Udhëzimi i Profetit alejhi selam në lidhje me faljen e syneteve të forta

I Derguari ﷺ gjithmonë tregohej i kujdesshëm në faljen e dhjetë rekateve namaz në shtëpinë e tij. Këtë e pohon dhe ibn Omeri i cili ka thënë: ” Prej Profetit ﷺ kam mbajtur mend dhjetë rekate namaz ; dy rekate para farzit të drekës dhe dy pas tij, dy rekate pas farzit të akshamit në shtëpinë e tij, dy rekate pas farzit të jacisë në shtëpinë e tij dhe dy rekate para farzit të sabahut”.

Një herë kur i kaluan dy rekate sunet pas namazit farz të drekës, ai i kishte falur pas namazit të ikindisë dhe vazhdonte në këtë gjë. Kur ishte në udhëtim ai falte rregullisht sunetin e sabahut (dy rekate para farzit) dhe namazin e vitrit, më shumë se të gjitha namazet synet. Nuk është transmetuar se ai kur ishte në udhëtim, përvec sunetit të sabahut dhe vitrit , të ketë falë sunetet e forta.

është permendur se sunetet që ka falur Profeti ﷺ gjatë ditës dhe natës, në total janë dyzet rekatë të cilat gjithmonë i falte rregullisht. Prej tyre, shtatembëdhjetë rekate farz (të detyrueshme), dhjetë ose dymbëdhjetë rekate synete të forta dhe njëmbëdhjetë ose trembëdhjetë rekate të namazit të natës. totali është dyzetë rekate dhe cfarë shtohet mbi këtë numër, nuk është prej syneteve të forta. Besimtari është mirë që këto sunete t´i fali gjithmonë dhe rregullisht.