Umet i Muhammedit ﷺ, ngushëllime!

Pa mëdyshje, askush nuk mund të arrijë gradën dhe autoritetin e Muhamedit, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), sepse ai ishte më i zgjedhuri dhe më i miri nga mesi i elitës.
Dashuria e madhe që kemi ndaj tij na bën të shpresojmë se do ta takojmë në botën tjetër dhe të kënaqemi duke përfituar nga ndërmjetësimi i tij dhe pirja ujë nga kroi i tij i bekuar. Kjo shpresë është ngushëllim i madh për neve, të cilët nuk kemi pasur nderin ta takojmë në këtë botë. Mirëpo edhe takimi i botës tjetër i ka disa kushte dhe kritere, të cilat, po që se nuk respektohen, njeriu do të privohet nga takimi i këndshëm me Muhamedin, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!).

Në të vërtetë, të gjithë muslimanët kanë qenë të preokupuar, madje, edhe të pikëlluar kur kanë menduar se në botën tjetër, edhe nëse arrijnë të futen në xhenet, pozita e tyre sigurisht nuk mund të jetë aq meritore sa është ajo e Muhamedit, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Këtë brengë të tyren ata nuk kanë ngurruar ta shprehin edhe para të Dërguarit të Allahut. Enes bin Maliku, sipas asaj që shënon Ahmedi në Musnedin e tij, transmeton se një njeri e ka pyetur të Dërguarin e Allahut: “O i Dërguar, nëse njeri e do dikë, por nuk mund të arrijë pozitën e tyre me veprat e tij, çfarë do të jetë puna e tij? Ai i ka thënë: “Njeriu, në botën tjetër, do të jetë me ata që i do.” Thabit el-Bunani që e transmeton këtë hadith nga Enesi, thotë: Sa herë që Enesi ia tregonte dikujt këtë hadith, thoshte: O Allahu im, ne të duam Ty dhe e duam të Dërguarin Tënd!

Kjo dashuri e bën njeriun të ngrihet aty ku nuk mund të arrijë me veprat e veta. Jo rrallë ndodh që dikush, edhe po deshi, nuk mund të bëjë vepra të cilësisë apo sasisë që bën dikush tjetër. Kjo bëhet ngase edhe mundësitë e njerëzve për të bërë diçka janë të ndryshme. Në rastin konkret, askush nuk mund të arrijë me veprat dhe meritat e tij atje ku ka arritur Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), sepse ai ishte më i miri, më i devotshmi dhe më aktivi. E vetmja gjë që mund të bëjnë ata që vijnë pas tij është që, krahas besimit dhe pasimit të rrugës së tij, ta duan atë me dashuri të pa rezervë dhe të sinqertë, duke shpresuar se ajo dashuri do të bëhet shkas që Allahu ata t’i nderojë dhe shpërblejë duke i takuar me të në Ditën e Gjykimit dhe duke ua mundësuar që të qëndrojnë së bashku në xhenet me lejen e Tij qoftë i lartësuar.

Nëpërmjet këtij fakti ndriçohen dy gjëra shumë të rëndësishme.
E para: Eshtë gjerësia e Mëshirës së Allahut dhe Mirësia e Tij e pakufishme. Ai u jep mundësi të gjithëve që të përfitojnë prej asaj mirësie. Nëse nuk mund të arrihet me vepra, le të arrihet me dashuri, sinqeritet dhe anim kah e mira dhe kah çdo gjë dhe çdo kush që Allahu do. Dashuria ndaj Allahut dhe të dashurve të Allahut, njeriun e shpie në grada të larta dhe i siguron privilegje dhe shpërblime rëndom të paarritshme.
Gjëja e dytë që kuptohet është autoriteti dhe pozita e lartë e të Dërguarit Muhamed, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), tek Allahu i Madhëruar. Nuk është gjë e vogël dhe e parëndësishme që vetëm nëse e do një njeri, të të shpërblejë Krijuesi. Ai njeri që ti e do duhet të jetë shumë i madh, i mirë dhe meritor tek Allahu. I këtillë, pa kurrfarë dyshimi është Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Prej tij përfitoi njerëzimi derisa ishte gjallë dhe jetonte në mesin e njerëzve duke u udhëzuar me mësimet e tij të larta.

Ndërsa, ata që nuk patën nderin ta shohin dhe ta shoqërojnë, kanë mundësinë që, krahas besimit të mirëfilltë, me dashuri të sinqertë të arrijnë nderin e të shoqëruarit me të në botën tjetër, më konkretisht në xhenet. E si të mos vazhdojmë edhe ne të themi atë që e ka thënë Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të: O Allahu im, ne të duam Ty dhe e duam të Dërguarin Tënd!?
Kjo dashuri nuk bën të jetë vetëm deklarative. Ajo duhet të jetë e sinqertë, të burojë nga thellësia e shpirtit dhe të jetë e konfirmuar me vepra. Veprat janë shenja më e mirë identifikuese e njeriut.
Sikur edhe çdo gjë në Islam, ashtu edhe dashuria ndaj Muhamedit, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), duhet të vërtetohet praktikisht. Një gjë e tillë arrihet me dëshmi praktike se fjalët janë vërtetë një argument i dashurisë së sinqertë. Për t’i vënë njerëzit në provë se sa janë të sinqertë kur deklarojnë se e duan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Allahu ka shpallur ajet në të cilin thuhet: “Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ua falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” (Ali Imran, 31).
Këtu është pikënisja, fillimi i madh dhe i fuqishëm për të arritur atë që dëshiron. Rruga deri te caku është e gjatë dhe e mundimshme. Sprovat dhe pengesat janë të shumta dhe të llojllojshme. E vetmja gjë që simbolizon burimin e pashtershëm të fuqisë dhe udhëzimit është pasimi i rrugës, të cilën gjatë jetës së tij të bekuar e trasoi Muhammedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Ajo është rruga e vetme që shpie në mënyrë të sigurt deri te arritja e qëllimit fisnik.

Shikuar në aspektin praktik, rëndësia e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, vihet në pah edhe nëpërmjet një hadithi, të cilin e shënon Muslimi, e të cilin e transmeton Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të. Në këtë hadith qëndron se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit do të vijnë njerëzit e Umetit tim tek unë te Haudi, ndërsa unë do t’i pengoj disa njerëz, ashtu si i pengon bariu devetë e huaja që të mos u afrohem deveve të veta.” Dikush i tha: O i Dërguar, a do të na njohësh atë ditë? Ai tha: “Po, sepse do t’i keni disa shenja të veçanta që nuk i ka tjetër kush. Do të vini tek unë me shenja në gjymtyrët tuaja nga gjurmët e abdesit. Disa prej Umetit tim do të pengohen për të arritur deri tek unë dhe unë do të them: ‘O Zoti im, ata janë prej Umetit tim’. Një melek do të më përgjigjet: Ti nuk e di se çka kanë vepruar këta pas teje.”

Abdesi, si veprim konkret i përmendur në hadith, është shembull i shprehjes praktike të lojalitetit dhe dashurisë së sinqertë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kjo dëshmon se dashuria duhet të ekzistojë, dobia e saj është e pakontestueshme në këtë dhe në botën tjetër, por edhe shenjat identifikuese dhe dëshmitë praktike të asaj dashurie nuk duhet të mungojnë.
O Allahu im, ne të duam Ty dhe e duam të Dërguarin Tënd!!!