Familja e Muhamedit (s.a.u.s.) njihej me emrin “Familja Hashemije”.
E kishte marrë këtë emër prej gjyshit të tij të dytë, që quhej Hashim. Pasardhësit e tij quheshin hashemij dhe kështu, derisa erdhi Islami. Hashimi kishte trashëguar disa ofiqe nga Kusaji: u shërbente haxhinjve dhe përgatiste bukën e ushqimin për ta. Hashimi ishte njeriu më i lartë i kohës së tij. Ai e thërrmonte bukën në lëng mishi dhe e bënte përshesh. Në gjuhën arabe ky lloj ushqimi quhet “tharid”. Hashimi ua jepte tharidin haxhinjve, që vinin në Mekë. Nga kjo ai mori emrin Hashim (Tërrmues), kurse emrin e vërtetë e kishte Amru. Hashimi bëri traditë për arabët “dy udhëtimet”; udhëtimi i parë bëhej gjatë dimrit për në Jemen, kurse udhëtimi i dytë bëhej gjatë verës për në Sham. Hashimi ishte më i nderuari i Bat’hasë (Mekës).
Thuhet se kur Hashimi kaloi në Jathrib, që ndodhet në rrugën për në Sham, u martua me Selmën, bijën e Amrit, nga fsi Beni Adij e ky bir i Nexharit. Qëndroi tek ajo ca kohë, pastaj shkoi në Sham. Selemeja kishte mbetur shtatzënë në Medine (Jathrib). Hashimi vdiq në Gaza, që ishte tokë e Palestinës. Selemeja lindi djalë në Medine, të cilit ia vuri emrin “Shejbe”, prej thinjave që kishte në kokë.
Djali u rrit midis dajave në Medine, por xhaxhallarët e tij në Mekë nuk dinin asgjë për të, derisa ai u bë shtatë ose tetë vjeç. Kur xhaxhai i tij, Muttalibi e mësoi këtë, shkoi dhe e solli në Mekë.
Kur e panë njerëzit, menduan se djali ishte skllav i tij dhe e quajtën “Abdul Muttalibi” (Skllavi i Muttalibit”). Kështu, ai u bë i njohur me këtë emër. Abdul Muttalibi ishte më i pashmi i njerëzve dhe më autoritari. Në kohën e vet është nderuar si askush tjetër.
Abdul Mutalibi ishte më i nderuari i kurejshëve, pronar i varganit të Mekës. Ishte i nderuar, i respektuar dhe shumë bujar, saqë për bujarinë që kishte, quhej “dhënës i madh”. Nga sofra e tij hanin të varfrit; kafshët e egra dhe shpezët. Prandaj, Abdul Muttalibi quhej ushqyes i njerëzve në fushë dhe ushqyes i kafshëve dhe i shpezëve në majat e maleve. Ai pati nderin të rihapte pusin e Zemzemit, pasi e pati mbyllur atë pus fsi Xhurhum, shumë kohë më parë, atëherë kur u dëbuan nga Meka. Kur po flinte, Abdul Muttalibi pa një ëndërr. Dikush e urdhëroi që të hapte pusin e Zemzemit, madje u përshkrua edhe vendi, ku gjendej pusi.
Po në kohën e Abdul Muttalibit ka ndodhur edhe ngjarja e Elefantit. Abraha El Ashrami (sundues i Jemenit) erdhi nga Jemeni me gjashtëmbëdhjetë mijë ushtarë të stërvitur mirë për të shembur Qaben. Ai kishte me vete edhe disa elefantë. Arriti në “Uadi Mahsir”, që gjendet midis Muzdelifes dhe Minasë. Në kohën që u përgatit për sulm kundër Mekës, Allahu dërgoi mbi ta zogj që vinin tufë-tufë e që gjuanin me gurë dhe baltë të gurëzuar. Allahu e bëri ushtrinë e Abrahasë si gjeth të përtypur. Kjo ka ndodhur
rreth një muaj para se të lindte Profeti (s.a.u.s.). Babai i Profetit (s.a.u.s.) është Abdullahu. Ai ishte më i miri dhe më i sjellshmi i djemve të Abdul Muttalibit. Kur Abdul Muttalibi hapi pusin e Zemzemit dhe u dukën shenjat e pusit të vjetër, Kurejshët u grindën me të dhe kërkuan që të bëheshin pjestarë në ujin e pusit, atëherë ai premtoi që, sikur Allahu t’i jepte dhjetë djem, e kur ata të mbërrinin moshën që ta mbronin, ai do të bënte kurban njërin prej tyre. Allahu i Lartësuar ia dha djemtë. Kështu, Abdul Muttalibi hodhi short midis djemve të vet se cili do të bëhej kurban. Shorti i ra Abdullahut.
Abdul Muttalibi shkoi te Qabja për ta bërë kurban Abdullahun, por Kurejshët e ndaluan, sidomos vëllezërit dhe dajat e tij. Atëherë, Abdul Muttalibi dha në vend të tij njëqind deve. Ismaili u shpetua me një dash (i cili u ther në vend të tij) dhe Abdullahu u shpëtua me njëqind deve që u flijuan për të. Pra, Profeti Muhamed (s.a.u.s.) është biri i dy njerëzve që do flijoheshin, njëri është Ismaili, tjetri babai i vet, Abdullahu e njëherazi është biri dy të shpëtuarve.
Abdul Muttalibi dha pëlqimin që djali i vet, Abdullahu të martohej me vajzën Emine, që ishte bija e Uehbiut dhe më e mira e grave të fsit Kurejsh, si për nga nderi, ashtu edhe për nga pozita. Babai i saj, Uehbiu ishte kryetar i fisit Beni Zehre dhe më i miri i tyre, si në prejardhje ashtu edhe në pozitë. Kështu, u realizua fejesa dhe martesa. Abdullahu dhe Eminia jetuan pak kohë në Mekë. Ajo mbeti shtatzënë dhe nga kjo shtatzënësi lindi i Dërguari i Allahut. Pas një farë kohe, Abdul Muttalibi e dërgoi Abdullahun në Medine (thuhet edhe në Sham), që të merrej me tregti. Por, sapo u kthye, vdiq. U varros në shtëpinë e Nabiga Dhabjaniut; sipas një kumtimi më të saktë, Abdullahu ka vdekur para se të lindte Profeti (s.a.u.s.).