Llojet (mënyrat) e Shpalljes Profetit Muhamed ﷺ

Ibni Kajjimi, duke numëruar shkallët e Shpalljes, thotë:
Shkalla e parë: Er-ru’ja es-sadika ose të ëndërruarit e vërtetë, me të cilën i fillon Shpallja Resulullahut ﷺ.
Shkalla e dytë: Shpallja të cilën Resulullahu e ka pranuar nga Xhibrili përmendsh, duke mos e parë atë, siç tregon vetë Profeti Muhamed ﷺ; “fryma e engjëllit i ka dërguar mendjes sime se asnjë njeri nuk do të vdesë përderisa nuk e harxhon nafakën e vet. Andaj, kini frikë Allahun dhe luteni Atë në mënyrën më të bukur, dhe mos e kërkoni atë prej Allahut me anë të ndalesave dhe të mosbindjes, sepse ajo çka ka Allahu xh.sh, mund të fitohet vetëm me bindje të plotë.”

Shkalla e tretë: Profetit Muhamed ﷺ i vinte engjëlli Xhibril në figurën e njeriut, bisedonte me të derisa Resulullahu e mesonte përmendsh gjithë bisedën. Shpeshherë edhe as’habët e kanë parë në këtë shkallë të Shpalljes.

Shkalla e katërt: Engjëlli ndonjëherë i vinte në trajtën e kumbimit të kambanave. Kjo metodë e Shpalljes ka qenë më e vështira për Resulullahun ﷺ, ngase engjëlli e rëndonte Resulullahun me tërë peshën e vet, kështu që djersët ia bënin qull ballin, edhe kur dita ishte e ftohtë, e nëse ishte hipur në deve, ajo nga pesha e madhe përulej gjer në tokë. Një herë i erdhi shpallja ndërsa ishte i mbështetur në këmbën e Zejdit. Zejdit, iu rëndua këmba aq shumë, aq rëndë saqë mezi duronte.

Shkalla e pestë: Profeti Muhamed ﷺ e shihte Xhibrilin në formën e vërtetë, ashtu siç e kishte krijuar Allahu Xh.Sh, atëherë i shpjegonte Resulullahut çka i kishte urdhëruar Allahu. Në këtë mënyrë Resulu-llahu ﷺ e ka pranuar Shpalljen vetëm dy herë. Këtë e ka përmendur Kur’ani kerim në suren En-Nexhm.

Shkalla e gjashtë: Mënyra e drejtpërdrejtë e dërgimit të Shpalljes nga Allahu Xh.Sh, gjersa ka qenë në qiej natën e ngritjes – Lejletul Mi’raxh, e në lidhje me namazin dhe disa gjëra të tjera.

Shkalla e shtatë: Allahu Xh.Sh i fliste drejtpërdrejt Resulullahut ﷺ pa ndërmjetësimin e engjëllit, siç i ka folur edhe Musait , birit të Imranit. Kjo shkallë e Shpalljes ka qenë mu’xhize e Musait , të cilën e ka vërtetuar Kur’ani, kurse paraqitja e saj te Resulullahu (alejhi selam), ka qenë në hadithin për Isra’në, ose në lidhje me udhëtimin e një-netshëm të Resulullahut në burak, nga Meka në Kuddus në Sham.

Disa mendojnë se ekziston edhe mënyra e tetë e Shpalljes. Ky ka qenë bisedimi i drejtpërdrejtë i Allahut Xh.Sh me Resulullahun ﷺ, ballë për ballë, pa perde. Kjo mënyrë e Shpalljes është lëndë mospajtimi ndërmjet tradicionalistëve dhe trashëgimtarëve të tyre, e cila ka përfunduar me dhënien e një përmbledhjeje në shpjegimin e shkallës së parë dhe të tetë. E vërteta është se mënyra e tetë e shpalljes është e pabazë.