, Krijuesit të botëve, për hir të vlerave dhe normave me të cilat erdhi Islami, që të jemi të denjë të quhemi muslimanë.

Mësimi që duhet të mësojmë të gjithë nga kjo periudhë nëpër të cilën kaloi Pejgamberi ﷺ dhe sahabët e tij është se kurdo­herë që besimi (imani) është i ngulitur në shpirt, atëherë të gjitha sak­ri­ficat janë të lehta. Çdo fitore kërkon një çmim tejet të lartë, i cili patjetër lypset të paguhet. Për këtë fe, të cilën ne e trashëguam nga të parët tanë dhe nën hijen e të cilës jetojmë, muslimanët e parë flijuan jetën dhe pasurinë e tyre si dhe çdo gjë të shtrenjtë që patën. Mu për këtë Allahu i shpërbleu ata për sakri­ficat e tyre, e lartësoi çështjen e tyre, i bëri të pavdekshëm, iu mun­dësoi të sundojnë në tokë, i bëri prijës dhe trashëgimtarë në të.

Mbetet detyrim për secilin prej nesh që t’i përvetësojë këto më­si­me dhe ta pyesë veten ç’ka bëri ai për ruajtjen e kësaj trashë­gimie, të cilën na e lanë amanet të parët tanë.