Në kryerjen e riteve të Haxhit ka dobi dhe urtësi të shumta, dhe kush bekohet për kuptimin dhe veprimin sipas tyre, ai është bekuar për një të mirë të madhe. *Udhëtimi i njeriut për kryerjen e haxhit përkujton udhëtimin për tek Allahu në Ahiret, dhe sikur që në udhëtim njeriu ndahet nga të dashurit dhe duhet të ketë furnizim që e dërgon deri në haxh, po kështu nga jeta ndahet prej të afërmve dhe duhet të bëjë vepra të mira për përgatitjen për këtë udhëtim. Allahu i madhëruar thotë: “Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria”. (Bekare, 197)
- Sikur që udhëtimi në këtë bote është një lloj ndëshkimi, po ashtu edhe udhëtimi për në boten tjetër është ndëshkim, madje edhe shumë më i madh. Njeriu para vetes ka vdekjen, varrin, ringjalljen, llogarinë, peshoren, siratin e pastaj ose Xhennetin ose Xhehennemin. I lumtur është ai, që e shpëtoi Allahu.
- Kur haxhiu vesh pelerinën e bardhe ai përkujton qefinin e tij, me të cilin do të mbështillet. Kjo fton në lënien dhe braktisjen e mëkateve ngase sikur që zhvishet nga rrobat e tij ai duhet të zhvishet po kështu nga mëkatet. Ai sikur që vesh dy rroba të bardha të pastra po kështu edhe zemra dhe gjymtyrët e tij duhet të jenë të pastra nga njollat e mëkateve.
- Kur të thotë njeriu në mikat (vendi ku haxhiu vesh pelerinën dhe bën nijjetin): (Lebejke Allahumme Lebbejke – Të përgjigjem o Allah të përgjigjem)”, ai shpreh gatishmërinë e tij për t’iu përgjigjur Allahut, Zotit të tij dhe ai, assesi, me këtë përgjigje që ia bën Allahut, nuk mendon të vazhdojë në mëkate. Ai sikur thotë: Të përgjigjem o Zot dhe nuk shkel ndalesat Tua!
- Braktisja e gjërave të ndaluara gjatë kohës sa është në Ihram dhe përkujtimi i shpeshtë i Allahut muslimanit ia përkujton gjendjen në të cilën ai duhet të jetë. Kjo është një lloj edukate për të dhe mësim i shpirtit me këtë gjë, që duhet të jetë rutine e tij. Ai e ushtron shpirtin e tij për t’i braktisur edhe gjërat e lejuara, të cilat Allahu ia ndaloi atij në këtë vend ndërsa ia lejoi pas këtij vendi. Ai derisa mësohet t’iu largohet edhe gjërave te lejuara, gjithsesi se gjërave të ndaluara që ndalohen si në këtë vend po ashtu edhe në vendet tjera dhe si në kohë të haxhit po ashtu edhe në kohe të tjera, do t’iu largohet madje me më shumë lehtësi.
- Hyrja në Qabe, e cila është bërë strehim dhe siguri për njerëzit, muslimanit ia përkujton sigurinë që do ta ketë në Ditën e Kiametit. Ajo që më së shumti njeriut ia garanton sigurinë është besimi i sinqerte në Allahun dhe shmangia politeizmit apo çfarëdo forme të pabesimit. Thotë Allahu: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë”. (En’am, 82)
- Puthja e gurit të zi (haxheru’l esvedit), që shënon fillimin e kryerjeve të ritualit te haxhit, haxhiun e përgatit në zbatimin e sunnetit-traditës së Pejgamberit, alejhi’s salatu ve’s selam dhe mos shkeljen e parimeve të fesë, vetëm pse mendja e tij nuk pranon më atë gjë. Ai e di-mësohet se çdo gjë që e ka urdhëruar Allahu për njerëzit ka një urtësi dhe të mirë. Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, në lidhje me puthjen e gurit të zi kishte thënë: “Unë e di se ti je guri, që nuk bën dëm dhe as dobi, por sikur të mos e shihja Pejgamberin, alejhi’s salatu ve’s selam duke të puthur nuk do të puthja”. (Transmetim unanim)
- Gjate Tavafit (silljes rreth Qabese) njeriu përkujton babain e tij, Ibrahimin, alejhi’s selam, i cili e ndërtoi Qaben dhe ftoi për vizitën e saj. Këtë shtëpi e vizituan Musai, Junusi, Isai, Muhammedi, alejhi’s salatu ve’s selam, madje edhe vuri bazat dhe parimet e shëndosha të vizitës së saj, të zhveshura nga çdo formë politeizmi.
- Pirja e ujit të Zemzemit njeriut ia përkujton begatitë e Allahut dhuruar njerëzve, të cilin e pinë miliona njerëz prej mijëra vitesh dhe ende nuk është tharë.
- Sa’ji (ecja e shpejtë) në mes Safasë dhe Merves haxhiut ia përkujton sprovimin e Haxheres, nënës së Ismailit dhe gruas së Ibrahimit, alejhimu’s selam. Nëse kjo grua ka duruar dhe është strehuar tek Allahu gjatë sprovës së saj andaj edhe njeriu, e sidomos mashkulli, duhet ta bëjë këtë. Burri përkujton përpjekjen e kësaj gruaje të ndershme e kështu i lehtësohet problemi, të cilin e vuan, ndërsa gruaja përkujton një paraardhëse të saj, të gjinisë së saj, dhe kështu bëhet më e fortë në përballimin e problemeve.
- Qëndrimi në Arafat njeriut ia përkujton kallaballëkun e krijesave në Ditën e Tubimit, dhe nëse haxhiu lodhet nga tollovia e më së shumti tre milion njerëzve, atëherë si do të jetë gjendja e tij në ditën kur tubohen të gjitha krijesat e kësaj toke.
- Në gjuajtjen e gurëve njeriu e mëson vetveten për adhurim absolut, ngase ai edhe nëse nuk e di urtësinë e hedhjes së gurëve dhe edhe nëse nuk mund t’i lidhë dispozitat për shkaqet e tyre (pse kjo kështu e ajo ashtu), ai megjithatë i kryen ato dhe kjo shpreh adhurimin absolut për Allahun e Madhëruar.
- Therja e Kurbanit njeriut ia përkujton ndodhinë historike të Ibrahimit me Ismalin, alejhima’s selam, i cili shprehu gatishmërinë e tij për ta therur të birin, Ismailin, pas ëndrrës që kishte parë. Kjo tregon se njeriun nuk duhet ta kap butësia apo dhembshuria e të mos e zbatoj urdhrin e Allahut. Kjo ndodhi historike po ashtu njeriut ia mëson edhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur urdhrit të Allahut siç beri Ismaili, alejhi’s selam: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!”. (Saffat, 102)
- Kur haxhiu të lirohet nga Ihrami dhe i lejohen gjërat e ndaluara gjatë ihramit, ai bindet për shpërblimin e durimit dhe se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi.
- Kur t’i kryejë dispozitat sipas parimeve fetare, atëherë ai e lut Allahun që t’ia falë të gjitha mëkatet, siç ka premtuar Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam: “Kush kryen haxhin për Allahun dhe nuk bën marrëdhënie seksuale (gjatë kohës sa është në Ihram) dhe nuk shkel dispozitat, kthehet (nga haxhi i pastër prej mëkateve) sikur atë dite kur e ka lindur nëna”.(Buhariu dhe Muslimi) Kjo për haxhiun hap një faqe të re të jetës së tij, të pastër nga mëkatet dhe gjynahet.
- Kur të kthehet në shtëpi dhe të takohet me familjen e të gëzohet shumë, kjo ia përkujton gëzimin e madh që do ta ketë kur të takohet me ta në Xhenet. Ai me këtë bindet se humbje do të thotë humbja në ahiret, siç thotë Allahu: “Thuaj: “Të dështuar në ditën e kiametit janë ata që e kanë humbur veten dhe familjen e vet. Vini re: ky është ai dështimi i njëmendtë”.(Zumer, 15)
E lusim Allahun që të na bekojë për adhurimin e Tij, për vizitën e shtëpisë së Tij dhe kryerjen e të gjitha urdhëresave tjera fetare.