Begatitë në shtëpinë ku i jepej gji Profetit alejhi selam

Gjatë kohës që Profeti (s.a.u.s.) qëndroi në atë shtëpi, erdhën shumë mirësi për njerëzit e asaj shtëpie. Kur Halimja erdhi në Mekë, ishte kohë thatësire. Ajo kishte një gomaricë, e cila ishte kafsha më e ngadaltë e karvanit, sepse ishte shumë e dobët dhe e rraskapitur. Kishte edhe një deve, që nuk i jepte asnjë pikë qumësht. Halimja kishte edhe një djalë të vogël, i cili tërë natën nuk i pushonte së qari e së bërtituri, sepse kishte uri e nuk i linte prindët të flinin.

Kur erdhi Halimja me Profetin (s.a.u.s.) dhe e vuri në prehër, i erdhi gjiri e iu shtua qumështi; foshnja piu dhe u ngop. Piu edhe djali i saj i vogël, derisa u ngop dhe fjetën gjumë. I shoqi shkoi te deveja dhe pa se ajo kishte tërë atë qumësht. E moli, pinë të dy sa u ngopën, fjetën dhe kaluan një natë shumë të mirë. Halimja me të shoqin dolën për të shkuar te stepat e Beni Sa’adit. Ajo i hipi gomaricës e mori me vete edhe Profetin. Gomarica ecte aq shpejt, sa ia kaloi varganit dhe asnjë nga gomerët nuk mund ta arrinte dot.

Halimja me të shoqin arritën në vendin ku banonte fisi Beni Sa’ad, i cili ishte një nga vendet më të thata. Për habi, panë se delet e tyre vinin në mbrëmje të ngopura, me gjinj plot qumësht. I milnin delet dhe pinin qumësht me bollëk, në një kohë kur bagëtitë e të tjerëve nuk jepnin asnjë pikë qumësht.

Kështu, Halimja me të shoqin panë shumë mirësi prej Allahut gjatë kohës që Muhamedi (s.a.u.s.) qëndroi tek ata. Pasi u plotësuan dy vjet, Halimja ia ndërpreu gjirin. Tashmë ai ishte zhvilluar dhe forcuar fzikisht.