Çlirimi i Mekës dhe pastrimi i Qabes nga idhujt

Përkrah të Dërguarit ﷺ ishte Ebu Bekri (r.a.), i cili bisedonte me të, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ këndonte suren El Fet’h, derisa hyri në Mesxhidi Haram. Përreth tij ishin muhaxhirët dhe ensarët.
Atje, Profeti ﷺ preku Gurin e Zi (El Haxherul Esued) dhe bëri tauaf rreth Qabes sipër devesë, sepse nuk e kishte bërë nijet ihramin. Në atë kohë rreth Shtëpisë së Shenjtë ishin 360 statuja. I Dërguari i Allahut ﷺ filloi t’u binte atyre me shkop dhe këndonte ajetin e Kuranit: “Erdhi e Vërteta dhe u zhduk e kota. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.” (17:80) Dhe: “Erdhi e Vërteta dhe u zhduk e kota, (erdhi e Vërteta) që e kota të mos kthehet më.” (34:39) Idhujt binin njëri pas tjetrit me fytyrë përtokë.

Pasi mbaroi tauafin, Profeti ﷺ thirri Othman ibn Talhan dhe i mori çelësin e Qabes e pastaj urdhëroi që ajo të hapej. Më pas urdhëroi që të nxirreshin e të thyheshin tërë idhujt që ishin brenda në Qabe. Ata u nxorrën dhe u thyen krejtësisht. Profeti ﷺ urdhëroi që të zhdukeshin të gjitha pikturat që gjendeshin në Qabe. Ato u hoqën mënjanë dhe u asgjësuan. Pastaj, Profeti ﷺ hyri në Qabe bashkë me Usame ibn Zejdin dhe Bilalin, e mbylli derën dhe u kthye nga muri që kishte përballë, tre kutë larg. Në të majtë të tij ishte një shtyllë; në të djathtë të tij ishin dy shtylla; prapa tij ishin tri shtylla. Aty Profeti ﷺ fali dy rekatë namaz. Pastaj, erdhi rrotull brenda Qabesë, duke thënë “Allahu Ekber” dhe “Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë, përveç Allahut.”
Profeti ﷺ e hapi derën e Qabes, kur kurejshët kishin mbushur Mesxhidi Haramin rreshta-rreshta. I Dërguari i Allahut ﷺ kapi dy anët e derës dhe mbajti një hytbe të përsosur, në të cilën tregoi shumë urdhra të Islamit dhe shpalli të anuluara përgjithmonë shumë urdhra të kohës së Padijes (para Islamit).
Pastaj, Profeti ﷺ zbriti dhe u ul në Mesxhidi Haram dhe ia ktheu çelësin përsëri Othman ibn Talhasë e i tha: “Merre këtë (çelës) përgjithmonë. Askush nuk do të na e marrë atë më, përveç ndonjë mizori.”