Virtytet e larta të Profetit alejhi selam ishin të shumta, por do t’i përmendim disa:
- Bujaria
Ai ishte shembull i paarritshëm në këtë drejtim. Këtë e dëshmojnë transmetimet dhe dëshmitë në vijim:
– Ai kurrë, derisa kishte diçka afër vetes, nuk kthente duarthatë lypësin. Një njeri njëherë ia kërkoi pelerinën që e kishte veshur, ai hyri në shtëpi, e zhveshi atë dhe doli e ia dha.
– Xhabiri transmeton se i kishte dhënë një njeriut një tufë të madhe me dhenë saqë ai u kthye te njerëzit e vet dhe u tha: O njerëz, shkoni te Muhamedi se ai jep aq shumë sa të mos i frikohesh varfërisë më pas. (Buhariu)
– Ibën Abbasi thotë se: “I Dërguari i Allahut ishte njeriu më bujar. Akoma më bujar bëhej në muajin ramazan kur e takonte Xhibrili dhe ia mësonte Kuranin. Ai ishte më i bekuar se sa era e mirë dhe e bereqetshme e dërguar nga Allahu. (Shënon Buhariu).
- Butësia
Me këtë nënkuptohet vetëpërmbajtja në rast të zemërimit dhe hidhërimit të madh, me ç’rast njeriu nuk mund të kontrollojë veten dhe të përmbahet nga fjalët dhe sjelljet e këqija. Ai ishte shembull kur është në pyetje kjo cilësi, madje edhe kur kishte mundësi të shfrynte zemërimin dhe mllefin e vet, ai asnjëherë nuk e bënte një gjë të tillë.
Në betejën e Uhudit u plagos, iu shqye fytyra, iu thyen dhëmbët, ra në gropën që e kishin hapur armiqtë dhe i rrodhi gjaku. Ai, megjithatë, tha: “O Allah, fale popullin tim se ata nuk dinë.”(Buhariu)
Një beduin erdhi një herë për të lypur dhe e kapi për petkat e tij, e shtrëngoi aq fortë sa i la shenja në qafën e tij të bekuar duke i thënë: O Muhamed, më jep nga ajo që të ka dhënë Allahu! Ai i buzëqeshi dhe urdhëroi që ti jepet nga pasuria shoqërore aq sa i plotësohen nevojat e tij.(Buhariu)
Një çifut i quajtur Zejd bin Sa’neh erdhi për të kërkuar borxhin nga i Dërguari i Allahut, e kapi atë për krahu dhe iu drejtua në mënyrë të vrazhdët dhe ofenduese: Ju, familje e Abdulmuttalibit, vërtetë jeni të jokorrektë në kthimin e borxhit. Umeri u ngrit me shpejtësi dhe i revoltuar për të reaguar, por Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), i tha: “Jo o Umer në këtë mënyrë. Më mirë do të ishte të kërkoje prej meje të ia kthej borxhin dhe të kërkosh prej tij ta kërkojë hakun e vet më mirë dhe më butë.” Pastaj urdhëroi që t’i kthehet borxhi dhe t’i kompensohet trishtimi që ia kishte shkaktuar Umeri me reagimin e tij. Kjo gjë ishte shkak që ai njeri të përqafojë Islamin. Më herët thoshte: Të gjitha argumentet e sinqeritetit të Muhamedit i provova, përveç dy gjërave: Butësia e tij është shumë më e theksuar se sjellja e vrazhdë dhe sa më keq të sillesh ndaj tij, ai bëhet më i butë.(Shënon Ebu Nuajmi, Hakimi dhe Hejthemiu)
- Falja dhe toleranca
Falje quhet mosndëshkimi i keqbërësit edhe kur ekziston mundësia, por në shenjë bamirësie ndaj tij t’i falet ajo që ka bërë e të mos ndëshkohet.
Aisheja tregon se i Dërguari i Allahut kurrë nuk hakmerrej personalisht për vete, përveç kur ishte në pyetje shkelja e ligjeve të Allahut, atëherë ai ndëshkonte për këtë.(Buhariu)
Xhabiri rrëfen se i Dërguari i Allahut ishte në një betejë dhe derisa muslimanët ishin të shkujdesshëm ndaj tij, i erdhi njëri prej armiqve me shpatë në dorë, e rrëmbeu fort dhe i tha: “Kush të mbron tani prej meje? Ai i tha: “Allahu”. Atij i ra shpata nga dora. Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), e mori shpatën dhe i tha: “Po ty tani kush të mbron prej meje?” Ai i tha: Bëhu më i miri që hakmerret. I Dërguari i tha: “A do të dëshmosh se nuk ka të adhuruar përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut?” Ai i tha: Jo, por nuk do të luftoj më kundër teje dhe nuk do të jem në anën e atyre që të luftojnë. Ai e lëshoi. Kur shkoi te njerëzit e vet u tha: Jam duke ardhur nga njeriu më i mirë që keni parë ndonjëherë”. (Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.)
- Trimëria
Trimëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet virtyt i lartë dhe cilësi e vlefshme, sidomos kur është edhe në mendje ashtu si është në zemër. Për trimërinë ë të Dërguarit Muhamed, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), le t’i lëmë dy trima të dëshmojnë:
Ali bin Ebu Talibi thotë: “Kur vështirësohej situata dhe lufta bëhej e ashpër, ne mbroheshim prapa të Dërguarit të Allahut. Askush nuk ishte më afër armikut se sa ai.” (Ahmedi dhe Begaviu.)
El-Bera bin Malik thotë: “Kur bëhej situata e vështirë në luftë, ne fshiheshim prapa tij, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Më trimi prej neve ishte ai që barazohej me të.” (Muslimi)
- Modestia dhe afërsia me njerëzit
Njeriu i madh në sytë e njerëzve, i vogël në sytë e vetvetes do të jetë i madh edhe tek Allahu i Madhëruar. I këtillë ishte Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!):
Shokët e tij tregojnë se nuk kanë parë njeri që u buzëqeshte të tjerëve më shumë se i Dërguari i Allahut. (Tirmidhiu) Kalonte kah fëmijët që luanin në rrugë, i përshëndeste, sillej butë me ta, e ndodhte edhe i përkëdhelte. (Shih: Sahihul-xhami’.)
Të dobëtit dhe të varfrit i vizitonte kur sëmureshin dhe i përcillte deri në varreza kur vdisnin.^Asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush të shtyhej dhe pengohej për të arritur deri tek ai, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!).
- Sjellja e mirë me fëmijët dhe mëshira ndaj tyre
Mirësjellja, butësia dhe mëshira janë të çmueshme me çdokënd, por kur janë në pyetje më të dobëtit, ajo bëhet virtyt edhe me i vlefshëm. Kësisoj i trajtonte Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), fëmijët:
Ibën Mesudi tregon se kur i Dërguari i Allahut binte në sexhde, nipat e tij Hasani dhe Husejni i hipnin mbi shpinë. Kur të tjerët donin t’i pengonin në këtë, ai, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), u jepte shenjë që t’i lënë. Kur përfundonte namazin i ulte në prehër. (Shënon Ebu Ja’la dhe Ibën Huzejme.)
Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Unë hyj në namazin duke dëshiruar që ta zgjas atë, por e dëgjoj vajin e fëmijës, andaj e fal më shpejt namazin nga frika se mos e ëma është duke u falur me neve e do të shqetësohet.” (Buhariu)
Të shumta janë ato gjëra që na shtyjnë dhe obligojnë që ta duam të Dërguarin e Allahut, atë që Allahu e dërgoi mëshirë për botët, atë me të cilin Ai i nxori njerëzit nga errësira në dritë. Aq shumë kemi përfituar të gjithë prej tij, aq dobi dhe mësime kemi pasur.
Si të mos e duam!
[Kuran a=”33-El-Ahzab:45″][Kuran a=”33-El-Ahzab:46″][Kuran a=”33-El-Ahzab:47″]